Përparim Ali Thaçi (30.8.1976 - 27.5.1998)

Përparim Ali Thaçi (30.8.1976 – 27.5.1998)

Ashtu sikurse Sakip Bellaqës, edhe Përparim Thaçit, që në nëtor të vitit 1997 i binte shpesh të kalojë nëpër fshatrat e Drenicës së Azem Bejtës e të Adem Jasharit, veçanërisht pas vrasjes së mësuesit Halit Geci. Kjo ngjarje dhe dalja në skenë e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në Llaushë e pati frymëzuar rininë studentore edhe në Shkollën e Lartë Pedagogjike “Xhevdet Doda” të Prizrenit ku pati vepruar patrioti i shquar dhe njëri prej themeluesve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Nait Hasani, ish student i këtij institucioni akademik. Pas burgosjes së Naitit dhe pas dëbimit të studentëve shqiptarë prej objekteve shkollore e universitare, veprimtarinë patriotike si në rrafshin kulturor ashtu edhe në atë luftarak e vazhdon grupi i Unionit të Pavarur të Studentëve të Grupit të Përparim Thaçit ku bënin pjesë: Bilbil Duraku, Nijazi Kryeziu, Defrim Rifa, Sejdi Bellanica, vëllezërit Aqif e Sherif Ilazi, Leonorë Morina, Jehonë Krasniqi, Behare Tafallari, Qazim Thaçi e Ismet Gashi që u ndoqën, u arrestuan, u prangosën gjatë aktiviteteve, u burgosën dhe u ndëshkuan, ndërsa prangave policore çetnike u shpëtoi Përparim Ali Thaçi, student, sot dëshmor i kombit që hyri në radhën e djelmoshave të pavdekshëm të Anadrinit i cili këmbeu indeksin me kallashnikovin dhe doli në male për t’u bashkuar me djelmoshat e Adem Jasharit, për t’i çliruar studentët e prangosur, për ta çliruar Kosovën e për t’i bashkuar trojet që laheshin me gjakun e të parëve por edhe të moshatarëve të Përparimit, të cilët me kohë e kuptuan se nuk ka progres Kosova pa shtet, pa liri dhe pa pavarësi.
Përparim Ali Thaçi është i lindur në fshatin Landavicë të Anadrinit, komuna e Prizrenit, më 30 gusht të vitit 1976. I ati, Aliu, intelektual, veprimtar i shquar i sportit, i edukatës trupore, i angazhuar me kohë në Këshillin e financave gjatë kohës kur arsimi shqiptar ishte dëbuar prej shkollave të veta, i martuar me Setkijen nga Rogova e Hasit, kishte pesë fëmijë; dy djem e tri vajza dhe kujdesej për t’i rritur dhe shkolluar të gjithë e veçanërisht: Përparimin, Afërditën, motër medicinale dhe Linditën, prandaj edhe pse në kushte modeste, Ali Thaçi u përballonte të gjitha degdisjeve dhe krajatave për t’i rritur fëmijët që t’i dalin në dritë duke ëndërruar se Përparimin do ta ketë krah pune. Shkollën fillore Përparimi e nisi në vendlindje, në Landavicë, ndërsa e mbaroi në Arbanë, paralagje e Prizrenit. Në mësimet e fillores, Përparimi tregoi sukses shembullor, por edhe me talent për artin e fjalës, prirje për sport dhe veçanërisht shkathtësi për atletikë. Kishte prirje për artin e fjalës së bukur dhe shquhej me shkrime të cilat i botonte nëpër fletushkat e shkollave fillore të komunës së Prizrenit dhe në panot e gazetave të murit ku zakonisht publikoheshin cicërrimet e para të talentëve të rinj. Me t’u regjistruar në shkollën e mesme, në Prizren, Përparim Thaçi hyri si djalosh i kompletuar, me vizione të qarta, me ëndrra djaloshare prej një të riu humanist sportdashës. Por, gjimnazistit prizrenas, ngjarjet e vitit 1990, ia shkatërrojnë të gjitha vizionet e veçanërisht në shpirtin e Përparimit ndikuan: rënia e Dëshmorëve të Brestosit, rrahja dhe alivanosja e profesor Ukshin Hotit te Udhëkryqi i Bushatit (ish – Kamaranit) dhe në fund burgosja e profesorit që njihej si modelator i shtetësisë së Kosovës. Edhe gjimanzin, Përparimi, i lënduar shpirtërisht me vrasjen e patriotit, profesorit – idealist Xhemali Berisha, rrugën e të cilit ëndërronte për ta vazhduar, arrin suksesin e shkëlqyeshëm dhe nuk e ndal aktivitetin sportiv e kulturor edhe kur sporti e kultura ishin dëbuar prej jetës publike të Prizrenit historik, kur shëtpia e kulturës dhe të gjitha stadiumet sportive qenë mbyllur për shqiptarët.
