Me vizita te varrezat dhe te Kompleksi i martirëve të Familjes Berisha, në Therandë sot përkujtohet 26 marsi i vitit 1999 kur pjesëtarët e kësaj familjeje të madhe u nxorën nga shtëpitë dhe serbët i futën në një lokal ku edhe i vranë dhe i masakruan mizorisht e barbarisht. Sipas burimeve të lajmeve të asaj kohe, veçmas burimeve të Radios-Kosova e Lirë dhe Agjencisë Kosovapress, në atë lokal, forcat ushtarake e policore serbe kishin vrarë e masakruar 45 anëtarë të familjes Berisha, nga të cilët 19 ishin fëmijë, në mesin e tyre edhe një dyvjeçar. Masakra u bë në shenj hakmarrjeje, dy ditë pas fillimit të bombardimit të Serbisë e Malit të Zi nga forcat ushtarake të NATO-s, ashtu sikur kishin paralajmëruar autoritetet ushtarake e politike në Serbi. Po atë ditë forcat kriminale serbe kishin masakruar edhe banorët e fshatit Krushë, ata të Celinës e një ditë më vonë masakruan 15o civilë shqiptarë në Izbicë të Drenicës. Në tre katër ditës pas fillimit të sulmeve të NATO-s, forcat serbe vranë e masakruar më shumë se një mijë shqiptarë. Masakrat e krimet e luftës kanë vazhduar deri më 10 qershor të vitit 1999, kur kishte kapitulluar regjimi serb i Millosheviqit.
