Deklaratat skandaloze të historianit turk, Talha Ugurluel mbi Skënderbeun kanë ndezur reagime të forta gjithandej botës shqiptare. Tash së fundmi u publikua një video e cila pasqyronte një vizitë të një grupi turistësh turq në Memorialin e Skënderbeut në qytetin e Lezhës. Ciceroni turk që shoqëronte grupin e turistëve u mban ligjërata atyre, duke e denigruar Skënderbeun e duke u shprehur plot mllef ndaj tij. “Skënderbeu ka jetuar për shumë vite në malet e Krujës, ka qenë bandit dhe kusar. Ka sulmuar rreth 30 herë ushtrinë e Perandorisë”, ka thënë Ugurluel. Më tej, ai nuk kursehet as nga etiketimet si ‘vrasës i të pafajshmëve’, ndonëse nuk merakoset fort t’i faktojë këto para turistëve injorantë. Bëhet e ditur se historiani, Talha Ugurluel është i njohur për qëndrimet e tij provokative gjatë udhëtimeve që organizon në vendet që kanë qenë të pushtuara nga ish-Perandoria Osmane. Ofendime të tilla që nuk përkojnë askund me të vërtetën historike bëhen në një kohë kur elitat e të dyja shteteve flasin vetëm për marrëdhënie miqësore. Një nga historianët më reputativ turk siç është Halil Inalçik në publikimet e tij ka paraqitur me objektivitet rezistencën e Skenderbeut, duke i njohur atij meritat dhe gjenialitetin luftarak. Ndërkohë, rrjetet sociale janë mbushur me reagime të fuqishme, shumë prej të cilëve kërkojnë edhe shpalljen non-grata të historianit turk. Për këtë edhe ka filluar një peticion online i cili kërkon nga Qeveria e Shqipërisë t’i ndalojë atij hyrjen në territorin shqiptar.
Kontrolloni gjithashtu
BE mirëpret gatishmërinë e Kosovës për normalizimin me Serbinë, por kërkon veprime konkrete dhe të menjëhershme”
Bashkimi Evropian mirëpret gatishmërinë e Qeverisë së Kosovës për të zbatuar marrëveshjen e normalizimit me …