Përkujtohet dëshmori Enver Topalli

Strukturat komunale të Ferizajt, miq e familjarë  kanë përkujtuar sot dëshmorin e kombit Enver Topallin i cili ishte nga fshati Greme Komuna e Ferizajt.

Me këtë rast u shënua edhe dita e shkollës së fshatit Greme e cila mban me krenari emrin e dëshmorit Enver Topalli.

Kryetari i komunës së Ferizajt, Muharrem Svarqa  në fjalimin e mbajtur me këtë rast është shprehur se në përvjetorin e vrasjes së Enver Topallit, na jepet rasti që edhe një herë ta nderojmë veprimtarinë atdhetare, politike, intelektuale e letrare të këtij bashkëvendasi tonë, i cili paraqet ekzemplarin e rrallë të një njeriu të përkushtuar që me të gjitha forcat e tij, deri në vdekje, t’i shërbejë atdheut tonë, lirisë dhe pavarësisë së Kosovës.

“Ndaj, ne sot jemi krenarë që kemi pasur burra si Enver Topalli, të cilët me jetën e tyre, vunë gurin themeltar të pavarësisë, të lirisë e demokracisë. Në këtë përvjetor, na jepet rasti që edhe një herë të kujtojmë gjithë masakrat, si ajo e Dubravës, gjithë vuajtjet dhe flijimet e panumërta që janë bërë në emër të atdheut tonë të lirë e të pavarur.  Ne duhet të jemi të lumtur që këto flijime nuk shkuan kot, sepse sot kemi mundësinë si asnjëherë më parë në historinë tonë, t’i ndërtojmë jetët tona, pa frikën se dikush do të na ndjek, do të na keqtrajtojë, apo do të përdhunojë, për shkak të përkatësisë sonë të çfarëdo lloji. Ne, më shumë se kushdo tjetër, e kemi provuar se sa shumëdimensionale janë vlerat e lirisë dhe sa të çmuara janë ato. Prandaj, le t’i vlerësojmë dhe le t’i kemi ndërmend sa më shpesh, në mënyrë që t’u japim më shumë kuptim atyre vlerave”, ka thënë kryetari Svarqa.

Ai në mes tjerash ka thënë se do t’u japin kuptim vlerave të lirisë.

“Kur ta kemi konsoliduar shtetin ligjor, kur t’u mundësojmë të gjithë banorëve të drejta të barabarta, kur të kemi mundësi t’i mbështesim synimet e qytetarëve për krijimin e mirëqenies më të lartë, kur të krijojmë kushte që banorët e vendit tonë të kenë kujdes të shtuar shëndetësor, kur të bëjmë të mundur që fëmijët dhe të rinjtë tanë të marrin shkollim cilësor në shkallën që e kanë moshatarët e tyre në vendet e zhvilluara. Ne jemi nisur në këtë rrugë dhe po ecim çdo ditë drejt këtyre synimeve. Natyrisht që rruga jonë drejt zhvillimit dhe përparimit me kutin evropian, nuk është e lehtë, për shkak të trashëgimisë dhe kontekstit ku jetojmë e veprojmë, por përpjekjet nuk mungojnë. Po përpiqemi që me punën tonë, me këmbënguljen dhe përkushtimin e vazhdueshëm, t’i zbatojmë detyrat që kemi marrë përsipër, të bindur se kur të gjithë ne  t’i zbatojnë me përgjegjësi, vullnet e angazhim obligimet tona, atëherë mund të themi se i kemi vënë punët në vijë”, tha Svarqa.

Të pranishmit në këtë manifestim i ka përshëndetur kryetari i Shoqatës së Familjeve të Dëshmorëve në Ferizajt Gafurr Bytyqi. Ai më këtë rast ka thënë se të rënët gjithnjë duhet të kujtohen për veprën e tyre të lavdishme.

Edhe udhëheqës të shkollës thanë se me shumë dashuri e pietet po mundohen të nderojnë figurat e ndritura të kombit që dhanë shumë për atdheun. Drejtori i kësaj shkolle Jeton Ahmeti ka përmendur se edhe shkolla e fshatit Greme  në lagjen Omuraj si vatër diturie po bën një punë të mirë në edukimin dhe arsimimin e gjeneratave të reja.

Ndërkaq djali i dëshmorit Enver Topallit, Lorik Topalli ka falënderuar të gjithë pjesëmarrësit që gjetën kohë të nderojnë figurën e babës së tij të ndjerë.

Enver Topalli ra për të mos vdekur kurrë me 19 maj në burgun e Dubravës.

Kontrolloni gjithashtu

Kuvendi komunal i Rahovecit mbajti mbledhjen e rregullt të njëmbëdhjetën për këtë vit kalendarik

Udhëhequr nga Kryesuesi – Arbër Zenuni, u mbajt seanca e muajit nëntor, e njëmbëdhjeta e …