Në kuadër të rregullimit të infrastrukturës së përgjithshme në territorin e Komunës së Malishevës, është duke u punuar edhe në rregullimin e ndriçimit publik në disa vendbanime. Këto ditë ka përfunduar rregullimi i ndriçimit në tri vendbanime, përkatësisht në fshatin Mirushë, në fshatin Bardh dhe në një lagje të fshatit Banjë.
Rregullimi i ndriçimit publik është pjesë e investimeve kapitale të parapara për këtë vit dhe pjesë e investimeve në krijimin e sigurisë më të madhe në vendbanimet e Komunës së Malishevës. Po ashtu rregullimi i ndriçimit ndihmon edhe në lëvizjen e lirë të qytetarëve gjatë orëve të mbrëmjes.
Rregullimin e ndriçimit në këto vendbanime, mbrëmë e ka parë nga afër edhe nënkryetari i Komunës së Malishevës, Hajdin Berisha, i cili u nda i kënaqur me mënyrën e realizimit të projektit dhe cilësinë e punimeve. Berisha, gjithashtu ka biseduar edhe me banorët e këtyre vendbanimeve, të cilët rastisnin në rrugë, në orët e mbrëmjes. Në të gjitha rastet, banorët kanë shprehur kënaqësinë e tyre, pasi tani mund të ecin lirshëm edhe në orët e mbrëmjes, por edhe kanë siguri më të madhe, pasi hapësirat janë të ndriçuara.