Sot u përkujtuan 77 të masakruarit e fshatrave, Poklek i Vjetër e Çikatovë e Vjetër, në mesin e tyre 23 të mitur. 23 vjet më parë, më 17 prill të vitit 1999, ushtria dhe policia kriminale serbe ka kryer një masakër barbare në fshatrat Poklek i Vjetër dhe Çikatovë e Vjetër në komunën Drenasit, (ish-Gllogovc). Atë ditë ushtria serbe ka vrarë e masakruar pastaj edhe i ka djegur kufomat e 77 shqiptarëve civilë të paarmatosur, duke filluar prej foshnjave gjashtëmuajshe e deri te pleqtë 75 vjeçar. Në mesin e tyre 23 kanë qenë të mitur. Atë ditë nga mizoria e barbaria serbe pësuan fëmijë, të rinj, të reja, burra dhe pleq, të cilët i vranë, i masakruan dhe disa prej tyre i dogjën. Edhe pas dy dekadash, askush nga urdhërdhënësit dhe ekzekutorët nuk u ndëshkua për këto krime fashiste serbe.
Masakra e Poklekut ende nuk është trajtuar me vërtetësi, realizëm dhe seriozitetin e duhur, pasi edhe kjo masakër, si ajo e Reçakut, e Burimit të Malishevës disa e të tjera dallohet për shkallën ekstreme të mizorisë, vrasjen e 77 shqiptarëve në mesin e tyre 23 të mitur, fillimisht likuidimin me bomba dore brenda shtëpisë, pastaj ekzekutimin një për një të atyre që kishin mbetur gjallë nga bombat, pastaj djegien e kufomave në një shkallë të lartë të temperaturave, nga ku janë dëmtuar edhe eshtrat e të martirizuarve, me qëllim për të humbur të gjitha gjurmët.
Luftëtari i lirisë, Fadil Muçolli, të cilit iu kanë masakruar 14 anëtarë të familjes së ngushtë , në kohën kur ai ishte në radhët e luftës së UÇK-së, me të drejtë konstaton se kjo masakër ka elemente të holokaustit, me djegien e kufomave dhe përpjekjeve për të zhdukur çdo gjurmë të krimeve.