PDK-ja në Prishtinë ka ushtruar një kallëzim penal për punësimet e kundërligjshme nga Vetëvendosja në komunën e Prishtinës

PDK-ja në Prishtinë ka ushtruar një kallëzim penal për punësimet e kundërligjshme nga Vetëvendosja në komunën e Prishtinës

Partia Demokratike e Kosovës, dega në Prishtinë, ka deponuar një kallëzim penal kundër qeverisjes së Shpend Ahmetit për punësimet partiake të afër 500 aktivistëve të Vetëvendosjes në administratën e Komunës së Prishtinës, bëhet e ditur përmes një komunikate për media. “Këtë kallëzim penal kundër Shpend Ahmetit dhe disa drejtorëve të tij, përfshirë edhe ish-sekretarin e Vetëvendosjes, Dardan Molliqaj, i cili dyshohet se me listë ka punësuar militantë të partisë, dega e PDK-së së Prishtinës e kanë deponuar në Prokurorinë Speciale”, thuhet në komunikatën e degës së PDK-së Në Prishtinë.

“Për shkak të dyshimit të bazuar se kanë kryer veprat penale Krim i Organizuar nga neni 283, paragrafi 1, lidhur me nenin 422, paragrafi 1 dhe 2 nënparagrafi 2.1 të KPRK-së, ku me dashje direkte dhe me vetëdije, me qëllim të ushtrimit të veprimtarisë së kundërligjshme të grupit të organizuar kanë krijuar favore për persona të caktuar në kundërshtim me nenin 12, paragrafin 4 të Ligjit për Shërbyesit Civil nr. 03-L149, duke mos zbatuar procedurën e rekrutimit – konkursin publik kanë bërë punësime të kundërligjshme. Në vitin 2015 kanë bërë punësimin në mënyrë të kundërligjshme të 276 personave dhe në vitin 2016 kanë bërë punësimin në mënyrë të kundërligjshme të 210 personave. Gjatë kësaj periudhe, duke kryer vepra penale, kanë bërë punësimin e gjithsej 486 personave”, thuhet në kallëzimin penal të PDK-së së Prishtinës.

Sipas PDK-së nga këto veprime të kundërligjshme, sipas raporteve zyrtare, dëmi i shkaktuar ndaj buxhetit të Republikës së Kosovës është rreth dy milionë e treqind mijë euro.

Sipas degës së PDK-së së Prishtinës, duke mos lejuar konkurrencën në mënyrë të ligjshme, të dyshuarit kanë privuar qytetarët e tjerë që të aplikojnë për pozitat e caktuara dhe me këtë kanë rënë ndesh dhe kanë shkelur nenin 422, paragrafi 1 dhe 2, nënpargrafin 2.1, lidhur me nenin 222, paragrafi 1 të KPRK-së, që të krijojnë favore për:

– Zana Gojani, e cila realizon pagë mujore prej 407 euro në muaj, aktiviste e Vetëvendosjes;

– Besnik Mujeci, me pagë mujore prej 340 euro, aktivist i Vetëvendosjes dhe tani kandidat për Asamblenë Komunale të Prishtinës;

– Lydra Hoxha, me pagë mujore 301 euro, aktiviste e Vetëvendosjes;

– Patrik Domi, me pagë mujore 344 euro, aktivist i Vetëvendosjes;

– Mirlinda Batusha, me pagë mujore 301 euro, aktiviste e Vetëvendosjes;

– Fortesa Bryma, me pagë mujore prej 260 euro, aktiviste e Vetëvendosjes;

– Arbër Sejdiu, me pagë mujore 300 euro, aktivist i Vetëvendosjes;

– Kushtrim Dakaj, me pagë mujore prej 398 euro, aktivist i Vetëvendosjes;

– Dardan Osmanaj, me pagë mujore prej 301 euro, aktivist i Vetëvendosjes;

– Visar Haxhibeqiri, me pagë mujore prej 350 euro, aktivist i Vetëvendosjes dhe anëtar i Këshillit të Përgjithshëm të Vetëvendosjes, Dega në Gjakovë;

