Ri-formatimi i kabinetit qeveritar të Isa Mustafës duket se nuk do të ndodhë edhe për disa kohë. Partia Demokratike e Kosovës, si subjekti kryesor i koalicionit qeverisës, nuk do të pranojë ri-formatim të pjesshëm të Qeverisë. Subjekti i drejtuar nga Kadri Veseli kërkon që të gjithë partnerët e koalicionit në pushtet të preken nga formatimi. Ministri i Drejtësisë dhe nënkryetari i PDK-së, Hajredin Kuçi ka bërë të ditur se për këtë çështje do të vendoset ndërmjet kryetarëve të partive kryesore që e drejtojnë Ekzekutivin. Jo-zyrtarisht mësohet se kërkesa për ri-formatim kanë shprehur edhe ambasadorët e huaj të cilët nuk janë të kënaqur nga performanca e gjertanishme e Qeverisë së drejtuar nga Isa Mustafa.
