Në Bruksel ka përfunduar radha e parë e takimit trepalësh midis kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, dhe kryetarit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, me ndërmjetësimin e BE-së. Radio Evropa e Lirë bëri të ditur se do të ketë edhe takime dypalëshe midis liderëve të Kosovës dhe Serbisë me ndërmjetësuesit e BE-së, me qëllim që liderët të takohen sërish gjatë ditës. Në ndërtesën e BE-së ku po zhvillohet dialogu ka arritur edhe i dërguari i Shteteve të Bashkuara për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar. Pala amerikane nuk merr pjesë në dialog, por Amerika mbështet plotësisht përpjekjet e BE-së në procesin e normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet Serbisë dhe Kosovës. Ndërkohë përfaqësuesi i Lartë i Bashkimit Evropian, Josep Borrell, më herët deklaroi se është koha që Kosova e Serbia të lëvizin drejt normalizimit të plotë të marrëdhënieve. Tensionet e fundit në veri të Kosovës kanë dëshmuar sërish se është koha të lëvizim drejt normalizimit të plotë. Pres që të dy liderët të jenë fleksibil dhe të gjejnë gjuhë të përbashkët”, shkroi Borrell në një postim të tij.