Zëdhënësi i BE-së, Peter Stano, ka deklaruar në Bruksel, se fillimi i zbatimit të marrëveshjes për targat, mes Kosovës e Serbisë tregon se kur ka vullnet nga palët, atëherë edhe përparimi është i mundur. Kosova dhe Serbia njohën edhe zyrtarisht targat e njëra-tjetrës, duke mos e zbatuar nga 1 janari regjimin e letrave ngjitëse që mbulonin simbolet shtetërore në targa kur automjetet lëviznin në territoret e tyre përkatëse. Puna në dialog vazhdon dhe fokusi është në implementim të asaj që është arritur pajtim në Bruksel dhe më pas në Ohër vitin e kaluar. E pamë në rastin e njohjes së targave të veturave se progresi është i mundur. Palët u pajtuan për zbatimin e vendimit për targat”, tha Stano. Ai theksoi se BE-ja do të punojë për t’u ndihmuar palëve t’i zbatojnë ato për çfarë janë zotuar dhe e përsëriti se ato janë të detyrueshme për palët.
