Përfaqësues të lartë të Ministrisë së Mbrojtjes dhe Departamentit Amerikan të Mbrojtjes zhvilluan në Tiranë, konsultimet dypalëshe në kuadër të bashkëpunimit në fushën e sigurisë dhe mbrojtjes, duke hedhur kështu bazat e një bashkëpunimi intensiv afatmesëm dhe afatgjatë. Ministria e Mbrojtjes informoi se në takimin mes dy delegacioneve u diskutua mbi situatën aktuale në rajon dhe më gjerë, si dhe u trajtuan me hollësi një sërë projektesh në fushën e modernizimit dhe logjistikës. Ministri i Mbrojtjes, Niko Peleshi konfirmoi gjatë fjalës së tij përkushtimin e vendit tonë në ruajtjen e stabilitetit, paqes dhe sigurisë jo vetëm në rajon, por dhe më gjerë. Ai garantoi se Shqipëria do të jetë gjithmonë garant i vlerave demokratike dhe perëndimore, si parime bazë të diplomacisë së Tiranës. Ministri Peleshi shprehu mirënjohjen për mbështetjen e pakushtëzuar të SHBA-ve ndaj Shqipërisë. Sipas ministrit Peleshi, bashkëpunimi i shkëlqyer që karakterizon marrëdhëniet ndërmjet dy vendeve është përkthyer në një kontribut të vyer në përpjekjet e vendit tonë për të qenë eksportues të sigurisë, jo vetëm në rajon, por si një partner i besueshëm i SHBA-ve dhe NATO-s. (ATSH)
Kontrolloni gjithashtu
BE mirëpret gatishmërinë e Kosovës për normalizimin me Serbinë, por kërkon veprime konkrete dhe të menjëhershme”
Bashkimi Evropian mirëpret gatishmërinë e Qeverisë së Kosovës për të zbatuar marrëveshjen e normalizimit me …