Me rastin e aplikimit për kategoritë e luftës së UÇK-së, familja e Idriz Dvoranit nga Tërsteniku i Drenicës, ka kërkuar që pesë vëllezërve dëshmorë t’ iu njihet statusi i dëshmorit, meqë të pestit kanë qenë të angazhuar në luftën e UÇK-së, por të gjithë nuk kanë pasur armë e uniforma. Deri tani, statusi i dëshmorit iu ka njohur vetëm Hysni Dvoranit, por jo edhe katër vëllezërve të tij, të cilët gjatë tërë kohës së luftës kishin luftuar e vepruar së bashku.
Babai i dëshmorëve, Idriz Dvorani, një burrë i moshuar, i cili çlirimit të vendit nga robëria serbe i ka dhënë pesë bij, jeton në shtëpinë e tij, në lagjen Dvorani të Terstenikut të Drenicës. I ka shpëtuar gjallë vetëm djali më i vogël, Hajrizi. Ai rrëfen se pesë bijtë e tij: Hysniu, Avniu, Veliu, Lumniu dhe Hakiu kanë qenë të pandashëm gjatë tërë kohës së luftës dhe në ditën e rënies së tyre më 30 prill të vitit 1999.
Në korrik të vitit 1998, ata së bashku edhe me disa vendës ishin nisur për të shkuar në Shqipëri, me qëllim për të marrë armë, municion dhe uniforma të UÇK-së, por ashtu sikur disa qindra të tjerë, ishin bllokuar në Junik, në fund të korrikut të atij viti, me rastin e ofensivave serbe kundër UÇK-së.
Në kushte dhe rrethana lufte e granatimi të pandërprerë nga forcat policore dhe ushtarake serbe, një kohë kishin qëndruar në Glogjan, nga ku sërish kishin bërë përpjekje të depërtonin në Shqipëri, por për shkak të sulmeve të pandërprera të forcave armike, ishin detyruar të ktheheshin duarthatë në zonën e Drenicës. Pavarësisht se të gjithë nuk kishin armë, ata i ndërronin ato në rast të vëzhgimit dhe në rast të ndonjë aksioni. Të edukuar në frymë atdhetare, këta të rinj nuk pranuan të largohen nga atdheu, që ishte përflakur në luftë. Ata, ushtronin roje dhe vëzhgonin një pikë në tjetrën duke ofruar forcën dhe vullnetin e tyre të përkushtuar. U angazhuan në logjistikë, por edhe në hapjen e istikameve e ndërtimin e bunkerët dhe qëndronin afër luftëtarëve për të ndihmuar të plagosurit apo për të nxjerrë të rënët, në mënyrë që trupat e tyre të mos binin në duart e armikut.
Të angazhuar në ndihmën e pakursyer dhënë luftës së UÇK-së ishin edhe të gjithë vëllezërit e Hysniut: Avniu, Veliu, Lumniu dhe Hakiu. Ata ndihmuan luftën në të gjitha mënyrat edhe pse nuk kishin armë. Ato ua merrnin bashkëluftëtarëve, në kohën kur ata pushonin dhe me to bënin roje e vëzhgonin terrenin.
Babait, të tyre Idriz Dvoranit i vjen keq, që krahas dhembjes së pashuar për pesë bijtë, dikush nga eprorët, ndoshta edhe nga mosdija apo mos informimi i plotë, ka shpallur dëshmorë vetëm djalin e madh, Hysniun por jo edhe katër bijtë e tij, të cilët vazhdimisht kanë punuar e vepruar së bashku dhe kanë rënë të gjithë, në të njëjtën ditë, më 30 prill të vitit 1999.
Ai thotë: “Nuk e kam hallin te trajtimi material, sepse kam gjendje normale ekonomike, por ndihem shumë keq, dhe e ndiej një padrejtësi të madhe, që dikush t’ i ndajë bijtë e mi, njëri dëshmor e të tjerët viktima, kur të gjithë kanë qenë luftëtarë, të gjithë janë nisur për në Shqipëri për të marrë armë. Mbaj mend se kur janë kthyer disa kanë ardhur këmbë-zbathur, meqë këpucët iu kishin shqyer nga rruga e gjatë. Të gjithë me radhë i kanë përdorur vetëm dy pushkë, aq sa kishin. Nuk pranoj që bijtë e mi të trajtohen si viktima të luftës, sepse ata kanë qenë të organizuar në pikën vendore, në Terstenik ashtu sikur të gjithë të tjerët që janë shpallur dëshmorë.
Atë ditë, më 30 prill të vitit 1999 në fshatin Qëndresë ranë dhe u martirizuan:
Hysni Idriz Dvorani, i lindur më 10 gusht të vitit 1971;
Avni Idriz Dvorani, i lindur më 3 shtator të vitit 1974;
Veli Idriz Dvorani, i lindur më 5 janar të vitit 1976;
Lumni Idriz Dvorani, i lindur më 8 prill të vitit 1978;
Haki Idriz Dvorani, i lindur më 11 prill të vitit 1980;
Nuhi Lan Dvorani, i lindur më 15 gusht 1975;
Ferat Xhafer Dvorani, i lindur më 2 qershor i968;
Imer Fazli Dvorani, i lindur më 2 qershor 1957;
Mehmet Murat Dvorani, i më 1954.
Hazir Lan Dvorani, 1983;
Nuredin Dvorani, i lindur më 1981 dhe
Nazmi Dvorani i lindur më 1966.
Kohë më parë ishte martirizuar edhe Hetem Dvorani.
Vëllai i pesë dëshmorëve, Hajriz Dvorani ka mbijetuar luftën tok me prindërit, bashkëshorten e tij dhe motrat.
Janë të rralla rastet kur gjatë luftës së UÇK-së, kanë rënë dëshmorë, apo martirë, pesë vëllezër në të njëjtën ditë. Vëllezërit Dvorani janë rast unik, andaj edhe duhet të merret parasysh kërkesa për shpalljen e statusit meritor për të gjithë njësoj. Përjashtimet nga rregullat bëhen në rastet specifike dhe ky rast ka shumë specifika, të cilat duhet të merren para sysh nga Komisioni Qeveritar për caktimin e statusit të dëshmorit. (Ahmet Qeriqi)