Njoftohen të gjithë qytetarët e Komunës së Malishevës dhe qytetarë të tjerë që udhëtojnë përmes qytetit të Malishevës, se nga dita e premte, datë 21 tetor 2022, duke filluar nga ora 07:00 (7/24h), rruga “Ibrahim Mazreku” nga Ura në qendër të Qytetit deri tek kryqëzimi i rrugës “Hamdi Berisha“ në drejtim të Gjimnazit, do të jetë e pa kalueshme për automjete, për shkak të fillimit të punimeve në projektin “Ndërtimi i Rrugës Ibrahim Mazreku” në qytetin e Malishevës. Banorët të cilët kanë të ndërtuara shtëpitë e banimit në afërsi të rrugës së lartcekur, duhet që në bashkëpunim me organet komunale mbikëqyrëse, punëkryesin dhe policinë, të bëjnë zgjidhje të përkohshme në mënyrë që të kenë mundësi hyrje dalje (me automjete) në shtëpitë apo lokalet tjera përcjellëse të banimit, të ekonomisë së tyre familjare. Qarkullimi lejohet vetëm për rastet emergjente të autoambulancave, automjeteve zyrtare. Furnizimi i bizneseve nga operatorët ekonomik, bëhet me leje të veçantë nga Komuna (Drejtoria e Shërbimeve Publike) dhe në konsultim me punëkryesin. Për faktin se, realizimi i këtyre punimeve mund të paraqet telashe në zhvillimin e komunikacionit në rrugët e qyteti, Komuna e Malishevës ka përgatitur një udhëzues për rrugët alternative në mënyrë që ngarkesat e trafikut të jenë sa më minimale. Luten të gjithë qytetarët që lëvizin me automjete që t’i ndjekin me vëmendje tabelat udhëzuese që janë të vendosura në të gjitha rrugët hyrëse të qytetit të Malishevës.