Pas mbarimit të gjimnazit regjistrohet për të studiuar në Shkollën e Lartë Pedagogjike “Xhevdet Doda”, dega e Gjuhës angleze, në Prizren. Si student, i bashkohet ilegales së “Lagjes së Trimave” (ish – Tusus) të Prizrenit për ta vazhduar rrugën dhe amanetin e profesor Xhemali Berishës dhe bashkëvepron me filizat e para të “Lagjes së Trimave” prejt ë cilëve dolën luftëtarët e Adem Jasharit, Remzi Ademajt dhe të Xhevat Berishës. Gjatë studimeve zgjedhet në kryesinë e Unionit të Pavarur të Stundetëve dhe moderon me të gjitha format e aktiviteteve shoqërore, politike, kulturore e sportive në qytet e veçanërisht në protestat për mbrojtjen e arsimit në objektet shkollore prej nga dëboheshin shqiptarët.
Në vazhdat e këtilla del edhe organizator për përkrahjen e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe luftës së drejtë dhe të imponuar të popullit shqiptar, e cila kishte marrë hovin nëpër Prekaz e Gllogjan, ndërsa luftëtarët e lirisë vinin varg e vistër prej Perëndimi duke thyer Pashtrikun Plak e duke kaluar edhe nëpër Landavicën e dashur të Përparimit Thaçit. I tërë ky aktivitet zhvillohej para hundëve të policisë serbe, para syve të punëtorëve të sigurimit dhe para shqipfolësve kolaboracionist; dhe strukturave të spiunazhit serb. Strukturat e përmendura i patën fokusuar studentët – pjesëmarrës të këtyre protestave si në Prizrenit, ashtu edhe në Therandë, Malishevë e Rahavec, i patën rënë në gjurmë “Shtabit të Studentëve” në shtëpinë e veprimtares Leonorë Morina dhe kështu burgosen “Djemtë e Prizrenit” – shokët e Përparim Thaçit. Përparimi shpëton, por i merr malet me pushkë në dorë e indeks në xhep “Për ta kërkuar lirinë e pastaj edhe diturinë”. Duke braktisur Prizrenin, nëpër Landavicë u bashkohet luftëtarëve të Landavicës që vepronin në logjistikën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe del në pozicionet e para të kësaj ushtrie në fshatin Drenaj (ish – Drenoc të Zatriqit) më 28 prill të vitit 1998. këtu takohet me luftëtarët më emblematikë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Në odat e shtëpive të Avdi Sherifit, të Osman Zyberajt, të Isuf Sherifit e të Bajram Hajdarit takohet dhe vepron në organizim dhe shtrirje të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës së bashku me Fehmi e Xhevë Lladrovfcin, Abedin Rexhën, Jakup Nurën, Ilaz Kodrën, Xhemë Gashin, Mahir Hasanin, Selim Krasniqin, Gani Paçarizin, Gani Krasniqin, Sefer Bytyçin, Mensur Zyberajn, Osman Zyberajn, Bedrushin, Feimin, Islamin, Isufin e Flurim Gashin, Bedri Zyberajn dhe Selajdin Mullabazin, sot shumica dëshmorë, invalidë dhe të burgosur të pasluftës. Rëndësi të madhe për Përparimin e ri kishte takimi me dy pleq të fshatit Drenaj, Avdi e Isuf Sherifin, të bijtë e të cilëve veç kishin zënë pozicione. Këtu, në këtë fshat, Përparimi është edhe me bashkëluftëtarët nga Landavica: Vahit Uka, Xhavit Elshani, Nagip Morina, Faik Berisha, Osman Qarreti e Selim Morina të cilëve me daljen e Përparimit në Drenaj, i forcohen pozicionet në vijën logjistike.
