Sot bëhen 43 vjet nga themelimi i Akademisë Shkencave dhe e Arteve të Kosovës

Peticioni i disa intelektualëve: ASHAK-u nuk ka shërim, prandaj as shpëtim

Mbi njëzet intelektualë të vendit tonë përmes një peticioni dërguar medieve kanë kundërshtuar zgjedhjet e fundit (2016) në Akademinë e Shkencave e të Arteve të Kosovës. Sipas këtyre intelektualëve, këto zgjedhje do të mbahen në mend gjatë si vazhdimi më shqetësues i një rrënimi të madh e të pakthyeshëm të saj. “Zgjedhjet e fundit në të vërtetë dhanë alarmin se kjo Akademi nuk ka shërim prandaj as shpëtim. Ftojmë Kuvendin e Kosovës që të krijojë Komision kompetent për të shqyrtuar shkeljet e Ligjit për Akademinë e Shkencave dhe të Arteve të Kosovës me rastin e zgjedhjeve të fundit në dhjetor të vitit 2016”, është thënë në peticionin e nënshkruar nga këta intelektualë.

Peticioni i disa intelektualëve kundër ASHAK-ut:

Zgjedhjet e fundit (2016) në Akademinë e Shkencave e të Arteve të Kosovës do të mbahen në mend gjatë si vazhdimi më shqetësues i një rrënimi të madh e të pakthyeshëm të saj. Zgjedhjet e fundit në të vërtetë dhanë alarmin se kjo Akademi nuk ka shërim prandaj as shpëtim, sepse kur e keqja përsëritet, kur paligjësitë, shpërdorimet, padrejtësitë, fyerjet bëhen sistemore, shpresa për t’u kthyer mbarë vdes.

Në mungesë të strategjisë shkencore, në mungesë të projekteve të mëdha e të vogla të rëndësisë kombëtare, në mungesë të platformave që do të kishin objekt proceset zhvillimore të fushave jetike për Kosovën, në mungesë të bashkëpunimit mbarëshqiptar për makroprojekte shkencore e për veprimtari të dobishme shkencore të rëndësisë kombëtare e mbarëkombëtare, në mungesë të realizimit të projekteve të reja serioze shkencore dhe të botimit të tyre, në mungesë të diskutimeve e debateve konstruktive e mendjehapura për probleme shkencore dhe kulturore e për probleme aktuale shoqërore, në mungesë të zgjedhjeve meritore, të ligjshme e të drejta, Akademia ofron, qe çka i ofron Kosovës nga buxheti i së cilës merr çdo vit nga 1,052,500 euro:

-përkthim dhe ribotim të veprave tashmë të vjetruara, në të vërtetë më shumë shfrytëzim i veprave të autorëve të huaj dhe botim dhe ribotim me tituj të ndryshëm i veprave të akademikëve, si punime individuale të realizuara në kontekste të tjera që i referohen tash Akademisë, të shpërblyera shumë herë e shumëfish për të njëjtën punë;

-një botim enciklopedik krahinor “Kosova”, të hartuar jo mbi bazën e shfrytëzimit të burimeve shkencore, por të atyre të Ëikipedia-s dhe “Fjalësin e zërave enciklopedikë të Kosovës” në realizim e sipër (natyrisht edhe ky me karakter krahinor), që nuk është projekt shkencor siç dëshirojnë ta quajnë, po është një listë emrash dhe që do të hartohet sipas të gjitha gjasave po nga burimet e Ëikipedia-s, metodë e re e promovuar prej Akademisë për hartimin e projekteve enciklopedike, të vonuara e të dështuara;

-konferenca shkencore shënuese (për përvjetorë) me katër a pesëbëdhjetë kumtues gjithmonë të njëjtit e me pjesëmarrës dëgjues që, bashkë me stafin e administratës, nuk bëjnë më shumë se 20 veta, dhe tryeza për tema të dala kohësh dhe, natyrisht, botimi i këtyre materialeve me honorarë të majmë;

-shfrytëzim enorm të buxhetit të Kosovës për punën që vetëm punë shkencore nuk mund të quhen;

