Me një ceremoni madhështore është përuruar sot autostrada, “Arbën Xhaferi” që lidh Kosovën me Maqedoninë e Veriut. Kjo u cilësua si një rrugë që do të shërbej si një urë bashkëpunimi mes shteteve fqinje që do të përfiton gjithë rajoni i Ballkanit. Pjesë e këtij inaugurimi ishin krerët institucional të Kosovës. Ndërsa të ftuar ishin kryeministri i Maqedonisë së Veriut Zoran Zaev dhe ai i Malit të Zi, Dushko Markoviq dhe ambasadorë të akredituar në Kosovë. Kryetari Thaçi tha se kjo ditë është e veçantë jo vetëm për Kosovën, por për gjithë rajonin ballkanik. Sipas tij ky është një investim i fuqishëm, por që ka pasur vlerë. Kryekuvendari Veseli u shpreh se me anë të kësaj autostrade Kosova po lidh ura të bashkëpunimit me fqinjëve. Kurse kryeministri Haradinaj tha se kjo rrugë po i afron mes veti shtetet fqinje dhe po i jep një pamje të re gjithë rajonit.
