Parlamenti Evropian (PE) ka nisur të martën procedurën e miratimit të propozimit të Komisionit Evropian (KE) për planin e rritjes dhe reformave për Ballkanin Perëndimor, i cili ofron një shumë të përgjithshme prej 6 miliardë eurosh ndihmë shtesë financiare. Për t’u zyrtarizuar ky plan është i domosdoshëm pajtimi ndërinstitucional në Bashkim Evropian (BE), që kërkon edhe miratimin nga Parlamenti Evropian. Parlamenti është nën presion për ta aprovuar sa më shpejt këtë vendim për shkak se në prill do ta mbajë seancën e fundit plenare me këtë përbërje, para zgjedhjeve të reja të PE-së në qershor. Dje u paraqit edhe propozim rezoluta legjislative për rregulloren për themelimin e planit për reforma dhe rritje ekonomike. Për këtë u debatua të njëjtën ditë gjatë një takimi të përbashkët të komisioneve të PE-së për Politikë të Jashtme dhe për Buxhet. (TCH)
