Grupi i demokratëve kundër Lulzim Bashës me në krye Astrit Patozin kanë vazhduar turin e tyre të takimeve edhe në qytetin e Korçës, prej ku Patozi ka prezantuar edhe “Lëvizjen për ringritjen e PD”. Mes mbështetësve të kësaj lëvizje brenda PD,në sallën ku u zhvillua takimi kanë qenë edhe Ridvan Bode, Gjergji Papa dhe Eleina Qirici, 3 deputetët e PD. Teksa ka vendosur theksin tek dështimi i PD në zgjedhjet e 25 qershorit, duke vendosur përgjegjësitë kryesore tek lidershipi i kësaj force politike, Patozi tha se pavarësisht përgjegjësisë së Bashës për humbjen e thellë në këto zgjedhje, mes tyre duhet të ketë një bashkëpunim për një opozitë të fortë, por me kusht që zgjedhjet për kreun e PD të jenë një garë e vërtetë. “Futet në garë si kryetar, nuk lejon asnjë rregull loje për një garë të drejtë dhe të barabartë dhe thotë; ecim përpara se nuk na ka ndodhur ndonjë gjë e madhe. Kjo nuk mund të pranohet! Unë e kam të vështirë që të kuptoj, që i njëjti njeri që dy javë më parë ka ardhur këtu në Korçë dhe ka thënë, që po ju çoj drejt fitores, vjen prap për të bërë fushatë për vete këtë radhë dhe thotë; fitoren se arritëm, madje arritëm një humbje shumë të rëndë, por punë e madhe, vazhdojmë prapë bashkë”, deklaroi Astrit Patozi. Patozi nuk ka kursyer as komentet për Eduard Selamin kandidatura e të cilit, sipas tij ka shërbuer thjesht për të legjitimuar rezultatin e paravendosur të kësaj gare. “Dua të ftoj Eduard Selamin, që ka bërë një gabim shumë të rëndë që u fut në një garë pa rregulla dhe e tillë po rezulton, edhe prej atij vetë, por nëse nuk do që të hyjë në historinë e politikës shqiptare si një patericë e shëmtuar që shërbeu për të legjitimuar një fitore të vjedhur të kryetarit të PD, duhet të largohet nga kjo garë një minutë e më parë”, tha ai. Deputeti demokrat ka apeluar që demokratët të mos lejojnë që data 22 korrik të shënojë triumfin e arbitraritetit dhe shkërmoqjen e çdo shansi që PD të ringrihet.
Kontrolloni gjithashtu
Philip Reeker: Dialogu Beograd-Prishtinë nuk do të jetë prioritet për administratën e re të Trumpit
Ish-zëvendës Ndihmës Sekretari i Departamentit të Shtetit, Filip Riker, ka deklaruar se administrata e ardhshme …