Partia Demokratike e Kosovës, ka fituar betejën ligjore ndaj Zyrës së Rregullatorit të Energjisë dhe Qeverisë Kurti, për ta parandaluar shtrenjtimin e çmimit të energjisë elektrike për qytetarët e Republikës së Kosovës. Gjykata Themelore në Prishtinë, ka marrë vendim për pezullimin e zbatimit të vendimit të ZRRE-së për shtrenjtimin e energjisë. Nëpërmjet vendimit të saj, Gjykata konstatoi se ekzekutimi i vendimit të ZRRE-së do të shkaktoj dëm të pariparueshëm për qytetarët dhe se ky dëm do të manifestohet në aspektin financiar, përkatësisht në vështirësitë e qytetarëve që të përballojnë pagesën e faturave me tarifat e reja të energjisë elektrike, ngritja e të cilave është vështirë e përballueshme të mbulohet nga qytetarët, veçanërisht për faktin e rritjes enorme të çmimeve në shumë produkte esenciale të shportës familjare. Shefi i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës, Abelard Tahiri, ka thënë sot në konferencë për media se pas një pune të madhe bashkë me ekipin e profesionistëve të PDK-së, është arritur një fitore e madhe për pezullimin e vendimit të padrejtë të ZRRE-së për shtrenjtimin 100 përqind të energjisë elektrike për qytetarët e Kosovës.
“Gjatë kësaj periudhe të krizës energjetike, kemi pasur një angazhim jashtëzakonisht të madh që ta argumentojmë para Gjykatës që vendimi i Qeverisë Kurti dhe ZRRE-së ishte i kundërligjshëm dhe i dëmshëm për qytetarët e Kosovës. Ky vendim i Gjykatës, dëshmon se kompetenca dhe dija triumfojnë ndaj jo kompetencës dhe padijes”, ka theksuar Abelard Tahiri.Deputeti i PDK-së, Ferat Shala, njëherësh kryetar i Komisionit Parlamentar për Ekonomi, Tregti, Industri dhe Ndërmarrësi, tha se ky vendim i Gjykatës dëshmon se Qeveria ka marrë vendime shumë të dëmshme për qytetarët në kohën e krizës energjetike, andaj ai paralajmëroi se shumë shpejt do të themelohet Komisioni Hetimor Parlamentar ku do të zbardhen të gjitha keqpërdorimet e qeverisë me fondet publike në kohën e krizës energjetike. “Vendimi i Gjykatës ka rilegjitimuar të gjitha kërkesat e Grupit Parlamentar të PDK-së për ndërhyrjet politike dhe pabarazinë në procesin e faturimit. Ky vendim I Gjykatës është argument shtesë për themelimin sa më parë të Komisionit Hetimor Parlamentar për ta hetuar gjithë keqmenaxhimin e qeverisë gjatë krizës energjetike”, tha Ferat Shala.