Lavdet e himnet që partitë politike po i thurin vetvetes dhe liderëve të tyre të ashtuquajtur historikë, në përvjetorin e 7-të të pavarësisë së Kosovës, janë lavde koti dhe kanë vlerën e kofinit pas të vjelave.
Se kush ishin ideatorët dhe liri-bërësit e vërtetë, këtë e dinë të gjithë shqiptarët liridashës të vendit dhe jo vetëm ata, por përpjekjet për t’i nxjerrë në sipërfaqe ideatorët e pacifizmit dhe gjoja meritat e tyre natyrisht se bëhen për qëllime ekzistenciale, partiake e politike.
Të pretendosh ta bindësh opinionin se Ibrahim Rugova paska qenë ideator i lirisë dhe pavarësisë, para Adem Demaçit dhe qindra liridashësve të dëshmuar të kombit, para Adem Jasharit dhe luftëtarëve të lirisë nga radhët e UÇK-së, është një përpjekje e mjerë, së cilës nuk i besojnë as vetë trumbetuesit e kësaj profke, por ata i përmbahen me fanatizëm përsëritjes së përditshme të gënjeshtrës, në mënyrë që ajo të duket e vërtetë.
Ku ishte Ibrahim Rugova kur Adem Demaçi, qysh në vitin 1963 kishte themeluar Organizatën Revolucionare për Bashkimin e Trojeve Shqiptare me Shqipërinë?
Nuk ishte shumë i ri Rugova asokohe, kishte një 20 vjet dhe ishte student, por nuk u gjet madje as rastësisht, në asnjë celulë të organizatës, e cila kishte shtrirë degët e veta po thuajse në të gjitha lokalitetet e vendit.
Ku ishte Ibrahim Rugova në vitin 1975, kur Adem Demaçi me ideatorët e lirisë e pavarësisë sërish u dënua 15 vjet burg, si Lider i Organizatës e cila kishte synim të parë dhe të fundit çlirimin e Kosovës dhe bashkimin e saj me Shqipërinë?
Rugova asokohe kishte pranuar me dashuri e vullnet librezën e Lidhjes Komuniste të Jugosllavisë dhe kishte filluar karrierën e tij, politike e letrare në Krahinën Autonome të Kosovës Metohisë.
Ku ishte Ibrahim Rugova në pranverën e vitit 1981, kur rinia e Kosovës dhe forcat e ilegales atdhetare me demonstrata masive dhe përpjekje për kryengritje gjithë-popullore kërkuan që Kosova të shpallej Republikë dhe të barazohej me republikat e tjera të ish-Jugosllavisë?
Asokohe, Rugova, përveç identifikimit me qëndrimet e LKJ-së lidhur me demonstratat, të cilat dënoheshin si kundërrevolucionare dhe në platformë të separatizmit shqiptar, do t’ ia zërë vendin në Institutin e Albanologjisë, profesor doktor, Rexhep Qoses, i cili nuk i kishte dënuar demonstratat dhe i kishte mbështetur kërkesat e tyre.
Ku ishte Ibrahim Rugova me sejmenët e pobratimët e tij në mars të vitit 1989, kur regjimi kriminal i Milosheviqit pezulloi edhe atë pak autonomi që i kishte mbetur Krahinës së Kosovës, të cilën e kishin vjelë, të gjithë sejmenët e kuq të jugosllavizmit?
Asokohe nga mbetjet e Lidhjes së Komunistëve të Jugosllavisë në Kosovë ishte themeluar Lidhjen e Demokratëve të Kosovës, të cilën e kishin regjistruar si parti politike në Beograd, me pretendime për ta fituar lirinë e pavarësinë duke pritur, duke udhëhequr e zbatuar një politikë durimtare, servile dhe krejt të nënshtruar ndaj Beogradit, duke kërkuar për çdo ditë nga shqiptarët që të mos e provokonin Serbinë. Duke komentuar sulmet ilegale të UÇK-së kundër policisë serbe dhe gjoja pamundësinë e Serbisë për t’ i zbuluar ata, Rugova kishte kërkuar që njësitë e Interpolit të zbarkonin në Kosovë dhe të arrestonin sulmuesit e panjohur. Më vonë UÇK-në e kishte quajtur dorë të zgjatur të regjimit serb.
Ku po bënte gjumin rehat Ibrahim Rugova në shkurt dhe mars të vitit 1998, kur Drenica ishte rrethuar me tanke e topa nga regjimi kriminal i Serbisë së Milosheviqit dhe kur Legjendari Adem Jashari me trimat e UÇK-së kishte shpallur verdiktin e lirisë dhe pavarësisë duke e vulosur atë me gjakun e 57 jasharëve të rënë e të martirizuar të Prekazit 22 nga radhët e familjes së Shaban Jasharit?
Ibrahim Rugova asokohe mbante zgjedhje të lira në Kosovë nën okupimin policor dhe ushtarak të Serbisë. Derisa në Drenicë e gjithandej në Dukagjin po binin trimat për liri, pacifistët e Rugovës në Prishtinë dhe në disa qytete të vendit, kishin krijuar rreshta të gjatë për të votuar Rugovën dhe politikën e tij të moderuar të urtë e pacifiste. Beogradi i Milosheviqit nuk i kishte penguar zgjedhjet e lira, improvizuese të Rugovës
Ku ishte Ibrahim Rugova gjatë tërë kohës së luftës së UÇK-së?
