Përkujtohet Ukshin Hoti në 22 vjetorin e zhdukjes

Në 22 vjetorin e zhdukjes është përkujtuar profesori Ukshin Hoti.

Kryetari i komunës së Rahovecit Smajl Latifi, në fjalën e tije me këtë rast ka thënë:

Ndonëse kaluan njëzetedy vite që Ukshin Hoti nuk efshtë fizikisht në mesin tonë, ai vazhdon të jetë i pranishëm me tërë madhështinë kudo ndër shqiptarë. Duke qenë shumë hapa para bashkëkohanikëve të tij, por edhe të disa brezave më pas, emri, jeta dhe vepra e tij mbeten shëmbëlltyrë tani dhe në të ardhmen. Unik në mendime e në veprime, Ukshin Hoti rrezaton dije, guxim, vetëmohim, përkushtim e qëndresë stoike në pikëpamjet e tij politike shkencore e atdhetare. Ai e shtroi politikën si teori e praktikë në një botë në ndryshim, ku shqiptarët duhet të bëheshin pjesë e këtyre ndryshimeve, respektivisht duhet të punonin për ta marrë fatin në duart e veta. Gjithsesi, ai ishte realist dhe e dinte mirë se fati i kombit shqiptar ndërlidhet me gjeostrategjinë dhe interesat e fuqive botërore. Askush më mirë dhe më qartë se ai nuk e artikuloi kërkesën e shqiptareve për liri e bashkim, sepse ishte i vetëdijshëm se në skenën politike botërore mund të hyhej vetëm duke qenë të lirë dhe të fortë ekonomikisht, politikisht e ushtarakisht. Shqiptaret nuk duhet të cilësoheshin si popull i vogël, ngase përbërja etnike e shteteve fqinje, por edhe diaspora shqiptare, përbejnë potencial të madh në rajon dhe se kërkesat e tyre duhet të merreshin seriozisht dhe se çështja shqiptare duhet të trajtohet si problem i pazgjidhur. Një qasje e tillë shkencore dhe e bazuar në argumente të qëndrueshme shkencore, përbente rrezik për politikën hegjemoniste serbe, prandaj edhe e izoluan nga brenda, e mbyllën në burg dhe e eliminuan fizikisht, për të mos qenë pjesë e proceseve politike që duhet të ndodhin në rajon. Mungesa fizike e tij lë zbrazëti të madhe, ngase mendimi i tij politik ishte i shtrirë në hapësirë e kohë dhe se do të duhej të bëhej platformë për rregullimin e ardhshëm të shteteve në Evropën Juglindore. Filozofia e tij politike vazhdon të jetë aktuale dhe duhet të merret si bazë për sendërtimin e synimeve shqiptare, gjithnjë në funksion të krijimit të balancave rajonale, ndërsa shqiptarët duhet të bëhen pjesë e Evropës me vlerat evropiane që i kanë, duke i dëshmuar botës gatishmëri për të qenë pjesë e krijimit të stabilitetit rajonal e më gjerë. Kjo pjesëmarrje e shqiptareve në këto procese nuk mund të bëhet për inat të askujt, por se është një proces i papërfunduar historik në konsolidimin e kombeve, gjithnjë në funksion të evropeizmit të Evropës Juglindore. Ukshin Hoti është pengu i lirisë tonë, prandaj në bisedimet eventuale me palën serbe çështja e tij dhe e të zhdukurve të tjerë duhet të trajtohet me prioritet në tavolinën e bisedimeve. Pushteti lokal në Rahovec i ka kryer disa nga obligimet që ka ndaj kësaj figure të madhe kombëtarë, duke e ndërtuar shtëpinë-muze të Ukshin Hotit, ndërsa në vazhdim po punohet për ngritjen e kompleksit historik e kulturor “Ukshin Hoti”. Autoritetet shtetërore dhe arsimore e kanë për detyrë ta trajtojnë këtë figurë kombëtare në përputhje me përmasën e tij, duke e futur në programet mësimorë dhe në tekstet shkollore. Mësimet dhe pikëpamjet e tij për çështjen e pazgjidhur shqiptare vazhdojnë të jenë avangarde, prandaj mendimi i tij politik shkencor përbën thelbin e problemeve tona që kërkojnë zgjidhje në të ardhmen.

Kontrolloni gjithashtu

Kuvendi komunal i Rahovecit mbajti mbledhjen e rregullt të njëmbëdhjetën për këtë vit kalendarik

Udhëhequr nga Kryesuesi – Arbër Zenuni, u mbajt seanca e muajit nëntor, e njëmbëdhjeta e …