Legjendat si Kadri Roshi s’po vijnë më
– Kadriu në role na ka dhënë shqiptarin siç e dimë, siç e duam, siç do ta kërkojmë
(Ballsh, 4 janar 1924 – Tiranë, 6 shkurt 2007- 16 vjetori ndarjes nga jeta)
Lindi më 4 janar 1924 në Ballsh të Mallakastrës. Përfundoi studimet e larta në Zagreb të Kroacisë. Ai, e filloi karrierën e tij si sufler, pastaj si aktor në Teatrin Popullor në moshën 21-vjeçare duke qenë një ndër krijuesit e këtij teatri. Që nga ajo kohë dhe deri sa ndërroi jetë ai numëron rreth 180 role në skenë dhe kinematografi, të cilat përbëjnë një jetë të madhe artistike, ku ndërthuren vështirësitë e një jete prej jetimi, çiraku, portier kinemaje dhe deri tek aktori origjinal me portretin e njeriut të fisëm. Në krah ka pasur gjatë gjithë kohës aktorët e brezit të tij Drita Pelingu, Violeta Manushi, Tinka Kurti, Reshat Arbana, Marika Kallamata… Pët jetën e tij me arstin e 16-vjetorit të ndarjes nga jeta flasin “Artisti i Popullit” Luftar Paja dhe “Mjeshtri i Madh” Mevlan Shanaj
Luftar Paja “Artist i Popullit”: Legjendat si Kadri Roshi s’po vijnë më
Kadri Roshi; kjo specie e rrallë u largua fizikisht, por jo nga kujtesa e shpirti ynë. Iku në një kohë që ne kishim shumë nevojë për të. Kadriu do të mbetet i pazëvendësueshëm jo vetëm për vlerat e rralla artistike, por edhe nga ana e tij njerëzore. E kam njohur shumë herët. Ishte viti 1963 kur u caktova si artist amator.Atë vit vazhdova studimin 1 vjeçar për aktor, në po atë kohë që kish filluar të lulëzonte Teatri Popullor. Ishte fati im i madh që njoha personalitete dinjitoz të asaj kohe të artë si, Naim Frashëri, Sulejman Pitarka, Margarita Xhepa, Prokop Mima, Ndrek Luca, Besim Levonja, Loro Kovaçi, Maria Logoreci, Violeta Manushi, Marika Kallamata, Gjon Karma etj, por idhulli im ishte Kadri Roshi! Më ka lumturuar me rolin e “Ezopit”te “Dhelpra dhe rrushi”. Nuk dua të analizoj Kadriun si artist, sepse jam shumë i vogël para tij, por dua të vlerësoj anën e tij shumë njerëzore në shoqëri, thjeshtësinë e tij në komunikimin me njerëzit më të thjeshtë.nNatyra krejt njerëzore e Kadriut lidhej ngushtë me anën artistike të tij, prandaj ishte aq i suksesshëm dhe aq gjigand. Kjo ishte bukuria e këtij kollosi, që sipas vendit bënte dhe kuvendin. Ishte dëshirë e madhe ta dëgjoje në auditorët akademik si edhe në biseda me njerëzit më të thjeshtë. Po jeta vazhdon…edhe kur ikin njerëz kaq madhështor.