Si zakonisht, gjatë tërë kohës së luftës, ai mblidhej skrupull në vilën e tij, në Velaninë e velanisur nga robëria, pinte konjak, rrinte sus duke pritur mos po i pikë fati nga qielli. Kah fundi i luftës, para të gjithë kamerave të medieve të botës, u pa në Beograd, tërë shend e verë, me buzëqeshjen e tij karakteristike duke shtrënguar duart me kryekriminelin dhe kasapin e popujve të Ballkanit, Slobodan Milosheviq. Për më keq, ai kërkoi nga NATO-ja që t’ ia ndalte bombardimet Sodomës Serbi, e cila po bënte përpjekje t’i shfaroste dhe t’i dëbonte të gjithë shqiptarët nga Kosova.
Pse iku Rogova nga Prishtina e nga Beogradi në kohën kur Kosova po digjej në zjarrin e luftës dhe kur brenda ditës po binin qindra dëshmorë e martirë?
Rugova iku me qëllim për ta shpëtuar veten dhe familjen e tij. Në fillim bëri përpjekje që nga Beogradi të ateronte në Gjermani, por shteti gjerman nuk tregoi mikpritje për një lider ultra-pacifist, që kërkonte ta pranonin si kryetar të Kosovës. Meqë Gjermania nuk e priti, as i siguroi pozitë ashtu sikur dëshironte, ai shkoi te miku i tij, prifti i Shën Egjidios dhe u vendos së Itali, madje u pa dhe u fotografua edhe duke kryer verimet në plazhet e këtij shteti, në kohën kur në Kosovë po derdhej rrëke gjaku i lirisë dhe kur më shumë se 700 mijë shqiptarë ishin dëbuar dhunshëm nga trojet e tyre nën kërcënim për shfarosje kolektive.
Përse kur u kthye në Kosovën e çliruar nga UÇK-ja dhe NATO-ja Ibrahim Rugova nuk doli para medieve dhe nuk kërkoi falje, që kishte vajtur në Beograd dhe në Itali, nëse vërtetë kishte qenë peng i Milosheviqit?
Rugova nuk ishte i gatshëm të rrëfehej para popullit, as t’ i kërkonte falje për dështimet e tij. Ai nuk mund ta gënjente opinionin se kishte qenë peng i Milosheviqit, meqë nuk kishte asnjë fakt relevant dhe meqë gjatë tërë kohës së luftës, Vila e tij në Velani të Prishtinës ishte siguruar nga MUP-i i Serbisë dhe vetëm kalimi nëpër ato rrugë do të thoshte ballafaqim me vdekjen.
Prej vitit 1999 e deri në vdekjen e tij në vitin 2006, Ibrahim Rugova ka bërë edhe një mal me gabime të tjera, dhe, pretendimi për ta paraqitur ideator të Pavarësisë, vetëm me faktin se kishte kërkuar në mënyrë deklarative, që zgjidhja më e mirë për Kosovën do të ishte pavarësia si maksimum, duke lënë hapur mundësinë edhe për një zgjidhje tjetër, minus pavarësi, është pretendim i paqëndrueshëm dhe antihistorik.
Kjo ishte njëra anë e medaljes së Ibrahim Rugovës, pjesa krejt e errët e “ideatorit” i lirisë dhe pavarësisë së Kosovës. Për anën tjetër të medaljes le të flasin pacifistët, por me asnjë fakt, me asnjë argument nuk mund të mohohen disa nga këto argumente që i kemi paraqitur në këtë shkrim.
Për hir të së vërtetës, të gjitha dështimet e klasës së tij pacifiste nuk mund t’i adresohen vetëm atij, por në radhë të parë ato i përkasin tërë një klase servilësh të OZN-së, UDB-së e shërbimeve të tjera, të cilët ishin tubuar rreth tij dhe të cilët shpeshherë edhe ia zinin frymën, nuk ia varnin, ia punonin nën rrogoz dhe në ditët më të vështira të kohës së luftës, nuk iu gjeten pranë dhe nuk bënë përpjekje për ta nxjerrë nga humnera ku kishte rënë. Këtë e dinë më së miri rugovistët e vjetër, ata të cilët përfituan nën ombrellën e tij si para ashtu edhe gjatë dhe pas luftës. Klasa më e pasur e profiterëve dhe kapitalistëve të sotëm të Kosovës i takon radhëve të LDK-së. Këta, për shkaqe lehtë të kuptueshme i vardisën Rugovës edhe për së vdekuri, ndërsa ia kishin sharë shpirtin për së gjalli. Rugova ende u duhet kapitalistëve pacifistë, sepse nën hijen dhe “autoritetin e tij” ata po mbijetojnë, duke u identifikuar me improvizuesin e lirisë dhe të pavarësisë.
Ahmet Qeriqi
17. 2. 2015