Anëtarët e Kryesisë së Kuvendit të Kosovës janë takuar sot me kërkesë të Grupit Parlamentar të PDK-së, të cilët kanë kërkuar që në një seancë të veçantë të Kuvendit të diskutohet për rastin e dënimit të eprorëve dhe ushtarëve të UÇK-së në “Grupin e Drenicës”. Kjo informatë është publikuar zyrtarisht nga zyra për media e Kuvendit të Kosovës. Shqyrtimi i kërkesës për mbajtje të seancës së jashtëzakonshme do të ketë këtë rend dite: Debat për vlerat e UÇK-së në raport me situatën e krijuar. Ndërkaq, në seancën e nesërme ky do të jetë rendi i ditës:
- Koha për deklarime jashtë rendit të ditës,
- Koha për pyetje parlamentare,
- Miratimi i procesverbalit nga seanca e mëparshme,
- Propozim-Deklarata e Kuvendit të Republikës së Kosovës adresuar Unionit Europian për liberalizimin e vizave,
- Shqyrtimi i parë i Projektligjit nr.05/L-118 për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit nr. 04/L-139 për procedurën përmbarimore,
- Shqyrtimi i parë i Projektligjit nr. 05/L-119 për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit nr. 05/L-043 për faljen e borxheve publike,
- Shqyrtimi i dytë i Projektligjit nr. 05/L-110 për kamatë-vonesat në transaksionet tregtare,
- Shqyrtimi i dytë i Projektligjit nr. 05/L-024 për Shërbimin Mjekësor Emergjent,
- Shqyrtimi i dytë i Projektligjit nr. 05/L-066 për profesionet e rregulluara në Republikën e Kosovës,
- Emërimi i anëtarëve të Bordit të Autoritetit Rregullativ të Hekurudhave,
- Zgjedhja e 1 (një) anëtari të Këshillit Prokurorial të Kosovës (votim i fshehtë),
- Zgjedhja e kryesuesit të Komisionit Shqyrtues në Autoritetin Rregullator për Shërbimet e Ujit (votim i fshehtë),
- Zgjedhja e zëvendësdrejtorit të Autoritetit Rregullator për Shërbimet e Ujit (votim i fshehtë),
- Zgjedhja e 1 (një) anëtari të Bordit të Komisionit të Pavarur për Medie (votim i fshehtë),
- Formimi i Komisionit ad hoc për përzgjedhjen e 1 (një) anëtari në Bordin e Ankesave të Komisionit të Pavarur për Medie,
- Formimi i Komisionit Hetimor Parlamentar, sipas kërkesës së deputetes Shqipe Pantina, mbështetur edhe nga 8 (tetë) deputetë të tjerë nga Grupi Parlamentar i Lëvizjes “Vetëvendosje” lidhur me Radiotelevizionin e Kosovës,
- Debati parlamentar sipas kërkesës së deputetes Margarita Kadriut-Ukelli, mbështetur edhe nga 9 (nëntë) deputet tjerë nënshkrues lidhur me detyrimet e mundshme financiare të Kosovës për pretendimet e kompanive që kanë ushtruar padi në Gjykatën Ndërkombëtare të Arbitrazhit.