Eh more i dashur Kadri, u bënë vite që je ndarë fizikisht nga ne, por do të ngelesh i pavdekshëm, për të gjithë, sepse e pavdekshme është jeta jote artistike. Janë të panumërta episodet dhe kujtimet e bukura si kristal. Ku nuk kishe miq o miku im, në Dukat Adem Nezha, në Radhimë Selam Gjimara, në Tragjas Neki Stepa që harmonizohej aq bukur kur ia merrnim këngës si te filmi “Këshilltarët”që në Gjorm e Llogora. Kjo ishte bukuria jote miku im, sepse ishe i gjithanshëm, sa ishe në qarqet akademike, niseshe për në sofrat e kuvendeve. E si mund të harrohen takimet e bukura te kjoska prapa “Muzeut Kombëtar”, te kafja që na shërbente me aq dashuri, simpatiku, kamarier Kasemi. Çdo ditë prisnim me padurim takimin me ekipin e shoferave të parkut të autobuzave ku i printe shoferi aq shumë i dashur Agim Mullaj, që pasohej nga Meti, Iliri, Muçi, apo Landi e shumë të tjerë. Takimi kthehej në festë dhe ndizej kënga. I madhi Kadri lumturohej aq shumë sa ja merrte vetë këngës…”Aman Banushe ku vete, vetë e hollë e hunda grepe, unë thash se vije tek unë, ti veje ku keshe punë”. Kënga shkonte për shtatë palë qejfe, sepse të pranishëm ishin nga të gjitha krahinat e Shqipërisë. Të pa harrueshme do të mbeten takimet në malin e Dajtit, që organizoheshin në formë pikniku me të gjithë dashamirësit që na rrethonin rreth zjarreve që ndiznim, dhe ziente fuqishëm kuvendi i burrave. Sa na mungon o i madhi Kadri! Na mblidhje si zoqtë e klloçkës, por u bë kohë që jemi shpërndarë si zoqtë e korbit. Miqtë tanë shoferë janë hapur nëpër Europë, këtu ka mbetur kamarier Kasemi, dhe ai në prag të pensionit. Takoj ndonjëherë Metin e Laprakës, ai si gjithmonë i qeshur, fillojmë e kujtojmë e shëtitim nëpër gjithë kujtimet, po ç’të kujtojmë më përpara, e ku mbarojnë kujtimet tona të bukura?! Ti ishe kripa e gjellës miku im. Do mbetesh mes nesh në mendje e zemrat tona. Karakteri yt i pathyeshëm na mësoi shumë gjëra në jetë, na mësoi të jemi vetvetja e si t’u bëjmë ballë vështirësive. Sa më shumë kalonin vitet aq më shumë rritej fisnikëria jote. I dashur Kadri, kohët kanë ndryshuar. Shoqëria është bërë e parcelizuar, solidariteti as nuk ekziston, ftohtësia me njëri tjetrin ka hyrë vëlla me vëlla, deri edhe në brendësi të familjes. Shoqëria nuk i bën më llogaritë dy +dy bëjnë 4, por thotë; dy +dy bëjnë 22, dy për mua, njëzet për ty, prandaj na mungon shumë i madhi Kadri bashkë me vlerat e tua. Do të mbetet i pashlyeshëm pagëzimi dhe bekimi që i dhe në ditën e lindjes së djalit tim Gazmendit. U bë vërtet ashtu si e bekove. Do të ishte filmi “Gjeneral Gramafoni”ai që do na forconte edhe më shumë miqësinë tonë. Nga natyra ime kam qenë karakter impulsiv, nuk e ekzagjiroj kur them se një pjesë e mirë e këtij karakteri kanë gjykimin dhe këshillat e tua. Kadriu për mua ka qenë një universitet më vete, sidomos me vajtjen time në “Teatrin Kombëtar” në vitin 1993. Ai do më rrinte shumë pranë me këshilla, sepse siç dihet, konkurenca dhe cmira në art janë të papara. Për të gjitha këto o miku im i shtrenjtë, do mbetesh i paharruar për jetë të jetëve. Jam i lumtur që kam pasur një mik me shumë vlera si ti, jam i lumtur që të kam ende mik sepse je rrënjosur në brendësi të zemrës sime, dhe pse ti mungon të shoh tek fluturon qiejve. Të jam mirënjohës vërtet miku im prej shpirti!
