Përkujtohen Dëshmorët e Kombit, Hyrë Emini – Mira dhe Brahim Ademi – TT-ja

Kryetari i Komunës së Ferizajt, Agim Aliu i shoqëruar edhe nga deputetë të Kuvendit të Kosovës, drejtorë komunal, përfaqësues të familjeve të dëshmorëve dhe organizatës së veteranëve dhe invalidëve të luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në Ferizaj si dhe qindra qytetarë bën homazhe tek Varrezat e Dëshmorëve të Kombit të UÇK-së në Ferizaj, në ditën e rënies heroike të Dëshmorëve të Kombit, heroinës Hyrë Emini – Mira dhe Dëshmorit të Kombit – Brahim Ademi – TT-ja. Me këtë rast, i pari i Ferizajt Agim Aliu, tha se vepra heroike e heroinës Hyrë Emini dhe Dëshmorit të Kombit, Brahim Ademi tejkalon kufijtë e Kosovës në mbrojtjen e paepur të popullit shqiptar gjatë konfliktit në Maqedoni. “Heroina e Kosovës, Hyrë Emini – Mira është shëmbëlltyra e guximit, atdhedashurisë, sakrificës deri në flijim që një vajzë e re, një patriote bën për popullin e vet. Dëshmori i Kombit, Brahim Ademi, la një rrugë të trasuar për të gjitha gjeneratat, atë se aty ku populli shqiptar vihet në rrezik, bijtë më të shtrenjtë i gjenden pranë, me gjakun e jetën e tyre. Lavdi Dëshmorëve të Kombit dhe të gjithë të rënëve për liri” tha Kryetari i Ferizajt, Agim Aliu. Edhe përfaqësuesi i familjeve të dëshmorëve në Ferizaj, Gafurr Bytyçi, vlerësoi lartë heroizmin e Dëshmorëve të Kombit, Hyrë Emini dhe Brahim Ademi, duke i quajtur fanarët e lirisë së popullit shqiptar. Me vendosjen e kurora lulesh dhe përkuljen pranë Lapidarit të Dëshmorëve të Kombit, në Varrezat e Dëshmorëve të Kombit të UÇK-së në Ferizaj, përfunduan homazhet në përkujtim të Dëshmorëve të Kombit, Hyrë Emini – Mira dhe Brahim Ademi – TT-ja.

Kontrolloni gjithashtu

Kuvendi komunal i Rahovecit mbajti mbledhjen e rregullt të njëmbëdhjetën për këtë vit kalendarik

Udhëhequr nga Kryesuesi – Arbër Zenuni, u mbajt seanca e muajit nëntor, e njëmbëdhjeta e …