Kurrë nuk do të harrohet fytyra e frikës, lumturia e humbur, bombat, breshëritë e as nuk do të harrohen lotët në sytë e fëmijëve, por nuk do të harrohet as fytyra e armikut !
Për këtë arsye, pushoni në paqe, pushoni në lirinë e amshuar të trojeve ilire, o bijtë e shqipes, luftëtarë trima të rënë për liri, që jeni të gjallë në zemrat tona e që jetoni me ne.
Nënë, nuk do të kthehen të gjithë vëllezërit dhe miqtë tanë, ata të cilët shpirtin që ua dhuroi Zoti e dhanë për atdhe dhe shtatin që e rritën në Kosovë e flijuan për këtë tokë.
Nënë, mos më qorto, birin tënd, të vetmin që të mbeti, nëse sonte e pi një gotë vërë për shpirtrat e vëllezërve dhe për shpirtrat e të gjithë trimave të tjerë që ranë për atdhe, nëse unë i ngre dolli trimërisë së tyre, sepse shpirtin e kam plot me plagë dhe trupin plot me vrragë që nuk shërohen dhe nuk harrohen.
Kujtimet janë plot dhembje, therin, djegin, copëtojnë e çjerrin, njëjtë sikur plagët kurë gjakojnë. Vrragët që i kam në trup nuk më lejojnë që të harroj.
Kujtimet janë plagë të shpirtit që nuk kanë shërim, e që gjakojnë përherë.
Plagët dhe vrragët e shpirtit sonte le të m’i shërojë rakia.
“O luftëtarë, o trima të rënë për atdhe, Ju jeni këtu, jeni me ne, jeni në ëndrrat tona që janë të gjalla, ju ato i bëtë të vërteta, ëndrra që të parët tanë i ëndërruan prej shekujsh, pushoni në paqe, pushoni në lirinë e amshuar të trojeve të Arbrit”!
Le të këndojë sonte dhe përherë e tërë Iliria, këngë himni për shpirtrat e atyre që më nuk janë me ne, le t’ ju këndojë me refren në çdo strofë: Ju faleminderit përgjithmonë! Ju faleminderit deri në amshim!
Ju faleminderit, e të mos harrojmë, se bijtë e shqipes nuk vdesin kurrë, vdekja nuk është për ta, por fluturojnë në lartësitë hyjnore të përjetësisë me krahët e bardhë të lirisë.