Siç thotë edhe vetë autori, Mihal Kalia, në këtë libër janë përzgjedhur shkrime që, edhe pse në kohë të ndryshme, përfshirë edhe atë të regjimit socialist, kanë të përbashkët frymën polemizuese, lidhur me qëndrimin dhe vlerësimin e figurave të spikatura të letërsisë shqiptare, drejtimeve letrare, raporteve me historinë dhe gjuhën shqipe, etj.
Në këtë kuadër, Mihali përballet me ta, jo për të bërë analiza me themel të veprave të tyre (ndonëse i ka studiuar me themel), por duke u bërë disa “operacione plastike”, përpiqet të vërë në dukje një çoroditje në përqasjen “e re” që disa kritikë e analistë ciflosin e gërvishtin historinë, gjuhën, kulturën, traditat e shkëlqyera të cilat janë emblemë e identitetit tonë kombëtar. Për të tillë kritikë, shkrimtari dhe studiuesi Moikom Zeqo thotë se, “kanë delirin e publicitetit dhe kanë kundër vetë autorin, të cilin pretendojnë se e lavdërojnë.”
Duke lexuar këtë libër,
Së pari, në përmbajtje të tërheq vëmendjen fryma polemizuese me prova të pakundërshtueshme, si dhe respekti e entuziazmi që ndjen ai për disa autorë të vjetër e të rinj, ndofta pak të njohur, por që, në vlerësimin e autorit, shtojnë pasurinë e fondit letrarë për vlerat ideo-artistike dhe mesazhet që përcjellin.
Së dyti, si autor, Mihal Kalia të shpërfaqet i thellë në argument, i kulturuar në të shprehur, hulumtues me tipare arkeologu që, pasi zbulon ose nxjerr në sipërfaqe objektin, bën edhe përshkrimin e tij duke e vendosur në kohë dhe hapësirë, si dhe duke e pastruar, në kuptimin figurativ nga skoriet që janë vlerat e pamerituara. Këtu, ne njohim një studiues guximtarë që është kundër lavdisë e mbivlerësimit nga pozita servile dhe nënshtruese për arsye të namit dhe emrit.
Së treti, ky është një libër me mesazhe që kanë të bëjnë me shërbimin që i kanë bërë Atdheut veprat e autorëve të cilët Mihali ka marrë në analizë. Për të qenë i saktë dhe objektiv, ai i shikon ata në pikëpamje të dyfishtë: të kohës kur kanë krijuar dhe të mesazheve që kanë përcjellë. Duke qenë kështu, ky libër nuk hynë në librat relaxues, por ngacmues, në shërbim të së vërtetës dhe kundër lajkave.
Së katërti, autori në ato që shkruan është i besueshëm dhe i vërtetë sepse, kur polemizon ose kundërshton, nuk niset nga qëllime mohuese e injoruese, por si një studiues realist që, gjërat do t’i shikojë objektivisht e me pastërti. Këtu dua të vë në dukje se Mihali, me arsimimin, formimin kulturor, prirjet hulumtuese dhe karakterin e sinqertë, ka forcën dhe të drejtën të flasë e të debatojë edhe me disa autorë që propaganda tifoze përmjet servilizmave, i ka bërë të paprekshëm e në disa raste edhe të keqtrajtuar. Mirëpo, sot, kur shohim fenomenin e pakësimit të lexuesve, ky himnizim I tyre, është një orientim I padrejtë dhe i dëmshëm.
Dihet që, nga njerëz të mëdhenj, veprat krijuese nuk janë vetëm për një rreth të ngushtë njerëzish, simpantizantë të tyre. Njerëzit e dëgjuar kanë favorin dhe delikatesën se, janë në sy të të tjerëve. Veprat e tyre, në mënyrë të natyrshme, kur kanë mesazhe të dobishme, bëhen pasuri që shfrytëzohen nga të gjithë. Nuk dua të sfidojë, por nqse shkrimtari dhe diplomati që përmendet në këtë libër, Daut Gumeni, do ta ngjyente penën, kur krijon vepra, në atë zemër të thyer e në fatin e tij të plagosur, edhe pse do të kishte të drejtë, nuk do të kishte këtë jehonë e këtë respekt, kur në zemrën dhe botëkuptimin e tij, priret nga tolerance dhe nga ndërgjegjësimi se, është koha e kontributeve për një botë tjetër pa dëmet që pësoi jeta e tij.
