PASOJAT E PARA TË PAKETËS

Vetëm një javë pas sjelljes së të ashtuquajturës “Pako e Ahtisarit” në Prishtinë, u bë e qartë se ç’ishte dhe ç’kishte brenda ajo. Dhuna brutale policore kundër masës, që e prirë nga lëvizja Vetëvendosje, protestoi më dhjetë shkurt ndaj zgjidhjes së rrezikshme që po synohet t’i imponohet Kosovës, dëshmoi se në realitet, dokumenti i Ahtisarit nuk ishte pako, por një bombë e kurdisur në mjedis të Prishtinës. Kjo bombë shpërtheu më 10 shkurt 2007 dhe pasojat e para të saj janë plagët (deri tash nga plagët vdekjeprurëse kanë vdekur dy protestues), lëndimet dhe arrestimet e shumë të rinjve shqiptarë. Për fat të keq ajo do të shpërthejë me pasoja të paparashikueshme, edhe kushedi sa herë, derisa Kosova dhe populli i saj ta fitojnë pavarësinë dhe lirinë e vetëvendosjes.
Dhuna e tmerrshme e dhjetë shkurtit në Prishtinë, kundër popullit shqiptar, është në fakt, rrjedha logjike e një procesi në zhvillim e sipër. Ajo është fryti i të famshmeve standarde të UNMIK-ut, të cilat duan ta bëjnë dhunshëm një Kosovë multietnike; duan ta imponojnë dhunshëm bashkëjetesën e viktimës me kriminelin dhe duan që popullit shqiptar në Kosovë t’ia mohojnë dhunshëm frytet e luftës çlirimtare dhe idealin për pavarësi. Kjo dhunë, po ashtu është fryti i drejtpërdrejtë i negocimit të gjakut të derdhur për lirinë e Kosovës. Standardet dhe negociatat ishin oguri i dhjetë shkurtit, por edhe dhjetë shkurti është oguri i sistemit diktatorial që synohet të instalohet në Kosovë.
Forcat shumëgjuhëshe e shumëngjyrëshe policore, të shtunën përdorën kundër protestuesve duarthatë, bomba lotsjellëse, shkopinj e plumba gome, qen sulmues e makineri të rëndë. Mirëpo, një terror edhe më i vrazhdë po i gatuhet Kosovës. Të ardhmes së saj po i sillet vërdallë fantazma e robërisë serbe. Protesta e lëvizjes Vetëvendosje dhe e gjithë atyre që iu bashkuan asaj më dhjetë shkurt, ishte e drejtuar kundër kësaj fantazme. Kundër kësaj fantazme u protestua edhe në 28 nëntorin e vitit të kaluar dhe shumë herë më parë.
Jo për habi, Qeveria e Kosovës e bekoi dhunën policore të ushtruar mbi Vetëvendosjen dhe protestuesit, gati pa përfunduar tërësisht protesta. Zëdhënësja e saj, sjelljen e policisë kundër masave protestuesve e cilësoi si profesionale, ndërsa forcën e përdorur si proporcionale. Kjo gjuhë policore lidhur me profesionalizmin dhe proporcionalitetin e forcës, sjell në kujtesën e shqiptarëve të Kosovës kohën e sundimit të Milosheviqit mbi Kosovën dhe kjo përbën një formë të veçantë të dhunës së ushtruar, jo vetëm ndaj protestuesve, por ndaj çdo shqiptari me ndjenja. Qeveria e Kosovës përmes zëdhënëses së saj arsyetoi intervenimin policor ndaj protestuesve, gjoja me qëllimin e protestuesve për të depërtuar te objektet e institucioneve të Kosovës. Edhe zëdhënësi i SHPK-së, theksoi se intervenimin policor qenka mbështetur në informacionet mbi qëllimin e protestuesve për të depërtuar te godinat e këtyre institucioneve. Mirëpo, lëvizja Vetëvendosje ka mohuar të ketë pasur për qëllim hyrjen në këto godina dhe ka akuzuar policinë për kufizimin e të drejtës së lëvizjes nëpër rrugët publike të qytetit sipas planit të paraparë. Siç dihet kufizimi i kësaj të drejte ka rezultuar me pasojat që tashmë i dimë të dhunës policore dhe Qeveria e Kosovës bashkë me SHPK-në janë përgjegjësit e drejtpërdrejtë të kësaj dhune, gjithnjë derisa të mos vërtetojnë publikisht burimin dhe saktësinë e informatave mbi të cilat e kanë mbështetur arsyen për ndërmarrjen e masave të dhunës për të kufizuar lirinë e lëvizjes së protestuesve dhe për të shtypur protestën publike.
