Partia Demokratike e Kosovës zyrtarisht të mërkurën ka deponuar në Kuvendin e Kosovës kërkesën për themelimin e Komisionit Hetimor Parlamentar për procesin e privatizimit në Kosovë. Kërkesa zyrtare e nënshkruar nga deputetët e kësaj partie, erdhi disa ditë pas paralajmërimeve të kryetarit të PDK-së, Kadri Veseli për fillimin e një sërë iniciativash parlamentare në Kuvendin e Kosovës. Siç njofton kumtesa nga PDK-ja, në kërkesën e deponuar në Kuvend, thuhet se deputetët parashtrues të PDK-së theksojnë nevojën e madhe të zhvillimit të këtij hetimi. Kjo parti konsideron se ky hetim i mundshëm parlamentar nuk është kundër procesit të privatizimit apo qytetarëve, ndërmarrësve dhe bizneseve që kanë privatizuar në mënyrë ligjore dhe të rregullt duke kontribuar në zhvillimin ekonomik të vendit.
