Partia Demokratike e Kosovës dënon deklaratat skandaloze të Kryeministrit të shkarkuar, Albin Kurti dhe zëvendësit të tij, Haki Abazi për situatën në veri të vendit. Kryeministri, duke folur kudo e kurdo për gjakderdhjen përmes një diskursi të frikshëm që ka përzgjedhur, po e rëndon edhe më shumë situatën në ditët më të vështira e të frikshme të shqiptarëve në përballje me pandeminë.
Ai del me paralajmërime për konflikt, pak ditë pas kërcënimit për vëllavrasje nga bashkpartiaku i tij, kryetari i Mitrovicës, Agim Bahtiri.
Në një video-mesazh për konflikt me fjalët do “të derdhet gjaku jonë “ dhe duke thënë ruani “gjakftohtësinë e mos bini në kurthin e tyre “ Kryeministri po përpiqet që t’i frikësoj qytetarët që të heshtin përpara papërgjegjshmërisë e paaftësisë dhe dështimit të tij për t’i ndal qindra zyrtarë serbë të futur në veri gjatë ditëve të fundit.
Jo vetëm kaq, ai u dorëzua edhe para vendimit të Serbisë për të vendosur orën policore në katër komunat e veriut si dhe karantinimin nga Beogradi të dy komunave të veriut.
Deklarata e kryeministrit të shkarkuar Kurti për situatë nën kontroll në veri të vendit u tradhëtua nga zëvendësi i tij, Haki Abazi, i cili e shpalli veriun të ndarë nga Kosova.
Kjo është deklarata e parë dhe do të mbetet e vetme e një zyrtari të lartë të qeverisë së Kosovës që deklaron se veriu është i ndarë.
PDK konsideron se qeveria e shkarkuar po vazhdon të tallet me qytetarët, dhe veçmas me banorët shqiptarë të ngujuar e të frikësuar në veri të vendit. PDK do të angazhohet me tërë kapacitetin e saj politik e institucional për ta ndalë degradimin e mëtejshëm të kësaj qeverie në ikje që po shkon në dëm të shtetit dhe, në veçanti, të pjesës veriore të Republikës së Kosovës.