Kopshtet dhe çerdhet e fëmijëve, janë faktorët kryesorë, në edukimin e hershëm të fëmijëve, që pastaj kur të shkojnë në shkollë të jenë sa më të pregatitur.
Qasja në kopshte dhe çerdhe, pra në shkollimin e hershëm, vlerësohet me rëndësi të veçantë për dhënien e shanseve të barabarta, për fëmijët drejtë edukimit, socializimit, marrjes së njohurive për një shoqëri të shëndoshë e të emancipuar, dhe kjo e drejtë i takon secilit fëmijë, në një vend normal e demokratik, si një e drejtë e patjetërsueshme.
Në projektligjin e buxhetit për vitin 2017, janë ndarë mjete nga buxheti i shtetit, dhe pjesa tjetër nga IPA-2, ku kostoja finale ka qenë 1 milion e 800 mijë euro, për ndërtimin e kopshteve dhe çerdheve publike në Prizren, për të cilën është arritur edhe një memorandum bashkëpunimi, mes Ministrisë së Arsimit dhe Komunës së Prizrenit.
Të dyja këto projekte, janë filluar së realizuari gjatë mandatit 2014-2018 të PDK-së, që i bie se përveç kapitalizimit të projekteve të këtyre projekteve të PDK-së, z. Haskuka krejt çka ka premtuar për ndërtimin e çerdheve dhe kujdesin e shtuar ndaj edukimit të hershëm, janë vetëm premtime fushatash e asgjë tjetër.
Gjatë fushatës parazgjedhore për kryetar të Komunës së Prizrenit, z. Haskuka kishte premtuar se do t’i ndërtonte 4 çerdhe publike të fëmijëve, që do të kenë kosto të përballueshme për qytetarët.
Gjendja aktuale është kjo:
Flitet se në Prizren operojnë mbi 35 çerdhe, por atë që ne e dijmë deri më tani, është se në Prizren ekzistojnë dhe janë të licencuara 18 çerdhe.
Mosekzistimi i çerdheve publike, përveç kostos që duhet të paguajnë familjet në çerdhe private, ka për pasojë edhe çështjen e cila është më e rëndësishme se sa kostoja, e kjo është mënyra se si trajtohen dhe edukohen fëmijët e Komunës së Prizrenit.
Nuk ka dëshmi lidhur me programet e atyre çerdheve, prandaj nuk dihet se kush mirret me edukimin e fëmijëve dhe çfarë kualifikime kanë ata persona. Nuk dihet se çka mësojnë fëmijët në ato çerdhe.
Të kthehemi tek premtimet e VV-së dhe kryetarit Haskuka, të bëra gjatë fushatës, ku aso kohe në debatin për Prizrenin ne “Debat D” ai kishte deklaruar, citojmë:
“Ne planifikojmë t’i ndërtojmë katër çerdhe publike, të cilat nuk ekzistojnë në qytetin tonë. Kemi vetëm çerdhe private, kostoja e së cilës shkon 80 ose 90 euro për një fëmijë gjatë muajit. Këto do të ndërtohen në partneritet me komunitetin, gjë e cila do të ngriste cilësinë në arsim, sepse qasja në shkollë direkt pa kaluar nëpër çerdhe, shkakton probleme më të mëdha në shkollim” .
Çka ka ndodhur ndërkohë që nga viti 2017 ?
E dijmë se Komuna e Prizrenit më 12 dhjetor të vitit 2018, ka vënë gurthemelin e çerdhes së parë publike në qytet, e cila është investim i Ministrisë se Administratës Publike.
Zëdhënësi i Komunës së Prizrenit, ka thënë për KALLXO.com, citojmë:
“Deri më tani kanë filluar punimet për ndërtimin e dy çerdheve publike, e para ajo në lagjen “11 Marsi” pranë shkollës “Lekë Dukagjini” dhe e dyta në lagjen ‘’Bajram Curri’’ projekt i përbashkët me Ministrinë e Administratës Publike.
Këto çerdhe akoma nuk janë funksionale, apo të paktën ne nuk e dijmë, sepse nuk është bërë publike, por po besojmë se po të kishin përfunduar punimet, komuna do të përfitonte nga rasti për t’i publikuar me pompozitet ashtu siç vepron shpesh pa arsye !
Konstatimi ynë:
Këtu kemi të bëjmë me mungesë të kapaciteteve institucionale, për menaxhim të projekteve të komunës, e që kjo mungesë tërhek pas veti shumë pasoja tjera;
Eshtë pasojë e kësaj mungese paaftësia për t’i shpenzuar mjetet buxhetore të komunës.
Nga aspekti i familjeve prizrenase pasojat janë:
Kostoja e lartë që familjet duhen përballuar;
Pasiguria se kush po i edukon fëmijët tanë;
Pasiguria se çfarë ushqimi marrin fëmijët në ato çerdhe;
Shëndeti i fëmijëve mund të rrezikohet;
Pregatitja jo e mirë dhe jo e mjaftueshme e fëmijëve për shkolla.
Nga aspekti politik vërehet një hipokrizi e VV-së, e cila depërton tek publiku i gjërë përmes paaftësisë, që t’i mbajnë premtimet dhe arroganca që për këtë akoma të fajësojnë partinë opozitare PDK-në, shoqërinë civile, organet e drejtësisë, mediat etj.
A është ky ndryshimi, i cili me aq pompozitet ishte premtuar nga koalicioni VV – LDK !!!