-mosbashkëpunim thelbësor shkencor, pra mungesë bashkëpunimi çfarë do të duhej ta kishte detyrim e përgjegjësi kombëtare me Shqipërinë; bashkëpunimi ndërakademik midis dy shteteve tona bëhet vetëm sa për sy e faqe dhe vetëm në nivel konferencash, në të cilat ftohen shpesh individë të caktuar, në vija të njohjeve personale e jo personalitete të shquara dhe të fushave përkatëse; me Ligjin e ri të Akademisë, për fat të keq nuk është paraparë fare bashkëpunimi me Shqipërinë (shih nenet 9 e 10 të këtij Ligji), në të vërtetë ai shihet si bashkëpunim me cilindo shtet fqinjë ose më larg;

-mosbashkëpunim as formal dhe as joformal me institutet shkencore të Kosovës që po kështu e ka detyrim jo vetëm shkencor e profesional, por edhe ligjor (shih, po kështu, nenet 9 dhe 10);

E këto, pra, janë “performancat kyçe” të Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës, si kanë dëshirë t’i quajnë vetë akademikët tanë aktivitetet e tyre të pakta, anemike, të mjera, madje edhe në Kornizën afatmesme të shpenzimeve të ASHAK-ut (2015-2017).

Po të shohim se me cilat punë të “mira” mund të lëvdohet akademia në këtë fund dhe fillimviti, në të vërtetë si i “performuan” akademikët zgjedhjet e fundit (2016), si e vetmja “punë” a “veprimtari” me të cilën do të mbahet mend gjatë ajo.

Edhe kësaj radhe Akademia u kujdes shumë, shumë, të mos ndërrojë asgjë nga praktika e saj e korruptuar për të përtërirë veten me kandidatë të rinj.

U kujdes fort:

– që të vazhdojë korrupsionin akademik në të gjitha format posaçërisht me rastin e zgjedhjeve;

-që këto zgjedhje të bëhen me “trafikim ndikimesh” e me kalkulime përfituese të të gjitha llojeve;

-që me këto zgjedhje t’ia ruajë vetes fort fytyrën politike e partiake, në të vërtetë u kujdes të shkojë më larg në këtë drejtim, jo vetëm të pranojë politikanë a anëtarë partiakë të së njëjtës parti, zëvendëskryeministra, ministra e ish ministra, dhe “sa për ilaç” një kandidate të partisë tjetër, ish ministre, për t’ia bashkuar një kandidati ministër të po kësaj partie të pranuar para katër vjetësh, që humbi në këto zgjedhje për t’u bërë akademik i rregullt nga kolegët e vet akademikë, por u kujdes fort që të realizojë hap pas hapi, siç po shihet, zhvendosjen e kabinetit qeveritar në Akademi; zgjedhje pas zgjedhje, do të jemi dëshmitarë, ky kabinet i tëri do ta zaptojë akademinë;

– që me ligjin e Akademisë të çohet në dreq të mallkuar e të përqafohet fort konflikti i interesit, ndonëse Ligjin për parandalimin e konfliktit të interesit e ka miratuar Kuvendi i Kosovës që në gusht 2011, por që e ka miratuar duke ia përshtatur interesave të zyrtarëve partiakë e shtetërorë, fatkeqësisht! Konflikti i interesit ka shtrirje marramendëse në gjithë Kosovën, kurse në Akademi ai quhet bashkëpartiakësi, bashkëklanësi, bashkëfshatarësi, bashkëkorrupësi;

-që të pranojë kandidatë – anëtarë të rregullt dhe anëtarë korrespondentë, jo me “realizime kulmore në fushën e shkencës ose të artit dhe që janë me peshë në vend dhe jashtë tij” ose me “vepra shkencore ose artistike të një rëndësie të veçantë”, siç shkruan në Ligjin e ri të Akademisë, i përshtatur fortë për korrupsionin moral e intelektual të saj, por që të pranojë anëtarë pa vepra shkencore, bile as modeste, domethënë pa vepra shkencore dhe me vetëm tekste mësimore të përpiluara dobët dhe, natyrisht, pashmangshëm për këtë Akademi, me vepra plagjiatë (me Ligjin e ri të Akademisë plagjiati nuk është vepër e dënueshme – diçka e paimagjinueshme për një ligj akademie e që nuk ngjan në asnjë ligj akademie tjetër në rajon e më larg);

