Partia Demokratike e Kosovës edhe zyrtarisht e ka shpallur të hapur procesin e zgjedhjeve të brendshme në Forumin e Gruas. Në një takim të mbajtur mes Kryetarit të partisë, Kadri Veseli dhe strukturave të tjera drejtuese të partisë, ky proces u konsiderua i domosdoshëm për forcimin e mëtutjeshëm të gruas në jetën publike. “PDK-ja gjithnjë ka qenë e angazhuar për rolin e gruas në vendimmarrje brenda partisë dhe do ta kemi prioritet të vazhdueshëm, duke krijuar hapësirë për gratë në PDK. Kjo do të krijonte hapësirë për një proces demokratik e përmbajtësor dhe forcim të rolit të gruas në vendimmarrje”, ka thënë Veseli.
Kurse udhëheqësja e Departamentit për Politika Gjinore në PDK, Blerta Deliu Kodra u bëri thirrje grave dhe vajzave që të bëhen pjesë aktive e këtij procesi zgjedhor në Gruan Demokratike.
Ndërkaq, sekretari i përgjithshëm i PDK-së, Uran Ismaili, theksoi se misioni për përfaqësim të gruas është mision për zhvillim shoqëror. “Një shoqëri pa përfaqësim të grave është ose jo demokratike ose e pazhvilluar ekonomikisht, prandaj PDK e ka këtë mision, për demokracinë dhe për zhvillimin shoqëror”.