Juria e organizatorit të festivali “Zambaku i Prizrenit” në përbërje: Xhevdet Gashi, Besnik Krajku, Krist Lekaj dhe Osman Goranci (për tekst), ka përzgjedhur këngët që do të jenë pjesë e edicionit të 29 të festivalit të këngës së vjetër qytetare “Zambaku i Prizrenit”.
Drejtori i Studio Helix, Istref Krasniqi njofton se pas organizimit të suksesshëm të edicionit të vitit të kaluar të “Zambakut të Prizrenit”, këtë vit interesimi i kompozitorëve për pjesëmarrje në edicionin e 29 kanë qenë shumë i madh.
“Organizimi i suksesshëm i edicionit të kaluar nga Studio Helix ia ka kthyer namin festivalit dhe këtë vit në adresën tonë kanë ardhur 25 këngë, nga të cilat juria ka përzgjedhur 15 këngë. Juria e ka përzgjedhur një këngë më shumë këtë vit, sepse tradicionalisht në festival paraqiten 14 këngë. E kemi bërë këtë përjashtim sepse kompozimet që kanë arritur janë me vlera të mirëfillta të natyrës së festivalit” shprehet Krasniqi.
Krasniqi i falënderon të gjithë kompozitorët për pjesëmarrje dhe shpreh keqardhje që rregullat e festivalit kërkojnë numër të caktuar të këngëve.
“Edhe këngët që kanë mbetur jashtë edicionit të 29 kanë vlera, por juria ka përzgjedhur kompozimet më të mira” tha Krasniqi.
Krasniqi shprehet i bindur se festivalit “Zambaku i Prizrenit” po i kthehet rëndësia që e kishte, prandaj, edhe për faktin se vitin e ardhshëm është edicioni jubilar i 30, do t’i propozoj Kuvendit Komunal që “Zambaku i Prizrenit” të mbahet dy netë.
“Sivjet “Zambaku i Prizrenit” do të jetë edhe më cilësor dhe vitin e ardhshëm presim interesim edhe më të madh të kompozitorëve, prandaj ky festival e meriton që të rritet dhe vitin e ardhshëm të mbahet për dy net” shprehet i bindur Krasniqi.
Krasniqi njofton se edhe për festivalin “Fluturat” dhe Rrock live, kanë arritur kompozime të mirëfillta dhe janë përzgjedhur këngët.
Edicioni i 29 i festivalit “Zambaku i Prizrenit”, edicioni i 19 i festivalit Fluturat dhe Rrock live do të mbahet në fund të muajit shtator.
Këngët e përzgjedhura për edicionin e 29 të festivalit “Zambaku i Prizrenit”
- Lum Halabaku me këngën “Shpresë”
- Gjergj Kaqinari me këngën “Shekëlqimi në bar”
- “Besim Berisha me këngën “Balada me numër X”
- Tomor Berisha me këngën “O Zambak lule në parajsë”
- Arsim Kryeziu me këngën “Vitet po kalojnë”
- Menan Kiseri me këngën “Kujtimet e rinisë”
- Nexhat Rexha me këngën “Trëndafilin une e zgjodha”
- Gazmend Kraja me këngën “Zambaku e lulebora”
- Ylli Kalaja me këngën “Sytë e zi vetull gjilpanë”
- Nexhat Macula me këngën “ “Loti”
- Ylli Ramzoti me këngën “Peisazh pranveror”
- Artan Bakija me këngën “Elegji për dashurinë”
- Shefqet Hoxha me këngën “Gradu ljubavi” (Qyteti i dashurisë)
- Hysein Kazaz me këngën “Ugurlar Olsun”
- Edon Ramadani me këngën “Violina e vjetër”
Istref Krasniqi
Studio Helix