Përurohet njësia përpunuese e ëmbëlsirave në Ramjan

Në bashkëpunim me komunën e Vitisë dhe organizatën për Zhvillimin e Bujqësisë IADK, në fshatin Ramjan të komunës së Vitisë është bërë përurimi i një njësie përpunuese të ëmbëlsirave, tek përfituesja e këtij projekti Alba Zejnullahu.

Kryetari i komunës së Vitisë Sokol Haliti ka uruar përfituesen e këtij projekti dhe tha se me përkrahjen që po u jepet grave të komunës së Vitisë, po arrihen shumë storie suksesi, në zhvillimin ekonomik e social.

“Urime për Albën dhe për shumë gra të komunës së Vitisë që janë treguar të suksesshme dhe janë bërë storie suksesi edhe për mediat e huaja. Përkrahja e të gjithë sektorëve, shoqatave të grave, organizimeve grupore, shoqatave të fermerëve, e zhvillojnë ekonominë dhe gjenerojnë punësim. Njësitë përpunuese si të ëmbëlsirave, mëlmesave, pjekurinave, konservansave, njësitë e përpunimit të qumështit janë model për krejt Kosovën”, u shpreh Haliti.

Ndërsa drejtori i IADK-së, Zenel Bunjaku, ka thënë se ky projekt është mbështetur nga donatori BROT nga Gjermania dhe në bashkëpunim e partneritet të ngushtë me komunën e Vitisë.

“Për ne është shumë kënaqësi që së bashku me kryetarin e komunës së Vitisë, e cila komunë është njëra ndër partnerët më strategjik dhe më të besueshëm të IADK-së, po e bëjmë përurimin e kësaj njësie përpunuese të ëmbëlsirave, te Alba Zejnullahu këtu në Ramjan”, ka thënë Bunjaku.

Po ashtu edhe përfituesja e këtij projekti Alba Zejnullahu, e cila ka hapur lokalin në shtëpinë e saj në fshatin Ramjan, ka falënderuar të gjithë ata që e kanë përkrahur për hapjen e këtij biznesi.

Ky aktivitet ishte në kuadër të projektit “Përmirësimi i punësimit dhe mundësive për gjenerim të të ardhurave në zonat rurale të Kosovës” përkrahur nga BROT, bashkë financuar nga komuna e Vitisë dhe implementuar nga IADK.

Në këtë inaugurim ka marrë pjesë edhe drejtoresha për bujqësi, Arlinda Sahiti, përfaqësuesja e GLV “Vitia”, Fadile Demelezi dhe zyrtarë të tjerë komunal.

Fotografia e Komuna e Vitisë

Kontrolloni gjithashtu

Kuvendi komunal i Rahovecit mbajti mbledhjen e rregullt të njëmbëdhjetën për këtë vit kalendarik

Udhëhequr nga Kryesuesi – Arbër Zenuni, u mbajt seanca e muajit nëntor, e njëmbëdhjeta e …