Nga buxheti i shtetit vazhdojnë të dalin para për llogari të kompanisë amerikane “Patton Boggs”, pjesë e së cilës është ish-diplomati Frank Wisner, i përfshirë në procesin negociator për statusin e Kosovës, në vitin 2007.
Për “Patton Boggs”, të hënën janë ndarë 270 mijë euro, shkruan Koha Ditore.
Këto mjete janë destinuar nën arsyen e shlyerjes së obligimeve financiare ndaj kompanisë së kontraktuar për konsulencë. E deri tash ajo ka përfituar edhe shumë para të tjera nga buxheti i shtetit.
Kjo, për shkak që, përpos në lobim është angazhuar edhe për shërbime juridike në konteste pranë arbitrazhit që Kosova ka.
Avdullah Hoti, ministër i Financave, ka thënë se ndarja e mjeteve është bërë me kërkesë të Ministrisë së Punëve të Jashtme. Obligimet financiare ndaj “Patton Boggs”, sipas ministrit Hoti, dalin nga kontrata e datës 28 shkurt 2014, e nënshkruar nga kompania dhe nga MPJ-ja.