Përparim Thaçi, anadrinas i Landavicës, nip Hasi, njohës i mirë i gjeografisë të Anadrinit e të Hasit, sistemohet në sektorin e logjistikës së bashku me Feim e Bedrush Gashin, me Flurim e Islam Gashin, me Mensur e Osman Zyberajn, me Sakip Xhemali Bellaqën dhe me grupin e Landavicës për ta sajuar dhe mbajtur vijën logjistike të Hasit të cilën e drejtonin Qenë Qenaj, matanë Pashtriku dhe Haxhi Halil Hoti i njohur si “Komandant Lleshi” këtej Pashtriku, prej të cilëve Përparimin e ndau vetëm përjetësia në “Udhën e Përudhës”, ndërmjet fshatrave Fortesë e Xërxë, më 27 maj të vitit 1998.
Beteja e Bardhatinit, më 12 maj 1998 në fshatin Bardhatin të Anadrinit, me të cilën edhe fillon vargu i betejave të Anadrinit, Përparimin e gjeti në gjendje gatishmërie; i stërvitur mirë, me kondicon të plotë fizik, i porsakthyer nga detyrat në fushëveprimin e bartjes së armatimit, dhe me moral të lartë, prandaj edhe së bashku me Milaim Krasniqin, Osman Zyberajn, Xhemë Gashin, Mahir Hasanin, Gani Paçarizin, Elmi Morinën, Idug Gashin, me të bijtë Islamin dhe Flurimin, me Vahit Ukajn, Xhavit Elshanin, Nagip Morinën, Faik Berishën dhe Selajdin Mullabazin, Përparimi ishte në vijën e parë të zjarrit duke mbrojtur krahun në të cilin gjendej Isuf Sherifi me të bijtë Flurimin e Islamin e me nipërit Feimin e Bedrushin.
Përparim Thaçi është shumë i vendosur dhe tejet i përpiktë, mbahet i fortë dhe nuk u thye as në rastin e rënies së Milaim Krasniqit, e as të Elmi Morinës e të plagosjes së Osman Zyberajt, por mbledh forcë për tërheqjen e Osmanit të plagosur dhe të rënëve. Në këtë betejë shkëlqejnë Përparim Thaçi dhe Selajdin Mullabazi. Pas betejës në fshatin Bardhatin dhe betejës në Qafën e Gardhishtës afër fshatit Gexhë, pas tërheqjeve të turpshme të forcave policore e ushtarake serbe prej Lugut të Drinit, Ushtria Çlirimtare e Kosovës përcjell në përjetësi luftëtarin e lirisë Mehedin Morinën prej fshatit Qëndresë të Klinës (ish – Gllarevë), por formacionet e kësaj ushtrie marrin flatra dhe zhvillohen me një dinamikë të përshpejtuar, ndërsa forcave policore e ushtarake serbe u mbeti obligimi për ta ndryshuar strategjinë. Sipas këtij ndryshimi çetnikët serbë do ta detyronin Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës të rrudhet nëpër fshatrat e Nënzatriqit (Drenaj, Rudinë, Frshnjet, Gurkuq, Besnik e Palushë). Me të parë se çlirimtarët po e pranonin luftën frontale me armikun siç ndodhi në Bardhatin e Grdhishtë të Anadrinit, Serbia pranon se ka punë me një ushtri serioze e cila di të dominojë me situatën në terren pavarësisht prej përbërjes heterogjene të disa vendbanimeve të Anadrinit (Bardhatin, Rahavec, Hoçë e Madhe, Krushë e Vogël, Zaçisht, Apterrush dhe Reti), forcat serbe përpiqen për t’i ruajtur pozicionet në aksionet e rajonaleve dhe të magjistrales që kalon mbi “Urën Fshajt” dhe këto arterie i mbulojnë me patrulla e me pika më të shpeshta të kontrollit. Por, dinamika e zhvillimit të forcave çlirimtare, imponoi përqendrimin e policisë serbe nëpër udhëkryqe e akse rrugore, rurale, rajonale e magjistrale si dhe ndërhyrjet e shpeshta veçanërisht nëpër fshatrat Fortesë dhe Xërxë. Kështu edhe hartoi ndërhyrjen e 26 majit 1998, kah ora 21.30 – 22.00 duke kurthuar pritën në “Udhën e Përudhës” që lidh si trupore fshtrat Fortesë e Xërxe.