Zëdhënësja e Qeverisë së Kosovës, po ashtu bëri publik zbulimin se protestuesit na qenkan viktimë e trilleve të dikujt që dëshiroka të reagojë “në çdo kohë dhe në çdo rrethanë”. Ajo madje u paraqit si një psikiatre hetuese, duke konstatuar se prijësi i lëvizjes Vetëvendosje, zotëri Kurti, arrestimin e të cilit e kumtoi me ndjenjë të pa fshehur gëzimi, na e paska si fiksion tërheqjen e vëmendjes së publikut, gjë të cilën po e bëka përmes protestave! Mirëpo, edhe po të jetë kështu, zotëri Kurti nuk qenka rreziku i Kosovës, përderisa ai proteston kundër negociatave që rikthejnë Serbinë në Kosovë. Shqiptarët në Kosovë, gjithnjë e më shumë po e kuptojnë (dhe për këtë dëshmoi edhe protesta e dhjetë shkurtit) faktin se për Kosovën nuk paraqet kërcënim “fiksioni” i Albin Kurtit, apo i lëvizjes Vetëvendosje, për të mos lejuar rikthimin e Serbisë kolonialiste në Kosovë, por kërcënim paraqet fiksioni i përhershëm i Serbisë, për t’u rikthyer në Kosovë, duke pasur në çdo kohë e në çdo rrethanë edhe ndihmën e atyre që bekuan dhunën policore kundër protestuesve paqësorë më dhjetë shkurt.
Siç u pa, Qeveria e Kosovës reagoi kundër protestës së lëvizjes Vetëvendosje me një ekspeditivitet më të madh sesa kishte reaguar më 1981 klika e Kosovës kundër demonstratave për republikë. Mirëpo, kështu nuk reagoi ajo kundër protestuesve serbë, mbase të ardhur edhe nga Serbia, një ditë më parë në Mitrovicën e përtej Ibrit. Këtyre protestuesve nuk ua kufizoi askush lirinë e lëvizjes, megjithëse demonstruan kundër lirisë së Kosovës dhe kërcënuan të ardhmen e saj.
Sikurse Qeveria e Kosovës, efikase në dënimin e protestave u paraqitën edhe partitë që përfaqësohen në Grupin Negociator. Zëdhënësit e tyre u shprehën kundër dhunës së përdorur gjatë protestës, duke e adresuar këtë dhunë qëllimisht te masa protestuese, e jo te përdoruesi i vërtetë i dhunës, policia dhe institucionet e Kosovës. Me këtë qasje, këto parti bëhen mbështetëse të terrorit policor në Kosovë.
Zëri protestues i dhjetë shkurtit kishte një adresim të qartë. Ai ishte artikulim i kundërshtimit të planit që e ndan, e ripushton dhe e zezon Kosovën. Ky zë ishte artikulim i kundërshtimit të një procesi që po ia përgatit popullit shqiptar të Kosovës një të ardhme me pamjen e Dhjetë Shkurtit. Lëvizja Vetëvendosje dhe ithtarët e saj nuk e duan të nesërmen e Kosovës me luftë e tmerre, prandaj ata janë ndërgjegjja e kohës sonë. Për këtë arsye ata sot e luftojnë planin dhe procesin që i sjellin Kosovës luftën dhe tmerret. Bartësit e këtij plani e të këtij procesi në Kosovë janë Grupi Negociator dhe Institucionet e Kosovës, si instrumente të UNMIK-ut e të prapavijës së tij. Si të tillë, këta bartës po i farkojnë Kosovës vargonj dhe luftëra të reja.
Duke marrë parasysh rolin dhe përgjegjësinë për situatën e krijuar, si dhe duke qenë përgjegjës për pakënaqësinë dhe shqetësimet e akumuluara të qytetarëve të Kosovës, pas skenës së Dhjetë Shkurtit në Prishtinë, Grupi Negociator do të duhej ta deklaronte dorëheqjen nga të gjitha funksionet. Kjo skenë me pasojat e saj i ka deligjitimuar përfundimisht edhe Qeverinë dhe Kuvendin e Kosovës. Pas kësaj reprize të terrorit milosheviqian, qeveria do të duhej të binte dhe kuvendi të shpartallohej, para se të detyrohen ta bëjnë një gjë të tillë. Pa këto institucione do të mbrohen më lehtë frytet e luftës çlirimtare të UÇK-së. Pa këto institucione, do të jetë më i vogël çmimi që shqiptarët do t’ia paguajnë të drejtës për vetëvendosje. Dy protestuesit e rënë në protestën e Dhjetë Shkurtit janë dy martirët e parë të luftës për mbrojtjen e fryteve të luftës, të arritura me gjakun e mbi 2000 dëshmorëve të UÇK-së. Ata janë dy dëshmorët e rënë për aspiratat e vetëvendosjes, të rënë nga armët e institucioneve të Kosovës dhe negociuesve të lirisë së saj.
Komiteti Drejtues i Grupit të Atdhetarëve Shqiptarë. 11.02.2006, Prishtinë

Kontrolloni gjithashtu

A. Vuçiq: Kryeministri Kurti, u detyra nga Gjermania e Shtetet e Bashkuara të Amerikës, për lejimin e mallrave serbe

Për heqjen e ndalesës së mallrave serbe në vetëm një pikëkalim kufitar në Merdare, presidenti …