Në kohën kur ambasadori amerikan, në Tiranë, Donald Lu ka lëshuar ultimatum për klasën politike në Shqipëri në lidhje me reformën në drejtësi, Paskal Milo, kryetar i Partisë Demokracia Sociale dhe ish ministër i Jashtëm, thotë se Shqipëria është shtet sovran dhe anëtar i NATO-s. Ai deklaroi se misionet diplomatike nuk mund ta identifikojnë Shqipërinë me këtë katundari politike. “Misionet diplomatike të SHBA dhe BE në Tiranë kanë arsye të jenë të lodhur, të zhgënjyer e të zemëruar me klasën politike shqiptare dhe me disa pseudo deputet. Ata nuk e identifikojnë Shqipërinë dhe shqiptarët me këtë katundari politike e parlamentare. Ndaj edhe i bëj thirrje ambasadorit mik amerikan, që për hir të kokëfortësisë së Berishës apo të skifterëve të tjerë të politikës shqiptare, krahët e të cilëve duhet të ishin prerë me kohë, të mos kapërcejë vijën e kuqe të statusit të tij diplomatik, sepse Shqipëria mirë apo keq, ka qenë dhe mbetet një vend i pavarur, anëtar i NATO-s, sovraniteti i të cilit duhet të respektohet në të gjitha rrethanat. Unë e kuptoj simbolikën e mesazheve të tij dhe në përdorimin e gjuhes së pazakontë diplomatike, sepse siç thuhet në Shqiperi “kështu i do mushka drutë”, por nëse mërzitet nga intrigat bizantine të politikes shqiptare, shpenzimet nuk duhet t’i paguajnë të gjithë shqiptarët. Shqipëria është mbi partitë politike”, tha Milo.
Kontrolloni gjithashtu
Në Ditën Forcës, dyert e kazermave të Forcës së Sigurisë së Kosovës janë hapur për të gjithë qytetarët e vendit
Ministria e Mbrojtjes dhe Forca e Sigurisë së Kosovës, në shënim të Ditës së Forcës …