Partia Demokratike e Kosovës, dega në Prizren, reagon ndaj veprimeve të fundit të Vetëvendosjes në Prizren, të cilat i konsideron propagandë për konsum politik dhe mediatik. PDK, dega në Prizren, mirëpret “ndryshimet e qëndrimeve dhe parimeve bojkotuese të deritanishme në ideologjinë e Vetëvendosjes, të cilët kanë filluar të reflektojnë, duke i njohur institucionet e Kosovës dhe organet e drejtësisë. PDK konsideron se Vetëvendosje në Prizren, në mungesë të ofrimit të programit qeverisës për qytetarët dhe si shkak i frikës për humbje në zgjedhjet e 22 tetorit, bie në nivele të ulëta të propagandave shterpe.
“Ne ua rikujtojmë se rrugëtimi politik i PDK-së është i përbashkët me qytetarët shqiptarë, turq, boshnjak, rom, ashkalinjë e egjiptas të Prizrenit. Kandidati për kryetar Shaqir Totaj, është qytetar i ndershëm i Prizrenit, i cili bashkëjeton me multietnicitetin në Prizren dhe njihet nga të gjithë qytetarët prizrenas si një person me vlera të larta shoqërore, etike dhe profesionale. Përgatitja profesionale dhe tradita familjare e Totaj nuk përkon me atributet e veshura nga oponentë të caktuar, të cilët fyejnë dinjitetin dhe integritetin e tij”, thuhet në reagim.
PDK përkujton se qytetarët e Prizrenit dhe Kosovës kanë me mijëra incizime të linçimeve politike e kërcënimeve nga drejtues e anëtarë të VV-së për shumë zyrtarë të Kosovës, madje edhe aksionet e programuara të VV-së mbi institucionet e Kosovës me mollotov e zollë, si rastet në Kuvendin e Kosovës.
“Të gjithë zyrtarët e VV-së, fjalimet e tyre i kanë të shkruara nga zyrat Gebelsiane të VV-së në Qendër dhe kanë një vokabular të njëjtë me epitete dhe emra të ndryshëm e denigrues për të gjithë ata që nuk janë me VV-në. Audio-incizimi i montuar e përpunuar dhe dorëzimi i kallëzimit penal, sot, nga VV është sinjal i qartë i mungesës së përkrahjes qytetare për VV-në dhe se përgjigjen meritore do ta merr në referendumin e 22 tetorit, ku do të pësojë fijaskon e radhës politike”, thuhet në reagim. Partia Demokratike e Kosovës, dega në Prizren, fton të gjithë kundërshtarët politik që të zhvillojnë fushatë elektorale dinjitoze, të bazuar në vlera dhe ofrim të alternativave, ashtu siç Prizreni e ka traditë në kulturën e tij.