Përplasen për zonën industriale të Babushit dhe për raportin e Drejtorisë së Shëndetësisë

Kuvendi komunal i Ferizajt në një seancë të rregullt të premten ka debatuar një sërë çështjesh me interes për qytetarët.  Hapjen e mbledhjes së Kuvendit të Komunës e bëri kryesuesi Faruk Guri. Ai para të pranishmëve ka paraqitur edhe pikat e rendit të ditës të cilat ishin përgatit për këtë mbledhje.

Dy propozim vendime, njëri për uljen e taksës komunale për punët e kryera në infrastrukturën nëntokësore dhe tjetri për shndërrimin e parcelave nga zona industriale në pronë komunale për zhvillim ekonomik, e ka karakterizuar debatin e pjesës së parë të seancës. Pas një debati, për vendimin e parë, kuvendi e qoj në diskutim publik rregulloren që i përcakton tarifat e punimeve nëntokësore, ndërsa për vendimin e dytë, firmave që afarojnë në zonën industriale në Babush përmbushjen e planeve dinamike të punës ngase në të kundërtën këto prona komuna do t’i rikthej dhe do ti destinoj për zonë ekonomike.

I pari i Ferizajt, Muharrem Svarqa, në fjalën e tij para këshilltarëve tha se shumica e operatorëve të cilët kanë nënshkruar kontratë me komunën për shfrytëzimin e zonave në Babush, nuk i kanë përmbushur kriteret e kontratës.

“Unë kam pasur një takim me gjithë këta operatorë dhe kërkesat e të gjithë këtyre kanë qenë që të legalizohet prona e komunës me qëllim të zhvillimit ekonomik por me një periudhë afatgjate. Meqë investitorët nuk mungojnë, por akoma nuk marrin vendime për zona ku afati për përdorimin e tyre është i vogël, kemi menduar që t’i propozojmë Kuvendit që këto prona t’i shpall për interesat e zhvillimit ekonomik dhe t’i respektoj procedurat në bazë të ligjeve tona në fuqi”, tha Svarqa.

Në anën tjetër kuvendarët kërkuan që të publikohet marrëveshja në mes komunës dhe bizneseve që afarojnë në këtë zonë.

“Nuk i kemi marrëveshjet e komunës me këto biznese, ju sot kryetar ka qenë dashtë të na tregoni për gjendjen faktike që veprojnë këto biznese, si kanë afaruar, sa kanë të punësuar, çfarë kanë investuar, sa i’u kanë përmbajtur kontratës me komunën e kështu me radhë. Thjesht komuna s’ka aspak transparencë në këtë drejtim”, tha Sylejman Zeka nga VV, ndërsa Mustafë Grainca nga PDK-ja ka vë theksin në atë se si zona ekonomike po ashtu edhe ajo industriale në thelb kanë zhvillimin ekonomik.

“Zona industriale është zonë për zhvillim ekonomik, zona ekonomike është zonë për zhvillim ekonomik, parku industrial po ashtu është zonë për zhvillim ekonomik. Ju e keni gabim zotëri që thoni se duhet t’i ndryshojmë këto terme, sepse po lexoni ligjet e vjetra. E keni gabim dhe ashtu veproni”, tha Mustafë Grainca.

Përfaqësuesit e pushtetit thanë se kjo zonë duhet të rikthehet si zonë ekonomike dhe të drejtën për të qenë pjesë e saj ta gëzojnë të gjithë ngase firmave që gjinden aty tashmë u ka skaduar kontrata.

“Duhet të lexohet mirë se çfarë po kërkohet. Nuk jemi duke kërkuar me i’u ndërprerë kontrata asnjë biznesi, bëhet fjalë për ndërprerjen ose skadimin e afatit të gjitha atyre bizneseve për shfrytëzimin e pronës komunale që e kanë pasur për dhjetë vjet. Dhe tani më ata nuk e kanë asnjë të drejt. Ne po kërkojmë që nga zona industriale, të merret vendim që të jetë zonë për zhvillim ekonomik dhe të drejtën për të konkurruar në atë hapësirë e kanë të gjithë njësoj, sikur ata që kanë qenë deri më tani sikur të tjerët që do të konkurrojnë për herë të parë”, tha nënkryetari Xhavit Zariqi.

Pas debatit të gjerë, kjo pikë e rendit të ditës së Kuvendit Komunal, u miratua me shumicë votash, madje edhe me votat e opozitës. Pjesa e dytë e seancës ka vazhduar me debatin që u zhvillua lidhur me raportin e Drejtorisë për Shëndetësi dhe Mirëqenie Sociale.

Fillimisht drejtori i DSHMS-së, Burim Karameta , raportoi për ecurinë e punëve në këtë drejtori gjatë vitit 2015, raport ky që ngjalli reagimin e opozitës lidhur me parregullësit në këtë dikaster.

“ Ju keni filluar me fushatën se spastrimeve nga vendet e punës në QKMF, i keni detyruar punonjësit e kësaj qendre që vet të largohen nga puna, duke i shantazhuar. Si ka mundësi që të kryeni edhe detyrën e drejtorit të shëndetësisë, por edhe të specializoni, veç nëse je supremen” tha Gazmend Bytyqi nga PDK, ndërsa këshilltari i VV-së, Sylejman Zeka, ka kërkuar më shumë informacione për klinikën indiane të syrit.

“Informacione më shumë të lutem për klinikën indiane të syrit. Ka qenë dashtë që ju sot të na jepni më shumë detaje pse kjo ordinancë private nuk filloi punën pavarësisht vendimit që ne si kuvendar morëm në ndarjen e parcelës në QKMF”, tha Sylejman Zeka nga VV.

Drejtori Karameta, mori kritika edhe nga bashkëpartiakët e tij për sjellje jo të mira me stafin shëndetësor, ndërsa ky iu përgjigj veç e veç secilës akuzë duke thënë se këto nuk përmbajnë asnjë të vërtetë ngase faktet sipas tij flasin krejt diçka tjetër.

“Ne në nivel të Republikës jemi të parët me të gjitha kapacitetet. Mund të potencoj se gjatë takimeve që kemi me nivelet qendrore, jemi vlerësuar si dikasteret me performanca me të mirë në nivel vendi” tha drejtori Burim Karameta.

Kuvendi mori edhe disa vendimeve të tjera, ridestinoi një parcele në Fshatin e Vjetër për nevoja të ndërmarrjes “Pastërtia”, e po ashtu miratoi rregulloren për bashkëpunimin e komunës me fshatra dhe zona të tjera urbane si dhe disa vendime të tjera.

Kontrolloni gjithashtu

Kuvendi komunal i Rahovecit mbajti mbledhjen e rregullt të njëmbëdhjetën për këtë vit kalendarik

Udhëhequr nga Kryesuesi – Arbër Zenuni, u mbajt seanca e muajit nëntor, e njëmbëdhjeta e …