Sot u bënë 23 vite pa kryeheroin Ymer Alushani, njeriun i cili ishte shndërruar në një Mic Sokol i Grykës së Llapushnikut. 23 vite më parë ra në altarin e lirisë njeriu me gjigant që kam njohur dhe ai i cili i dha kthese të madhe luftës çlirimtarë, Ymer Alushani – Komandant Vogëlushi. Gryka e Llapushnikut ishte bërë tanimë histori në vete e cila tundi themelet jo vetëm të Jugosllavisë së atëhershme por edhe të gjithë Evropës dhe Botes. Topi i Ymer Alushanit nuk ishte krisme që bubullonte vetëm në Gryken e Llapushnikut por ai goditi dhe zuri në befasi kancelaritë më të mëdha të Evropës duke i thënë përfundimisht “BOLL MA – Kosova duhet të jetë e lirë”.
Sot, në 23 vjetorin e rënies heroike të gjigantit të Grykës nuk ke si mos kthehesh në kujtimet e arta kur UÇK-ja ishte bërë shpresa e vetme e këtij populli për çlirim dhe alternativa e vetme për Lirinë që se shpejti do vije. 23 vite më parë u ndez zjarri rinor për tu bashkuar rreth krenarisë së lavdishme e për të rreshtuar drejt në binaret e se ardhmes së kombit tonë.
Ymeri ishte njëri nga viganet në të cilën gjaku i tij u shndërrua në mobilizim të përgjithshëm. Ai nuk ishte vetëm një luftëtar e komandant por edhe një vizionar që projektoj të ardhmen e vendit tonë. Sot, pas 23 vitesh shumica e shokëve të tij i janë bashkangjitur në parajsë si daja i tij Salih Muqaku e axha im Abedin Gashi, ndërkohë pjesa tjetër ende lufton në beteja të reja kundër padrejtësive ndaj popullit tonë. Kur dikur Ymeri thoshte se: “sot fillon lufta për të vazhduar përjetësisht”, ndoshta dikujt edhe i është dukur hipotetike, por ja që përjetësisht po vazhdon lufta kundër UÇK-së dhe idealisteve të saj.
Ymeri ishte hyrë në luftë si fitimtar, ishte vrarë në luftë si fitimtare dhe është ringjallur përsëri në shpirtin e kombit tonë si fitimtar.
Luani i Grykës është dhe mbetet sinonimi me i mirë i dashurisë ndaj atdheut, ndaj nderimi ndaj këtij dhe shokëve të tij do të vazhdojë përjetësisht.
I përjetshëm kujtimi për jetën dhe veprën e Ymer Alushanit!
Lavdi dëshmorëve të kombit dhe të rënëve për Liri!
Shkruan: Petrit Gashi – Asamblist dhe aktivist në Komune e Drenasit