Fatkeqësisht, bota shqiptare, ka nxjerr edhe njerëz vërtetë të shquar për dijet e tyre, për jetën mondane që kanë bërë larg Atdheut, për poste që kanë mbajtur, por që famën e tyre, pak, ose aspak e vunë në dobi të vendit e popullit të vet. Ishin rrethana historike, që ata duhej të ishin këtu, nqse jo fizikisht, të paktën me zërin e tyre. Mirëpo, edhe dikush që ishte mes nesh në kohën e kthesës historike, iku dhe pa interesin e tij. Dikush që nuk u ndodh këtu dhe që e shihte fatin e atdheut nga sallonet aristokratike, tallet me popullin e vet dhe vjell vrer mosrespekti për prapambetjen ku gjenden vëllezërit e motrat e tij të braktisur.
Ka qenë në Mal të Zi një krajl Nikolla, një antishqiptar i tërbuar që me ushtrinë e tij ka bërë shumë masakra ndaj popullsisë së veriut tonë. Përfundimisht, u mund nga austro-hungarezët dhe vdiq në ekzil në Francë më 1921. Vitet e fundit të jetës së tij u dëgjua dhe njihet në Mal të Zi si shkrimtar. Ka shkruajtur edhe për shqiptarët. Ka shkruajtur me mendimet më të mira duke vënë në dukje trimërinë, mosnënshtrimin, besën e bujarinë. Kur vdiq, thanë për të : “të paktën, me shkrim, tha të vërtetën për shqiptarët”. Disa vite të jetës së tij përkojnë me vitet e Faik Konicës.
Siç e dimë, këtë vit, çmimi Nobël në Letërsi iu dha shkrimtarit austriak, Peter Handke. Edhe sot vazhdojnë debatet për këtë çmim të pamerituar. Debate ka patur edhe brenda komisionit që gjykon për dhënien e këtij çmimi. Shkaku është qëndrimi simpantizues që ai ka mbajtur ndaj satrapit serb, Sllobodan Millosheviç. Pavarësisht se, si shkrimtar ai është i dëgjuar dhe me vlera, debatet për të u bën jashtë meritave të tij si krijues, ndaj propaganda serioze e shoqëroi çmimin e tij me përcaktimin se ai është “një njeri pa vetëdijë morale dhe një njeri pa ndjenjën e turpit”.
Libri i Mihalit, unë mendoj se është një kontribut, sidomos, në fushën e kritikës letrare. Si I tillë, ai është pasuri dijesh për kontingjentet e sektorit të letërsisë dhe institucioneve përkatëse. Mihali. Jep një mësim që kur të flasim për merita apo kontribute të kujtdo qoftë, t’i zbresim ata në tokë nga qielli, ku i kanë ngritur servilët e simpantizantët e tyre. Sepse, ndryshe, ata në të gjitha kohërat, do të mbeten të cunguar nga e vërteta dhe e pa vërteta e jetës së tyre.
Vet Faik Bej Konica ka thënë: “Të përpiqemi me të gjitha forcat tona që të shërojmë shqiptarët nga dashuria për individët. Ata duhet të mësojnë që të duan Shqipërinë, jo për t’i bërë qejfin këtij apo atij shqiptari”.
Mendoj se, libri me autor Mihal Kalia “Përqasje e Ҫoroditur”, i përgjigjet kësaj porosie të këtij personaliteti të shquar. Ky libër i autorit Mihal Kalia është padyshim një kontribut i vyer në fushën e kritikës letrare, e cila fatkeqësisht shpërfillur dhe çoroditur këto dekadat e fundit, ndërkohë që lexuesi e ndjen domosdoshmërinë e kësaj kritike cilësore për t’u orientuar nga vlerat dhe për të mos u çoroditur nga antivlerat që po përmbytin çdo ditë e më shumë kulturën dhe letërsinë tonë.