Sot, më 11 mars 2017, në adresën Zürcherstrasse 164 Neuenhof 5432, në Zvicër organizohet përurimi i librit, “Kosova e lirë” shkruar nga Nexhmije Hoxha, bashkëshortja dhe bashkëluftëtarja besnike e Enver Hoxhës. Promovimi fillon në ora 14:00 dhe shoqërohet edhe me një program muzikor, ku do të këndojnë edhe Xhemail Murtishi e Naim Selmani. Në këtë promovim do të jetë edhe një mysafir i veçantë, Ilir Hoxha, djali i madh i autores së librit.
Isuf Ismajli: Libër i përkushtimit atdhetar
( Fjala e Isuf Ismajlit me rastin e përurimit të librit “Kosova e Lirë”, të autores Nexhmije Hoxha)
Librin: “Kosova e Lirë” po e përurojmë, pas një kohe relativisht të gjatë, prej kur është botuar në vitin 2015, po e përurojmë në një datë të shënuar të Historisë shqiptare, të një date kur para tridhjetë e gjashtë viteve më parë, pikërisht më,11 mars 1981 filluan në Kosovë dhe në disa vise të tjera shqiptare, demonstratat e rinisë dhe të popullit shqiptar, të cilat më vonë morën edhe përmasat e një kryengritje shqiptare, kundër Jugosllavisë së atëhershme, që i mbante të pushtuara viset shqiptare si Kosovën, trojet shqiptare nën ish republikën jugosllave të Maqedonisë, Kosovën Lindore (Presheven, Bujanocin e Metvegjen) si dhe viset shqiptare nën Malin e Zi.
Gjaku i kulluar i djemve dhe vajzave, burrave e punëtorëve e mësimdhënësve shqiptarë, filloi t`i çante prangat e robërisë jugosllave, në këtë pjesë të Atdheut dhe botës së intrigave, pabesive, shfrytëzimit të njeriut e popujve, i trokiste në derën e rëndë, që hapet në pallatet e atyre që ndërgjegjen e kanë humbur në batakun e pistë të pasurisë, e sundimit dhe nënshtrimit, mospërfilljes së lirisë, dhe të drejtës njerëzore e nacionale. Trokiti në portën e atyre që gjymtojnë popuj e nxjerrin në treg vendet e popujve të vuajtur e liridashës, siç është populli ynë, Atdheut të të cilit i ka ndodhur një nga padrejtësitë më të mëdha në Evropë, duke ia ndarë e shqyer trojet e tij e duke ia dhënë Jugosllavisë dhe Greqisë.
Por, në mbrojtjen, përkrahjen dhe përkujdesjen e këtyre viseve shqiptare qe ajo pjesë e lirë e Shqipërisë, udhëheqësi i ndritur Enver Hoxha dhe pjesa e vëllezërve dhe motrave tonë atje.
Po të na mungonin këto, do të ishte e pamundur të frymonim shqip e njerëzisht.
Populli shqiptar që atëherë shprehu vendosmërinë se liria, pavarësia dhe bashkimi i popullit shqiptar do të arrihen patjetër o me paqe o me luftë, siç qe parulla “… ja me hatër, ja me luftë”, po u vërtetua jo me paqe por me luftën heroike e madhështore të UÇK-ës , u desh të derdhej gjaku i dëshmorëve dhe heronjve si Adem Jashari e Zahir Pajaziti dhe shumë e shumë të tjerëve për të arritur këtu ku jemi si një hap drejt hapave të tjerë për jetësimin e Shqipërisë si tërësi
Në vazhdimësinë e përkrahjes sonë është libri që po e përurojmë tani.
Libri “Kosova e Lirë” i shkruar nga mendja e mprehtë dhe dora e autores shumë të çmuar Nexhmije Hoxha na ka ardhur si një dhuratë shumë e këndshme dhe shumë e vlerësuar nga mendjet e shëndosha atdhetare e njerëzore në të gjitha hapësirat trojeve shqiptare.
