Sot, Kryetari i Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti dhe Nënkryetari, Dardan Sejdiu, mbajtën konferencë për media, në përgjigje ndaj arsyetimeve të paqena të Ministrit të Financave, Avdullah Hoti, i cili edhe më tutje po e bllokon projektin e autobusëve urbanë për Prishtinën, duke mos e nënshkruar garancionin e sovranitetit. Në fjalën e tij, Kryetari Ahmeti shpjegoi kronologjikisht se si është gjetur Ndërmarrja “Trafiku Urban” me vetëm 7 autobusë, në borxhe dhe me paga të papaguara për 24 muaj dhe është shndërruar në një ndërmarrje profitabile, e cila ka hyrë në marrëveshje me BERZH-in për një kredi, e cila do të siguronte 51 autobusë, të cilët do ta rregullonin situatën e transportit publik në kryeqytet.
“Kjo marrëveshje është nënshkruar nga BERZH-i si kredidhënës, kredimarrësi “Trafiku Urban”, përfaqësuesi i qytetit Komuna e Prishtinës dhe Garantuesi Qeveria e Prishtinës, përkatësisht Ministria e Financave, pra kredimarrës nuk është Komuna e Prishtinës, por ndërmarrja “Trafiku Urban”, potencoi Ahmeti. Po ashtu ai sqaroi se Komuna i ka aksionarët në ndërmarrjen “Trafiku Urban”, dy nga të cilët janë përfaqësues të Kuvendit Komunal dhe një është përfaqësues i Kryetarit të Komunës, dhe që të tre e kanë nënshkruar marrëveshjen. Më tutje ai sqaroi se Ndërmarrja “Trafiku Urban” e ka dorëzuar kërkesën për garancion të sovranitetit te Ministria e Financave më datën 15 prill të vitit të kaluar, e cila edhe pse është e obliguar me ligj që brenda 60 ditësh të kthejë përgjigje, qoftë edhe negative, nuk e ka bërë këtë që 13 muaj. “Këtu është e qartë që Qeveria po e bllokon qëllimisht garancionin e sovranitetit, për ta bllokuar projektin e autobusëve urbane si një nga premtimet kryesore të mijat gjatë fushatës, mirëpo ky është koncept negativ i të menduarit dhe është në dëm të qytetarëve”, tha Shpend Ahmeti.
Në fund Shpend Ahmeti tha se kërkesat e pabazuara në ligj nga Ministri Hoti janë tentime për të shpëtuar me fytyrë nga një situate sa komike po aq e turpshme para BERZH-it, në të cilën kemi rënë si pasojë e sjelljeve të tij.
Ndërkaq, Nënkryetari, Dardan Sejdiu zbardhi faktin se përveç që po bllokohet projekti i autobusëve të rinj janë edhe dy projekte tjera të rëndësishme, të cilat po bllokohen nga kjo Qeveri. Ato janë kontrata e e finalizuar për Planin e Mobilitetit dhe grantin për konsulencë ndërkombëtare në menaxhimin e Trafikut Urban, si ndërmarrje e transportit publik në Prishtinë. Ai tha se për shkak të presionit ndërkombëtar e sidomos nga vet BERZH-i, Ministri Hoti po tenton ta bëj një lloj loje procedurale sa për të nxjerrë vetveten. “Nuk është larg mendsh që edhe nesër në mbledhjen e Kuvendit Komunal të dërgojë një kërkesë që të miratohet kjo kredi edhe pse Komuna nuk është huamarrësi por është ndërmarrja “Trafiku Urban”. Sejdiu vuri në pah se përkundër kërkesave të shumta për një takim trepalësh nga BERZH-i, Komuna e Prishtinës dhe Ministria e Financave, kjo e fundit nuk i është përgjigjur. “Për 397 ditë Ministri Hoti po i bllokon 51 autobusë urbanë për Prishtinën, të menaxhuar nga një ndërmarrje profitabile e cila do t’i punësonte 300 punëtorë me paga mbi mesatare” konstatuan në fund Shpend Ahmeti dhe Dardan Sejdiu.