Partia Demokratike e Kosovës denoncon mashtrimet dhe gënjeshtrat e kryeministrit të shkarkuar Albin Kurti ndaj qytetarëve të Kosovës lidhur me vendosjen e reciprocitetit me Serbinë. Si shumë vendime tjera, ai, rreth mesnatës, kishte publikuar një vendim gjysmak, qesharak e teknik për kinse reciprocitet të plotë ekonomik, tregtar dhe politik me Serbinë. Janë për keqardhje veprimet populiste e vendimet qesharake të një kryeministri të shkarkuar, i cili në ditët e fundit të tij në krye të qeverisë, ka vënë në lajthitje seriozitetin e shtetit të Kosovës dhe po luan me ndjenjat e sinqerta të qytetarëve të Kosovës. Bilanci negativ i mashtrimeve të këtij Kryeministri të shkarkuar, vetëm disa orë pasi Gjykata Kushtetuese konstatoi se ka shkelur Kushtetutën – janë pamja më e qartë e pazotësisë së tij dhe dëmit që po i bën Kosovës. PDK-ja shtron disa pyetje publike e tema për Kryeministrin e shkarkuar, i cili para marrjes së vendimit qesharak të reciprocitetit dhe heqjes së tarifës do të duhej ti shqyrtonte.
- Cila do të jetë masa e reciprocitetit të Kryeministrit të shkarkuar ndaj fushatës negative të diplomacisë së Serbisë ndaj njohjeve të Kosovës?
- Çfarë masa reciprociteti ka paraparë Kryeministri shkarkuar ndaj preambulës së Kushtetutës së Serbisë ku thuhet se “Kosova është pjesë e Serbisë”
- A u vendos masë reciprociteti ndaj njohjes së diplomave sikurse Serbia bën ndaj shqiptarëve të Luginës së Preshevës?
- A u anulua vendimi i dëmshëm serb për verifikimin dhe anulimin e adresave të banorëve shqiptarë në Serbi?
- A u ndal presioni ndaj komunitetit serb në Kosovë, veçmas ndaj pjesëtarëve serbë të FSK-së? Çfarë masa reciprociteti ka paraparë këtu?
- Apo e zbaton marrëveshjen për IBM, dhe funksionalizimin e katër pikëkalimeve të përhershme kufitare të ndërtuara me fondet e BE-së, të cilin Serbia e mban të bllokuar?
- A filloi zbatimi i reciprocitetit për targat e automjeteve?
- A filloi zbatimi i reciprocitetit për dokumentet e udhëtimit dhe heqja nga përdorimi i targave ilegale në Kosovë?
- Cila do të jetë masa e reciprocitetit në raport me arrestimet e shtetasve të Kosovës dhe mbajtjen e tyre në burgjet e Serbisë?
- Çfarë masa reciprociteti do të vendos ndaj Serbisë për çështjen e të pagjeturve dhe kthimin e trupave në Kosovë?
PDK-ja konsideron se kryeministri shkarkuar Kurti nuk e ka seriozisht reciprocitetin e as tarifat, por vendimi i djeshëm ishte një lojë dhe mashtrim i radhës ndaj qytetarëve dhe partnerëve ndërkombëtarë, e veçmas Shteteve të Bashkuara të Amerikës, të cilat janë të qarta në kërkesat e tyre. Ne ftojmë qeverinë të luaj rolin e vet kushtetues të kujdestarit, veçmas në ballafaqimin me pandeminë e virusit COVID-19 dhe ndihmën emergjente ndaj ekonomisë së vendit.