Partia Demokratike këtë të shtunë e konsideroi përpjekjen e ish-kryeministrit Sali Berisha për të thyer dyert e godinës së selisë si një nga aktet finale të ish-kreut të kësaj partie, me veprimet e të cilit, u shënua edhe largimi i tij me turp nga skena politike.
“Për të ardhur keq ku përfundoi Sali Berisha, i njëjtë me Edi Ramën e 21 Janarit! Me një grusht njerëzish kërkon të marrë me dhunë Partinë Demokratike për ta kthyer në një bunker, ku të strehojë veten dhe familjen kundër interesit të demokratëve dhe të shqiptarëve!”, reagon PD.
Demokratët theksojnë se në gjithë këtë fatkeqësi për Sali Berishën, pamjet tregojnë se ai është braktisur nga demokratët, pasi po ndiqet nga 800 mercenarë në oborrin e PD-së, që ushtrojnë dhunë në këtë përpjekje të turpshme kundër demokratëve.
“Aktet e dhunës së sotme kundër Partisë Demokratike shënojnë izolimin final të Sali Berishës dhe largimin me turp nga skena politike”, thotë PD.
Tensioni brenda Partisë Demokratike po kap majat, ndërsa pamjet e Top Channel të ardhura nga terreni tregojnë se brenda godinës ka pasur hedhje të gazit lotsjellës.
Aktualisht, mbështetësit e ish-kryeministrit Sali Berisha, janë futur në pjesën e korridoreve të selisë blu, pasi kanë thyer xhamat në disa pjesë dhe kanë përdorur shkallët për të mundësuar mësymjen në godinë nga dritaret e katit të dytë.
Nga ana tjetër, vetë Berisha, i ka bërë thirrje mbështetësve të tij për durim, vetëpërmbajtje dhe për shkuarjen drejt fitores në këtë mënyrë.
Por, kjo nuk duket në veprimet e protestuesve, të cilët kanë shfaqur herë pas here edhe akte dhune.
Ndër to, ata kanë thyer edhe kamerat e sigurisë të vendosura në godinë prej pak ditësh.
Top Channel