Kryetari i Grupit Parlamentar të PDK-së, Abelard Tahiri, sot, përmes një konference për media, ka thënë se mirëpret vendimin e Gjykatës Kushtetuese për ta shpallur të pavlefshëm Ligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Këshillin Prokurorial të Kosovës, pas kërkesës dhe vërejtjeve që PDK i ka dorëzuar.
Përmes këtij vendimi, Tahiri ka thënë se është mbrojtur rendi kushtetues i vendit tonë nga tendencat e Qeverisë dhe Kryeministrit Kurti për ta vënë nën kontrollë Këshillin Prokurorial të Kosovës. “Synimi i Qeverisë dhe Kryeministrit Kurti ka qenë i qartë. Cënimi i integritetit dhe profesionalizmit të Këshillit Prokurorial të Kosovës – në kuadër të fushatës së tyre për të nënshtruar të gjitha institucionet e pavarura të vendit. Fatmirësisht, përmes vendimit të saj, Gjykata Kushtetuese na dha të drejtë në argumentimin tonë dhe e rrëzoi këtë vendim si anti-kushtetues. Ky zhvillim përbën një lajm të mirë për drejtësinë dhe për pavarësinë e Zyrës së Prokurorit të Shtetit, të cilën zyre, Albin Kurti u përpoq ta vendosë nën diktatin e tij, e që me vendimin e djeshëm, dështoi që ta bëjë një gjë të tillë”, ka thënë Tahiri.
Më tej, Kryetari i Grupit Parlamentar të PDK-së ka thënë se Kushtetuta, si bazament i parimeve të drejtësisë, nuk mund dhe nuk do të lejojnë kurrë që të shkelet nga pretendimet uzurpuese të pushtetit.
“Ngjashëm si në këtë rast, do ta kundërshtojmë secilën nismë qeveritare që synon t’ia nënshtrojë të drejtën diktatit të një njeriu dhe qëllimeve autoritare të këtij pushteti”, ka thënë Tahiri.
Ndërkohë, avokati i PDK-së Faton Fetahu, si hartues i këtij rasti në Gjykatën Kushtetuese, ka thënë se parasegjithash, kjo nuk është një beteje e fituar nga Grupi Parlamentar, por është një beteje e fituar nga qytetarët e Kosovës.
“Katër nenet të cilat ne i kemi kontestuar, të cilat me saktësi i konstatoi Gjykata Kushtetuese, e të cilat rezultuan me shkeljen e gjashtë neneve të Kushtetutës, preknin në thelb funksionimin e rendit tonë kushtetues. Prandaj, kjo fitore është fitore e të drejtës tonë kushtetuese përballë përpjekjeve të Qeverisë për të ndërhyrë, për ta kapur dhe nënshtruar Këshillin Prokurorial”, ka thënë Fetahu.
Ai ka sqaruar se në projektligjin i cili tashmë është rrëzuar, ka pasur një dispozitë e cila jo vetëm që zvogëlonte numrin e anëtarëve aktual të Këshillit Prokurorial, por, nga shtatë anëtarë të propozuar, dy prej tyre do t’i zgjidhte shumica parlamentare sipas këtij ligji.
“Kjo dyshe, e zgjedhur nga shumica parlamentare, do të kishte një fuqi mbizotëruese nga votat e anëtarëve të tjerë, në mënyrë që: Votimi për Kryeprokuror, votimi për avancimin, shkarkimin, largimin, transferimin, degradimin e prokurorve të merrej vetëm nga kjo dyshe”, ka thënë Fetahu.
Në fund, Fetahu tha se përmes kësaj fitoreje, Këshilli Prokurorial i Kosovës, si institucion i pavarur i drejtësisë, nuk do të ketë raport as vartësie e as varësie me shumicën parlamentare ose me pushtetin – sepse pushtetet janë të ndara dhe kjo u vërtetua dhe zbatua, fatmirësisht, edhe përmes këtij aktvendimi të Gjykatës Kushtetutese.