Skuadra e logjistikës, pranë Batalionit të Anadrinit që vepronte në Drenaj, e përbërë prej luftëtarëve të lirisë: Përparim Ali Thaçi, Feim Avdi Gashi, Sakip Xhemali Bellaqa e Islam Isuf Gashi, në këto rrethana, pasi kishte shfrytëzuar shpesh këtë korridor logjstik dhe kishte përvojë me aksin e rajonales prej “Rrasave të Rahavecit” kah Xërxa, shfrytëzon truporen e Përudhës. Kështu edhe ky grup bie në pritën e policisë serbe dhe marrin përjetësinë: Përparimi, Fehimi dhe Sakipi, ndërsa plagoset Islam Gashi. Kjo rënie heroike e djelmoshave të Anadrinit dhe luftimet për tërheqjen e Islamit të plagosur, por edhe të trupave të pajetë të luftëtarëve të lirisë e forcoi faktin se tashmë nuk po mbrohen pragjet e shtëpive, sepse Përparimi e kishte pragun në Landavicë, e Mehedin Morina në Qëndresë (ish – Gllarevë) të Klinës por u dëshmua se në frontet e Anadrinit po mbrohej Kosova.
Organizimi i ceremonialit të përcjelljes ushtarake kah shtëpia e amshueshme e dëshmorëve të kombit, lëvizjet e shumta të anadrinasve në drejtim të Burimit të Epërm, ku do të përcillej Sakip Bellaqa e kah Drenaj, ku do të vendoseshin për në amshim Feim Gashi e Përparim Thaçi, e kah fshatrat e tjerë të Nënzatriqit për nderime e vizita në Shtabin e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, si dhe në familjet Gashi në Drenajt, Bellaqa të Burimit të Epërm e Thaçi në Landavicë, nga njëra anë, dhe protestat gjithëpopullore për përkrahjen e Drenicës, Rrafshit të Dukagjinit dhe tërë Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, në anën tjetër, rënien e dëshmorëve të Përudhës, të Bardhatinit e të Gardhishtit, e kthyen në krenari kombëtare, ndërsa Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës, popullata e Anadrinit, zë ta përjetojë si shpëtimtare e djelmoshat e Adem Jasharit, përjetësohen si shpëtimtarë e si çlirimtarë të Kosovës.
Pas përfundimit të operacioneve luftarake të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, u bë zhvarrimi i dëshmorit të kombit Përparim Ali Thaçi, trupi i të cilit bartet prej fshatit Drenaj të Nënzatriqit për në “Kopshtin e Dëshmorëve” në Landavicë ku pushojnë edhe shumë shokë të tjerë të Përparimit. Në shenjë nderimi, këtë kopsht e vizitojnë për çdo vit të ri shkollor shokët e Përparimit, studentët e Fakultetit të Edukimit në Prizren, ndërsa stadiumi i futbollit në Qytetin e Lashtë mban emrin e lojtarit të talentuar të studentit të dalluar, sot dëshmorit të kombit, Përparim Thaçi, me të cilin krenohet Landavica, Anadrini, Kosova dhe trojet etnike e në biblotekën modeste të Përparimit, ruhet edhe një letër përkushtimi për Drenicën e Adem Jasharit dhe për luftën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. (S. C.)

Kontrolloni gjithashtu

Sejdi Fazli Shala (5.3.1964 – 5.11.1998)

Sejdi Fazli Shala (5.3.1964 – 5.11.1998)

Fshati Kopiliq i Drenicës është fshat i njohur i historisë shqiptare. Aty ka lindur dhe …