Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës, Abelard Tahiri dhe kryetari i Komisionit për Ekonomi, Industri, Ndërmarrësi dhe Tregti, Ferat Shala, në një konferencë për media kanë prezantuar fakte që dëshmojnë se Kosova më shumë po eksporton sesa po importon energji elektrike, ndërkohë që qytetarët po detyrohen ta paguajnë energjinë e shpenzuar mbi 100 për qind më shtrenjtë. Kryetari i GP të PDK-së, Abelard Tahiri tha se gjatë dy muajve të fundit PDK ka qenë jashtëzakonisht insistuese në kërkesën e saj për themelimin e Komisioni Hetimor për të zbardhur të vërtetën për të gjitha çështjet rreth furnizimit me energji elektrike që nga dhjetori i vitit 2021. “Sot do t’i lëmë anash të gjitha argumentet tona politike dhe do të flasim vetëm me numra, do ta japim një pasqyrë të qartë para qytetarëve të Republikës së Kosovës për gjendjen reale të shpenzimit të energjisë elektrike në Kosovë dhe nevojën për import “, theksoi Tahiri. Ai tha se nga këto të dhëna zyrtare shihet se prodhimi i energjisë elektrike në Kosovë e ka mbuluar kërkesën për konsum në muajt shkurt, mars dhe prill. “Në anën tjetër janë dyfishuar tarifat, janë ndarë 100 milionë euro për subvencionim. Pra ku po shkojnë këto mjete? Kjo po na intereson neve, kjo i intereson Komisionit Hetimor dhe qytetarëve të Kosovës.”, potencoi Tahiri.
PDK i ka bërë thirrje Lëvizjes Vetëvendosje dhe kryeministrit Kurti që të enjten mos ta bllokojnë themelimin e Komisionit Hetimor për energjinë.Ndërkaq, deputeti dhe Kryetari i Komisionit Parlamentar për Ekonomi, Industri, Ndërmarrësi dhe Tregti, Ferat Shala, tha se shifrat dhe faktet tregojnë më së miri arsyeshmërinë e kërkesës së vazhdueshme për themelimin e Komisionit Hetimor për menaxhimin e krizës energjetike. “Si parti, si Grup Parlamentar dhe komision, kemi kërkuar që urgjentisht të formohet komisioni hetimor. Këto kërkesa nuk do të ndalen, përkundrazi, do të shtohen. Qytetarët e meritojnë të dijnë të vërtetën. Pse po bllokohet themelimi i Komisionit hetimor nga Qeveria?”, tha Shala. Më tej, ai shtoi se kjo situatë dëshmon edhe paaftësinë e kësaj qeverie për tu marrë me këtë problematikë. “Kjo situatë tregon edhe paaftësinë institucionale në menaxhimin e krizës me energjinë, keqmenaxhimin e skajshëm të sektorit energjetik dhe së fundmi, dëshmon haptasi edhe tentimin e Qeverisë për të fshehur të vërtetën në lidhje me këtë çështje.”, tha deputeti Ferat Shala.