PDK

PDK: Nga dështimet e Qeverisë Kurti me pandeminë, mbi 1 miliard euro humbjet në ekonomi dhe mijëra vende pune më pak

Partia Demokratike e Kosovës ka bërë përgjegjës Qeverinë Kurti në ikje për keqmenaxhim të situatës ekonomike gjatë kohës së pandemisë. Ajo u tregua e paaftë, jo efikase dhe dështoi karshi nevojave të ekonomisë së vendit.  Në konferencën për media, eksperti për ekonomi i PDK-së, Blerand Kadrijaj, ka listuar një varg dështimesh, duke ofruar po ashtu edhe rekomandimet konkrete si të dilet nga kjo situatë.

Kjo është deklarata e plotë:

Qeveria tani më e shkarkuar Kurti, e përbërë nga Lëvizja Vetëvendosje dhe Lidhja Demokratike e Kosovës, për shkak të keq-menaxhimit të buxhetit, e sidomos Pakos Emergjente financiare gjatë pandemisë ka rrezikuar stabilitetin makro-fiskal të shtetit të Kosovës. Qeveria me politikat e gabuara dhe me zbatim të vonuar të Pakos, ka rrezikuar falimentimin e shumë ndërmarrjeve private. Kështu, ka ndikuar në humbjen e mijëra vende të punës e duke i zhytur mijëra shtetas të Kosovës në varfëri.

Ky skenar i një ekonomie në kolaps, ka mundur të evitohet nëse Qeveria tani më e shkarkuar do ta kishte marrë seriozisht menaxhimin e situatës ekonomike të vendit duke u fokusuar në nevojat e qytetarëve, e jo në interesin e tyre politik për të organizuar protesta e kërcënuar institucionet e pavarura.

Edhe pse ekonomia e Kosovës kishte rritjen më të lartë në rajon në vitet e kaluara, e ku parashihej të rritej me mbi 4% në vitin 2020, si rezultat i masave frenuese të ndërmarra nga Qeveria dhe mos implementimi me kohë i pakos emergjente financiare, sipas Bankës Botërore, ekonomia tani pritet të pësojë një rënie mbi 11% sipas skenarit pesimist; rënien me të lartë në rajon. Gjithashtu, skenari i padëshirueshëm vjen si rezultat i vazhdimit të masave frenuese, duke mos e stimuluar ekonominë e vendit përmes politikave adekuate.

Në vlera numerike, rënia ekonomike prej 11.3 për qind në Kosovë, do të thotë tkurrje/rënie e BPV prej rreth 800 milion euro për vitin 2020.

Përkundër qëndrimit zyrtar të Qeverisë së shkarkuar, të cilët kishin deklaruar se varësisht nga kohëzgjatja e problemit me pandeminë, në baza vjetore, parashikimet flasin për një rënie të mundshme kumulative të të hyrave tatimore nga 7.5 e deri në 12.5% të buxhetit vjetor. Në terma monetar, kjo nënkupton që buxheti i shtetit mund të ketë deri në 200 milionë euro më pak të hyra se sa ato të kalkuluara në muajin shkurt.

Situata aktuale është shumë më e rëndë se sa parashikimi i moderuar i Ministrit të Financave. Rënia reale e pranimeve buxhetore në bazë të të dhënave zyrtare, është 242 milion euro, apo 28% më shumë, krahasuar me periudhën e njëjtë për vitin 2019.

Sa i përket ekzekutimit të buxhetit, Ministria e Financave dhe Transfereve, ka punuar në kundërshtim me praktikat e mira dhe me teoritë themelore ekonomike, se si të veprohet në kohë të recesioneve. Përmes rritjeve të investimeve kapitale, stimulimit financiar të sektorit privat, ofrimit të përkrahjes për të siguruar likuiditet, aktivitet ekonomik si dhe suspendimin e përkohshëm të ngarkesave tatimore ndaj sektorit privat, e ndihmon rivitalizimin e ekonomisë së përgjithshme.

Qeveria e Kosovës e ka bërë të kundërtën, duke rritur shpenzimet në tri kategoritë operative: paga dhe mëditja 13 milion (6.6%), mallra dhe shërbime 2 milion (2.7%), subvencione dhe transfere 18 milion (8.8%), ndërsa ka ulur shpenzimet në investimet kapitale për -30 milion (34%), krahasuar me vitin e kaluar, apo 75 milion (56%), krahasuar me vitin 2018, duke dëmtuar drejtpërdrejt aktivitetin ekonomik të sektorit privat.

