Kosova dhe Serbia mund ta rrezikojnë reputacionin e tyre ndërkombëtar, në rast se nuk fillojnë sa më shpejt zbatimin e marrëveshjes nga takimi i Ohrit, thotë zëdhënësi i BE-së, Peter Stano, Reputacioni ndërkombëtar dhe besueshmëria e palëve është gjithashtu në rrezik këtu – në mënyrë që të shihen si një partner i besueshëm i BE-së, palët duhet të zbatojnë atë që kanë premtuar. Liderët evropianë në takimin e tyre në Bruksel i bënë thirrje Kosovës dhe Serbisë që të zbatojnë shpejt dhe me mirëbesim detyrimet e tyre përkatëse që rrjedhin nga takimi i Ohrit. Të dyja palët ranë dakord në Ohër që të fillojnë menjëherë zbatimin e të gjitha dispozitave të Marrëveshjes dhe Aneksit. Teksti i rënë dakord thotë qartë: “Kosova dhe Serbia angazhohen plotësisht të respektojnë të gjitha nenet e Marrëveshjes dhe këtë aneks”. Dispozitat e Marrëveshjes, përfshirë Aneksin, do të inkorporohen në Kapitullin 35 për Serbinë dhe në agjendën e Grupit Special për Normalizimin për Kosovën. Kjo do të thotë se palët do të jenë të detyruara kontraktualisht të zbatojnë dispozitat nëse dëshirojnë të bëjnë përparim drejt BE-së. Moszbatimi do të thotë të braktisësh rrugën drejt BE-së. Peter Stano ka bërë të ditur se gjatë ditëve në vijim, institucionet e BE-së, do të iniciojnë procesin për operacionalizimin e hapave të parë të fazës së zbatimit së bashku me të dyja palët.