-që të refuzojë e të fyejë, sepse mosvlerësimi nuk është vetëm padrejtësi e madhe po është edhe fyerje e rëndë, si edhe në tri palë zgjedhjet e tjera të pasluftës, kandidatë me vepra e rezultate shkencore që do t’i bënin nder çdo akademie aq më tepër një akademie vegjetuese si kjo;

-që, ashtu sikur përgjatë 16 vjetëve me radhë, nga lufta e fundit dhe po aq a më shumë vjet nga paralufta, të mos merret parasysh asnjë propozim nga Instituti Albanologjik i Prishtinës, si i vetmi institut shkencor i këtij lloji në Kosovë me traditë mbi 60 vjeçare e me mbi 500 vepra shkencore e profesionale të botuara, pra asnjë kandidat i propozuar nga 5 seksionet e tij, pavarësisht se shumë nga ata e kanë merituar dhe e meritojnë me punën e me rezultatet e tyre të shquara në shkencat albanologjike;

-që të pranojë, si edhe herë të tjera, më të shumtët e tyre, kandidatë servilë, të pa zë a “shurdhmemecë”, duke dëshmuar kështu një praktikë shumë origjinale të Akademisë – servilizim i dyanshëm, i dyfishtë (zor t’i gjendet emërtimi i saktë sepse është servilizim i shpikur e i realizuar posaçërisht në Akademi – pra është specialitet i saj): servilizim i strukturave udhëheqëse të akademisë ndaj vartësve – pushtetit e politikës, dhe servilizim i të pranuarve ndaj vartësve – strukturave udhëheqëse të Akademisë! Shkollë e mençur kjo e ASHAK-ut tonë dhe mësim edhe për institucionet e tjera në Kosovë!!! Kjo i bën ata të quhen servilë të politikës e servilë të shefave;

-që të favorizojë edhe më tutje vrazhdë pranimin krahinor – me patjetër kandidatët duhet të jenë nga Presheva, Peja e Gjakova me rrethina dhe nga Llapi (kësaj radhe nuk pati kandidatë nga Presheva – çudi, po, për të mos u prishur praktika e “instaluar” u pranua një dhëndër Presheve);

-që të pranojë individë që më me dëshirë do të bashkëpunonin me cilindo shtet fqinjë sesa me Shqipërinë;

-që të pranojë kandidatë që do të riprodhojnë më shumë politikë luajale e pushtet administrativ sesa punë shkencore, më shumë klanizim e barrikadim sesa bashkëpunim ndërinstitucional, më shumë nepotizëm sesa veprimtari shkencore, më shumë korrupsion e privatizim sesa ligjësi e zbatim ligji;

Akademia do të vazhdojë kështu edhe në vitin që po hymë dhe në vitet në vijim pas tij. Do të vazhdojë kështu t’i qesë hi syve opinionit publik dhe krejt Kosovës. Pse jo, kur përfaqësuesit e shtetit dhe klasa politike në vend se të kryejnë detyrimet ndaj popullit dhe funksionimit të shtetit synojnë t’i bëjnë vetes vend në Akademi. Servilizim i dyfishtë dhe shpërdorim i rëndë i demokracisë.

Duke shpërfillur meritat dhe vlerat shkencore, letrare, artistike dhe profesionale gjatë zgjedhjeve, Akademia e Shkencave dhe e Arteve ka shpërfillur dhe nënçmuar rëndë interesat shkencore, kulturore dhe zhvillimore të Kosovës si dhe kulturën shqiptare në përgjithësi!

Duke bërë kriterin partiak dhe politik kriter themelor në procesin e pranimit të anëtarëve të rinj, Akademia e Shkencave dhe e Arteve ka shpërfillur dhe fyer rëndë parimet dhe standardet themelore demokratike!

