Përkujtohet masakra e Burimit në Malishevë

Më 31 mars u mbushen 19 vite nga ngjarja më e rëndë në Malishevë, përkatësisht nga masakra e Burimit, ku u vranë dhe u masakruan, 42 civil shqiptar. Masakra e Burimit, është masakra më e madhe që ka ndodhur në Malishevë gjatë luftës së fundit, ndërsa deri më sot, për këtë ngjarje dhe për asnjë vrasje tjetër gjatë luftës, nuk është dënuar askush. Në përkujtim të kësaj ngjarje, nën përkujdesjen e Kryetarit të Komunës së Malishevës, Ragip Begaj është mbajtur një seancë përkujtimore e Kuvendit të Komunës së  Malishevës dhe më pas janë bërë nderime dhe homazhe në varrezat e të vrarëve në Dragobil, si dhe tek Vrella e Mëhillit në Burim, ku edhe ka ndodhur kjo masakër. Në fjalimin e tij, në seancën përkujtimore, Kryetari i Komunës së Malishevës, Ragip Begaj, tha se “masakra e Burimit dhe masakrat tjera, ishin një hakmarrje e pushtuesit serb”. ”Luftën nuk e do askush, por neve na është imponuar lufta. Dalja në skenë e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe përkrahja që mori ushtria jonë në popull, ishte grushti më i fortë për armikun. Duke mos mundur ta shuaj luftën, sepse populli e donte lirinë dhe ishte më i vendosur se kurrë të fitonte lirinë, dhe duke parë përkrahjen e fuqive të mëdha dhe të botës demokratike, armiku ynë i përjetshëm, mori hak në popullatën civile. Pavarësisht humbjes dhe dhimbjes së madhe që kemi bashkë, ju familjarë, të jeni krenarë, sepse gjaku i tyre dhe i dëshmorëve tjerë, është burimi i lirisë që sot e gëzojmë”, tha mes tjerash në fjalën e tij, Kryetari i Komunës së Malishevës, Ragip Begaj. Më 31 mars të vitit 1999, tek vendi i quajtur Vrella e Mëhillit, në Burim të Komunës së Malishevës, u vranë dhe u masakruan 42 civil, shumica prej tyre nga fshatrat Dragobil dhe Astrazup, si dhe tre banorë të Komunës së Suharekës, të cilët ishin strehuar në këtë pjesë. Po në këtë ditë, në fshatrat tjerë janë vrarë dhe masakruar edhe civil të tjerë.

Kontrolloni gjithashtu

Kuvendi komunal i Rahovecit mbajti mbledhjen e rregullt të njëmbëdhjetën për këtë vit kalendarik

Udhëhequr nga Kryesuesi – Arbër Zenuni, u mbajt seanca e muajit nëntor, e njëmbëdhjeta e …