Kryetari i komunës së Vitisë Sokol Haliti, ka pritur në një takim falënderues zyrtarin komunal, Isak Musliu, me rastin e pensionimit pas një periudhe të gjatë e të suksesshme pune në sektorin e tatimit në pronë.
Në shenjë nderimi dhe mirënjohjeje për kontributin e tij të vyer, kryetari Haliti, e falënderoi atë për angazhimin e palodhur dhe përkushtimin në realizimin e detyrave dhe përgjegjësive gjatë viteve sa ka shërbyer në administratën komunale.
Kryetari Haliti theksoi se punën e Isak Musliut e karakterizonte profesionalizmi dhe integriteti, duke kontribuar në mënyrë të rëndësishme në zhvillimin dhe administrimin efikas të sektorit të tatimit në pronë. “Puna juaj ka qenë një shembull për të gjithë ne. Ju keni dhënë një kontribut të jashtëzakonshëm për komunën e Vitisë dhe qytetarët e saj,” tha Haliti.
Në këtë rast, z. Haliti i dorëzoi Isak Musliut një mirënjohje simbolike për angazhimin dhe shërbimin e tij të devotshëm gjatë gjithë karrierës. Isak Musliu, falënderoi kryetarin Haliti dhe kolegët për mbështetjen e vazhdueshme gjatë viteve të tij të shërbimit dhe shprehu mirënjohjen për mundësinë që kishte për të kontribuar në përmirësimin e shërbimeve publike në komunën e Vitisë.