Me Klanin e saj rajonal të paskrupuj moralë dhe intelektualë, me politikën e saj autoritare, me sjelljen e saj primitive, udhëheqja e ASHAK-ut, e përdorur dhe e shpërdorur prej Klanit në fjalë, e ka bërë ASHAK-un institucion komprometues për prestigjin dhe për sovranitetin e Shtetit të Kosovës.

Ftojmë Kuvendin e Kosovës, si financues i këtij institucioni, që t’i shikojë të gjitha pasojat dhe dëmet e veprimtarisë së tillë të Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës në fushë të shkencës, të arteve, të kulturës dhe në jetën intelektuale e shoqërore në Kosovë.

Ftojmë Kuvendin e Kosovës që të krijojë Komision kompetent për të shqyrtuar shkeljet e Ligjit për Akademinë e Shkencave dhe të Arteve të Kosovës me rastin e zgjedhjeve të fundit në dhjetor të vitit 2016.

Ftojmë Kuvendin e Kosovës që Ligjin për Akademinë e Shkencave dhe të Arteve të Kosovës ta lirojë prej Pikës 3 të Nenit 3 të këtij Ligji, me të cilin diskriminohen dhe u shkelet e drejta njerëzore dhe profesionale studiuesve shkencorë dhe artistëve për t’u propozuar dhe për t’u zgjedhur anëtar akademie mbi moshën 65 vjeçare. Njëkohësisht ftojmë Kuvendin e Kosovës që si në ligjet e të gjitha akademive të shkencave dhe të arteve në Evropë, pos nenit mbi kriteret e pranimit në Akademi, të futet edhe neni mbi kriteret e ndërprerjes së anëtarësimit në Akademi.

 

Nënshkruesit

  • Prof.dr. Emin Kabashi
  • Prof.dr. Lulzim Lajçi
  • Prof.dr. Qemal Murati
  • Prof. dr. Mehmet Ahmetaj
  • Prof.dr. Agim Vinca
  • Prof. dr. Rexhep Doçi
  • Mr. Xhevat Bislimi
  • Prof. Fatmir Arifi
  • Shefik Sadiku
  • Dr. Sadri Ramabaja
  • Prof. dr. Sadri Fetiu
  • Prof.dr. Sali Bytyçi
  • Mr. Bedri Zymberi
  • Prof. dr. Shyqri Galica
  • Prof. i asoc. Arben Hoxha
  • Ma. Meliza Krasniqi, doktorante
  • Dr. Nuredin Ahmeti
  • Dr. Naim Berisha
  • Dr. Arbnora Dushi
  • Prof.dr. Ragip Mulaku
  • Prof. dr.Rrustem Berisha
  • Prof.dr. Adem Zejnullahu
  • Dr. Bashkim Lajçi
  • Prof. i asoc. Fadil Grajçevci
  • Mr.Jahir Ahmeti
  • Prof.dr. Shefkije Islamaj
  • Prof.dr. Hakif Bajrami
  • Ma Afërdita Dervishi
  • Mr. Emin Emini, doktorant, dramaturg
  • Dr. Vlorë Berisha
  • Mr.Aziz Islamaj, skulptor
  • Prof. dr. Begzad Baliu
  • Prof. dr. Shefki Sejdiu
  • Dr. Ag Apolloni, prof. asoc.
  • Xhemajl Avdyli, botues
  • Ma. Orjela Stafasani, doktorante
  • Prof. dr. Basri Çapriqi
  • Prof.dr. Zymer Neziri
  • Zake Prelvukaj, piktore
  • Abdyl Kadolli, shkrimtar
  • Dibran Fylli, shkrimtar
  • Prof.dr. Xhemil Bytyçi
  • Adem Zaplluzha, shkrimtar
  • Prof. dr.Rifat Blaku
  • Mr.Hasan Dulaj

 

Prishtinë, 31.1.2017

 

Kontrolloni gjithashtu

Nuredin Ibishi

Njohësi i çështjeve të sigurisë, Nuredin Ibishi, kërkoi që Bashkësia ndërkombëtare të marrë hapa të duhur në veri

Njohësi i çështjeve të sigurisë,  Nuredin Ibishi,  ka deklaruar se veprimet e fundit në pikën …