– Mevlan Shanaj: Kadriu në role na ka dhënë shqiptarin siç e dimë, siç e duam, siç do ta kërkojmë
Na ishte bërë lajtmotiv ritheksimi i shprehjes goditëse te “ Dhelpra dhe rrushtë” të Ezopit të shkrimtarit brazilian Guilherme Figueiredo, vënë në skenë nga Mihal Luarasi në mesin e viteve 1960 në Teatrin Popullor. Akcentimi i përkryer nga Kadri Roshi ende më tingëllon sikur po e dëgjoj atë zë gati gati si një refren i një melodie që të shoqëron shpirtin në një meditim pa fund, emocioni ndjellës. Ishim studentë në të njejtin mjedis të teatrit dhe këtë shfaqje madhështore mund ta kemi parë mbi 50 herë. Në atë kohë Kadri Roshi që vinte në kulmin e tij aktoresk pak më vonë edhe me Arturo Ui (Bertolt Brecht ) e vendosën në majat e krijimit aktorial në Shqipëri duke pasur kokën dy krenare të shqiponjës Hamletin (Shakespeare ) apo Ferdinantin “Intrigë e dashuri”( Friedrich Schiller ) të Naim Frashërit. Vite më vonë Kadri Roshi përmes ekranit u shumëzua në Shqipëri tashme si një “Mesi” i aktrimit. Bëmat e tij po vinin edhe si legjendë. E kishin dënuar për “ Riedukim” me formula të asaj kohe ( mendo dënohej Kadri Roshi për riedukim). Formulat e kohës kishin lëvizjet amatore. Ndërrmarja “ Rruga ura” ku po edukohej Kadri Roshi , do jepte shfaqje “Komandanti Rrapo” dramatizim i Dritëro Agollit . Interesimi i jashtëzakonshëm për të parë Kadri Roshin në skenë, i cili u fut në teatër gati si ilegal në atë periudhë. Lotët ishin të përligjura! Mua më erdhi rasti të jem në “ I teti në bronx” : Zamet e ke o Sali Protopapa, më puth njëherë, ta kem kujtim në botën tjetër ( kujtoni se në çdo dalje të tij para publikut është një thënie që nuk harrohet, sepse ishte ai që dinte ta përcillte mes tij”, “Gërrmo o Tare, gërrmo se qenin e ngordhur do gjesh” apo te “Përballimi”, “Hani ju hani”, “Lulëkuqet mbi mur”. Më vonë po rrinim nën një diell dhjetori rrëzë kalasë në Libohovë dhe po pinim nga e njëjta faqore raki kur Kadriu nisi të recitonte “ Këngë Pleqërishte” një magji e kënduar sipas shpirtit kur ke hedhur pak raki dhe më thotë: Ky diell kërthi dhe kjo raki e bëri kaq bukur këtë çast! Unë i thashë këtë kërthi e përdorim edhe ne në Mallakastër! U çudit që isha nga vendi i tij. Unë nuk e dija nga ishte. Ai aty më tha se e quante veten mallakastriot. Ishim në filmin “ Malet me blerim mbuluar” më pas te çasti që më qëllon me shpullë sa i hante krahu, më përkëdhelte flokët pas çdo dubli dhe më thoshte: -Më fal, sqap! Kaluan vite dhe e mora në filmin “ Fletë të bardha”. Për specialistët apo kritikët e ndershëm, aty Kadri Roshi ka një krijim të një qytetari bashkëkohor shqiptar në përsosmëri. Nga gjithë bashkëpunimet e mia me të gjithë emrat e mëdhenj të artit shqiptar, mbaj mend sjelljen prej nxënësi të fillores të Kadri Roshit, gjatë përgatitjes së xhirimit ku ngrinte dy gishtat dhe thoshte: Me leje regjisor?! Eh, ç’mund të thuhet më tej, pasi këto dy ditë e kisha në ekran te “ Fletë të bardha” pas 30 vjetësh , nxënësin më të madh që kam njohur në jetë. E konsideroj veten me fat që kam punuar me këta magjistarë të interpretimit.
Përgatiti: Albert Z. ZHOLI