– Adelina Krasniqi, me pagë mujore prej 301 euro, aktiviste e Vetëvendosjes;

– Rina Govori, me pagë prej 348 euro, aktiviste e Vetëvendosjes;

– Erzen Vraniqi, me pagë mujore prej 465 euro, ish-zëdhënës i Vetëvendosjes dhe aktivist i saj;

– Arbër Hamidi, me pagë prej 407 euro, aktivist i Vetëvendosjes;

– Drilon Pireva, me pagë prej 348 euro, aktivist i Vetëvendosjes;

– Arbnora Berisha, me pagë prej 301 euro, aktiviste e Vetëvendosjes;

– Fatime Ahmeti, me pagë mujore prej 301 euro, aktiviste e Vetëvendosjes;

– Kastriot Nebihu, me pagë mujore prej 303 euro, aktivist i Vetëvendosjes;

– Albon Rexhepi, me pagë mujore prej 254 euro, aktivist i Vetëvendosjes;

– Faton Zeka, me pagë mujore prej 300 euro, aktivist i Vetëvendosjes;

– Premtim Bajraktari, me pagë mujore prej 300 euro, aktivist i Vetëvendosjes, si dhe qindra aktivistë e militantë të tjerë sipas Raportit Financiar të Auditimit të Komunës së Prishtinës për vitin 2015 dhe 2016.

Personat e dyshuar, sipas PDK-së, i kanë pasur rolet e ndara në atë mënyrë që i dyshuari Shpend Ahmeti, në bazë të preferencave partiake, ka pranuar emrat e militantëve partiakë nga zyrtarët e Vetëvendosjes dhe pastaj në diskutim dhe marrëveshje me të dyshuarit e tjerë i kanë sistemuar në pozita kyçe në Komunën e Prishtinës, me qëllim që të sigurohen se të gjitha shërbimet që kryhen brenda komunës të jenë të kontrolluara nga partia e tyre.

Bazuar në të lartshënuarit, PDK-ja konsideron se janë përmbushur të gjitha elementet e veprës penale të krimit të organizuar.

“Sot e bëmë kallëzimin e parë penal kundër qeverisjes klienteliste dhe të korruptuar të Vetëvendosjes në Prishtinë. Këtë radhë u përcaktuam në kallëzimin penal për punësimet partiake të afër 500 aktivistëve të Vetëvendosjes. Javëve të ardhshme do të deponojmë edhe kallëzime të reja penale për keqpërdorimet e tjera që ne i kemi denoncuar publikisht. Në të njëjtën kohë, ne do të vazhdojmë të denoncojmë publikisht edhe keqpërdorime të tjera të tyre, të cilat bashkë me qytetarët që i falënderojmë shumë për bashkëpunimin me degën e PDK-së në Prishtinë, çdoherë e më shumë po arrijmë t’i zbulojmë dhe faktojmë”, ka thënë sekretari i degës së PDK-së në Prishtinë, Bujar Cakolli.

Të bashkëngjitur në këtë kallëzim penal, PDK-ja e Prishtinës si prova ka deponuar edhe raportet e auditimit financiar vjetor të Komunës së Prishtinës për vitet 2015 dhe 2016, si dhe publikimet politike të këtyre aktivistëve të nxjerra nga rrjetet sociale, që dëshmojnë se këta persona të punësuar janë aktivistë të Vetëvendosjes.

Avokati Skender Musa është i autorizuari i PDK-së për mbrojtjen e këtij kallëzimi penal për abuzimet e qeverisjes së Vetëvendosjes në Komunën e Prishtinës.

 

Kontrolloni gjithashtu

Albin Kurti: Brukseli dhe Uashingtoni bënë padrejtësi ndaj Kosovës duke i vendosur masa ndëshkuese

Albin Kurti, në një intervistë për median zvicerane “NZZ”, thotë se Perëndimi po tregohet ‘shumë naiv’ me Beogradin zyrtar

Albin Kurti,  në një intervistë për median zvicerane “NZZ”, thotë se Perëndimi po tregohet ‘shumë naiv’me …