Ky libër merr vlera të çmuara, në radhë të parë, për përmbajtjen e materialit të trajtuar me një saktësi të pakundërshtueshme e me metodologji të punës së përpiktë dhe një përkushtim shumë domethënës, duke dhënë një ndihmesë të veçantë për çështjen shqiptare përgjithësisht dhe në veçanti për Kosovën, e cila përbën një territor shqiptar me damarë të përbashkët të trupit të përbashkët me të gjitha viset shqiptare si pjesë të pa-tjetërsuara të Shqipërisë së Natyrshme, pikërisht ashtu siç e ka shkruar udhëheqësi i ndritur Enver Hoxha në veprat e tij e në kujtimet e tij, që janë pasuri madhe, një vlerë jashtëzakonisht e rëndësishme e popullit shqiptar dhe njerëzimit si tërësi. Dhe ja se ç`na thotë ai në kujtimet e tija më, 19 shtator 1966: “Kosova dhe viset të tjera shqiptare në Jugosllavi, pjesë të Shqipërisë, u shkëputën nga mëma e tyre prej fuqive imperialiste dhe iu dhanë mbretërisë serbe. Kosova është shqiptare, mbetet shqiptare dhe i përket Shqipërisë.” Marrë nga libri: “Kosova është Shqipëri” , libër ky i Enver Hoxhës i botuar në vitin 1999 në përkujdesjen e birit të Enver Hoxhës, Ilirit dhe e redaktoi bashkëshortja e Ilirit, Teuta Hoxha. Edhe Nexhmije Hoxha, shoqe e pandarë, besnike e jetës dhe veprës së Enver Hoxhës, me një memorie të shkëlqyer, jo vetëm do të shpalosë kujtimet e saja, por edhe analizat dhe vlerësimet për Kosovën dhe viset të tjera shqiptare, janë një rrjedhë e logjikshme e burimeve të kthjelluara të një shpirti e mendje të pasur me vlera kulturore, historike e shkencore, atdhetare e njerëzore si dhe vazhdimësi e veprës së ndritur të Udhëheqësit tonë të shquar Ever Hoxha.
Në faqet e 14 të librit të Nexhmije Hoxhës :”Kosova e Lirë” shprehet ajo, ndër të tjera, për Kosovën pasi ajo qe çliruar nga barbaria serbe: “…ndjehem e lumtur shpirtërisht që u realizua hapi i parë i një ëndërrimi gjatë gjithë jetës sime, si edhe i gjithë shqiptarëve, për të arritur më tej në BASHKIMIN e tërë shqiptarëve, si komb i një gjaku dhe i një gjuhe, dhe i territoreve të njohura mijëra vjet më parë si treva shqiptare.”
E nuk ka se si shprehet më qartë, më njerëzisht dhe më shqiptarisht dashuria e përkushtimi i një bije të denjë të Atdheut.
Fjalët e saj tregojnë se sa qartë e thellësisht është njëjtësuar mendimi i saj me interesin e Atdheut e të popullit shqiptar.
Lidhjet e saj me këto interesa janë të natyrshme e të vetëkuptueshme, kur kemi parasysh edhe origjinën e saj, por e dhe shpjegimet e kujtimet e saj për atë pjesë të Atdheut në Dibër të Madhe e në Manastir, të cilat edhe sot e kësaj dite janë nën Maqedoninë.
Nexhmije Hoxha shprehet kështu: “Siç më tregonte nëna, serbët kryen masakra të pashembullta. Dogjën të gjitha fshatrat për rreth, vranë mijëra fshatarë, dogjën e shkatërruan gjithë qytetin e Dibrës, vranë fëmijë e pleq. Në Dibër nuk mbeti frymë njeriu, shumë morën arratinë. Ata që nuk mund të iknin, i vranë.” Faqe 21.
Temat që trajton përfaqësojnë hollësira të realitetit në të gjitha pjesët në këtë libër.
Ky libër është i ndarë në katër pjesë. Pjesa e parë shquan ato ngjarje e përjetime të saj, që lidhen me Dibrën e Madhe, Manastirin dhe rrethet e tyre.
Pjesa dytë ka të bëjë me disa tema, të lidhura me trajtimin e disa të dhënave që dalin në pah dhe shkojnë në vijimësi të së vërtetës se Enver Hoxha ka qenë i lidhur shpirtërisht me Kosovën dhe çështjen shqiptare përgjithësisht dhe se gjitha forcat e mundshme i ka shfrytëzuar jo vetëm për t`i frymëzuar bijtë dhe bijat më të mirë, por edhe për ta mbrojtur qenësinë shqiptare kudo në trojet shqiptare dhe se vepra e tij është bërë fanari i ndriçimit të rrugës së lirisë, pavarësisë dhe bashkimit të Atdheut. Veç kësaj edhe diaspora përgjithësisht është ndjerë jo vetëm krenare por edhe pjesë e pashkëputur e qenësisë së njëmendët të shqiptarësisë.
