Partia Demokratike e Kosovës, dega në Mitrovicë, ka reaguar sërish ndaj pushtetit komunal në këtë komunë, për siç u tha, keqqeverisje, skandale të ndryshme, keqmenaxhim të parasë publike, si dhe mashtrimit qytetarë, ndërsa akuzoi kryetarin Bahtiri se po bënë vetëm spektakle mediale. Valon Brahimi, sekretar i kësaj dege, gjatë një konference për media të mbajtur sot në Mitrovicë, ka potencuar tri çështje të moszbatimit të rregullave ligjore dhe obligimeve ndaj qytetarëve nga ana e kryetarit të komunës, Agim Bahtiri dhe drejtorit të Drejtorisë së Inspekcionit, Fidan Ademi. Ai përmendi edhe mosrrënimin e pompës së derivative afër hekurudhës, si dhe mos ndërprerjen e punës së gurthyesit në Kçiç të Madh, për të cilin tha se banorët e këtij lokaliteti kishin deponuar mbi 1 mijë nënshkrime. Ai u shpreh se PDK-ja në Mitrovicë mbështetë kërkesat dhe shqetësimet e banorëve kcicas të shprehura përmes peticioneve, ndërsa bëri thirrje që pushteti aktual të zbatojë ligjin dhe vendimet tjera të nivelit qendror, sidomos lidhur me gurthyesin në Kcic të Madh.
