Parlamenti Evropian do të kërkojë zyrtarisht që vazhdimi i bisedimeve të anëtarësimit mes Serbisë dhe Bashkimit Evropian, të kushtëzohet me vendosjen e sanksioneve të Beogradit zyrtar ndaj Rusisë. Kjo kërkesë është pjesë e një draft-raporti për strategjinë e zgjerimit të BE-së të përgatitur nga Tonino Pikulla, deputet socialdemokrat nga Kroacia, i cili është raportues i Parlamentit për këtë strategji. Në propozime po ashtu thuhet se duhet “të bëhet prioritet përshtatja e vendeve nga procesi i zgjerimit me politikën e përbashkët të jashtme dhe të sigurisë së BE-së dhe të vazhdohen negociatat e anëtarësimit me Serbinë, vetëm nëse ky vend i bashkohet sanksioneve të BE-së ndaj Rusisë”.