Nexhmije Hoxha na thotë me një vërtetësi të madhe, se Enveri ishte një revolucionar i vendosur, i udhëhequr nga idealet komuniste, por këto nuk kanë penguar aspak të jetë një patriot i madh për popullin e vendin e vet, prandaj, ai ka ëndërruar që kombin shqiptar ta shohë të bashkuar, të lirë, të përparuar e lartësuar siç kishin ëndërruar Rilindësit tanë të shquar e të përjetshëm.
Ai nuk e donte një paqe të rrethuar me plagë, nuk donte qetësi dhe rehati, kur vëllezërit përtej Republikës së Shqipërisë vuanin e nën sundimin e të huajve. Ai të drejtën dhe të vërtetën i kishte fanarët më të mirë në rrugën atdhetare i mbështetur fort në parimet njerëzore. Prandaj ai ka gëzuar e gëzon jo vetëm admirimin e nderimin e udhërrëfyesit shqiptar te njerëzit e ndërgjegjshëm, liridashës e atdhedashës në hapësirën shqiptare, por edhe te njerëzit në botën përparimtare e revolucionare.
Ai dhe populli shqiptar atje luftuan me vendosmëri për t`i shëruar këto plagë shekullore, që na i lanë sunduesit e huaj. Këto e shumë fakte të tjera trajtohen në veprën e Nexhmijës: ”Kosova e Lirë”
Ajo me të drejtë i përmbledhë mendimet kur sqaron për Kosovën, se po të ishte gjallë Enveri “nuk do të mund të ndodhnin, ajo katastrofë që na panë sytë, masakrat, eksodi biblik, sepse ushtria shqiptare me gjithë potencialin e vet ushtarak do ta kryente me nder detyrën ndaj trevave e vëllezërve shqiptarë, të ndara padrejtësisht.”, faqe 83
Këtu ka nevojë për një sqarim. Sot janë duke na imponuar një paqe me plot plagë, sepse veç të tjerave, ne nuk e kemi një ushtri me një forcë të atillë siç e kishte Enver Hoxha, një ushtri që kishte një gatishmëri të pashoqe, me një përgatitje morale e fizike për ta bërë Atdheun kështjellë e pamposhtur, siç edhe qe bërë Republika Popullore Socialiste e Shqipërisë.
Edhe në pjesën e tretë të librit shquhet një material i rëndësishëm, i Nexhmije Hoxhës me personalitete të Lëvizjeve Ndërkombëtare Marksiste- Leniniste, që mbështetën Luftën e UÇK-ës. Edhe këtu del qartë mendimi i mprehtë, i drejtë i atdhetarizmit dhe përkushtimit të saj për vëllezërit e një gjaku dhe të gjuhe që po e shfaqnin sakrificën dhe bënin realitet çlirimin e Kosovës.
Në pjesën e katërt ka publikuar disa takime, letërkëmbime përshëndetje drejtuar luftëtarëve dhe disa komandantëve të UÇK-ës etj.
Ajo ka trajtuar tema, ka bërë përshkrime të situatave, që tregojnë frymën dhe qenësinë e popullit shqiptar, mishërimin e idealeve të shëndosha kombëtare në vijimësi të vizionit njerëzor.
Të gjitha këto fakte e dëshmi janë jo vetëm të trajtuara me një besnikëri , por edhe me një përkushtim të veçantë, si lidhje e pashkëputur e zgjidhjes së çështjes së Kosovës në përbërje të çështjes shqiptare për t`u zgjidhur ajo si tërësi me një përfundim të kënaqshëm e i natyrshëm të bashkimit të të gjitha viseve shqiptare.
Dëshmitë që janë shkruar e trajtuar nga Nexhmije Hoxha janë një përmbledhje që e faktojnë realitetin, që jua hedh poshtë të gjithë falsifikatorëve gënjeshtrat për Enver Hoxhën, dhe për raritetin që ka pas bërë shtrat të këndshëm në kohen e tij.
Këto janë fakte që vënë në shquarsi të kaluarën për të mos u anashkaluar e vërteta, siç e orvaten disa duke e mohuar të vërtetën e duke e nëpërkëmbur e nënvlerësuar atë kohë me fabrikime e trillime të liga.