Sa i përket implementimit të Pakos Emergjente Financiare nga ana e Qeverisë, deri më tani i kemi identifikuar këto mangësi dhe probleme:

  1. Pakoja Emergjente ka qenë e vonshme dhe pa bazë ligjore, është anashkaluar Kuvendi i Republikës së Kosovës, e sidomos opozita që ka qenë e gatshme të bashkëpunojë.
  2. Pakoja Emergjente, ka qenë e mangët duke e trajtuar kryesisht gjendjen sociale e duke injoruar sektorin privat si punëdhënësin më të madh në Republikën e Kosovës. Edhe pse fokusi kryesisht në skemën sociale, është me rëndësi të theksohet që jo të gjitha kategoritë sociale janë përfshirë në këtë pako.
  3. Pakoja Emergjente ka qenë dhe vazhdon të jetë vështirë e implementueshme, shumë e paqartë për palët përfituese. Ndërsa është implementuar me qasje selektive, sidomos ndaj ndërmarrësve që nuk kanë treguar afërsi me Lëvizjen Vetëvendosje dhe Lidhjen Demokratike të Kosovës, duke mos bërë pagesa me kohë, ose nuk u është bërë fare.
  4. Mediat e pavarura dhe kritike, janë anashkaluar nga Qeveria, edhe përkundër faktit se kanë luajtur një rol tejet të rëndësishëm në informimin e qytetarëve gjatë pandemisë.

Vlera totale e implementimit të Pakos Financiare Emergjente, është rreth 179 milion euro, të cilat prej tyre deri më tani janë alokuar 65 milion euro, ndërsa janë ekzekutuar 54 milion euro, apo 30% e vlerës së planifikuar. Është me rëndësi të theksohet që në këtë fazë, shumica e vendeve të rajonit janë duke implementuar pakon e dytë për rimëkëmbjen e ekonomisë së vendeve të tyre.

Pasojat për ekonominë e Republikës së Kosovës, si rezultat i keqmenaxhimit;

  1. Rënia e BPV-së për rreth 800 milion euro
  2. Remitencat rreth 150 milion euro më pak me trendin aktual për vitin 2020.
  3. Humbjet buxhetore për vitin 2020 me trendin aktual, mbi 300 milion euro
  4. Humbje të vendeve të punës
  5. Falimentimi i shumë ndërmarrjeve vendore
  6. Humbjet e investimeve të huaja direkte:
  7. Contour Global, 1.3 miliard euro investime në energji, për 5 vite
  8. Dëmet mbi 20 milion, në rast të humbjes së rastit në arbitrazh
  9. Humbja e fondeve të huaja, duke përfshirë fondet e MCC-së 200 milionë euro.
  10. Mbi 150 mijë qytetarë do të varfërohen në Kosovë, sipas raportit të Bankës Botërore
  11. Rrezikohet ulja e pagave në sektorin publik si dhe ekzekutimi i pagesave për skemat sociale në tre-mujorin e fundit, bazuar me trendin aktual të të hyrave buxhetore.

Rekomandimet:

  1. Ristrukturimi i Pakos Ekonomike – Qeveria të filloj urgjentisht planifikimin dhe implementimin e pakos për rimëkëmbjen e ekonomisë. Pakoja të jetë me fokus në sektorin privat, duke mbështetur punëtoret si dhe ndërmarrësit për tejkalimin e krizës ekonomike dhe sociale.
  2. Hapja e tërësishme ekonomisë së vendit – në përputhje me praktikat e rekomanduara nga institucionet shëndetësore, ekonomia e Kosovës duhet të hapet në tërësi. Duke mos krijuar kufizime apo pengesa për operimin e ndërmarrësisë.
  3. Hapja e kufirit me vendet e rajonit dhe me Bashkimin Evropian në afatin sa më të shpejtë, për t’u siguruar qarkullimi i mallrave dhe shërbimeve, si dhe qarkullimin e qytetarëve të vendit.

Kontrolloni gjithashtu

Peter Stano: Bashkimi Evropian nuk i vë në dyshim autoritetet e Kosovës për hetimin e krimeve të luftës, por është në kontakt me ta

BE mirëpret gatishmërinë e Kosovës për normalizimin me Serbinë, por kërkon veprime konkrete dhe të menjëhershme”

Bashkimi Evropian mirëpret gatishmërinë e Qeverisë së Kosovës për të zbatuar marrëveshjen e normalizimit me …