PhD (C). Miftar KURTI: USHTRIA ÇLIRIMTARE E KOSOVËS MES VLERËSIMEVE, SHANTAZHEVE DHE AKUZAVE I

PhD (C). Miftar KURTI: USHTRIA ÇLIRIMTARE E KOSOVËS MES VLERËSIMEVE, SHANTAZHEVE DHE AKUZAVE I

 

Lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), ka zgjuar kërshërinë e studiuesve, historianëve, analistëve politikë dhe ushtarakë si dhe publicistëve të ndryshëm. Për UÇK-në dhe luftën e saj është shkruar nëpër gazeta e revista vendore e ndërkombëtare, nga më prestigjiozet në botë. Janë shkruar libra publicistikë dhe historikë; janë shkruar dhe monografi. Janë shkruar dhe një numër jo i vogël i ditarëve të luftës nga poetë, shkrimtarë, studiues, historianë, politikanë, ambasadorë, gjeneralë e diplomatë karriere. Janë mbrojtur edhe tema diplome, të masterit dhe disertacion doktoratash. Nga kjo shumësi shkrimesh e veprash, kësaj radhe kam veçuar për trajtim dy monografi: “Ushtria Çlirimtare e Kosovës: rrëfim prej brenda për një kryengritje” me autor Henry H. Perritt Jr., Koha, Prishtinë, 2008, dhe “Ushtria Çlirimtare e Kosovësnga një luftë e fshehtë në një kryengritje të Ballkanit 1948-2001” të James Pettifer, Onufri, 2013.

 

Karakteri çlirimtar i Luftës së UÇK-së

 

Ideja për të shkruar librin “Ushtria Çlirimtare e Kosovës:rrëfim prej brenda për një kryengritje ”, sipas autorit Henry H. Perritt Jr., erdhi pas një bisede me një ish-ushtar të UÇK-së. Libri hapet me një “Hyrje” dhe disa të dhëna “Shkurtimisht për librin”. Libri është i ndarë në tri pjesë: UÇK para luftës (pjesa e parë), gjatë luftës (pjesa e dytë) dhe pas luftës (pjesa e tretë), kurse përbëhet prej njëmbëdhjetë kapitujve, ku trajtohen një mori çështjesh që kanë të bëjnë me luftën e UÇK-së dhe zhvillimet në Kosovë e më gjerë. Autori fokusohet dhe rrëfen për disa nga fytyrat (ushtarë, komandantë e prijës të luftës) e kësaj organizate politike-ushtarake dhe kundërshtarët e saj; për mënyrën se si u arrit të krijohet dhe formësohet opinioni dhe të ruhet mbështetja publike për të; për rekrutimin e luftëtarëve dhe komandantëve; për mënyrën se si ajo arriti t’i bëjë ballë sulmeve të Millosheviçit dhe t’i shpëtojë atij nga asgjësimi dhe shfrytëzimi; për mënyrën se si u financua ajo; për stërvitjet e organizuara; për furnizimin dhe mënyrat e sigurimit të linjave për furnizim me pajisjet e nevojshme në rrethana të luftës; për mënyrën se si u bind, si u formësua opinioni ndërkombëtar dhe raportet e saj me faktorin relevant ndërkombëtar; për politikat e pasluftës dhe për UÇK-në në “kutitë e votimit”; për akuzat, arrestimet dhe dënimet e disa ushtarëve dhe komandantëve të saj nga gjykata vendore (të mbikëqyrura nga UNMIK-u) e deri edhe te Tribunali për Krime të Luftës në Hagë. Pjesë e librit janë edhe tabela e akronimeve, emrat e organizatave dhe emrat e individëve që ka konsultuar gjatë hartimit të kësaj monografie. Në fund jepet bibliografia mjaft e pasur dhe një falënderim për ata që e kanë ndihmuar.

Rrëfimin për temën e trajtuar në këtë monografi, autori e ndërton kryesisht përmes zërit të atyre që organizuan, udhëhoqën dhe luftuan në radhët e kësaj organizate ushtarake dhe politike, si dhe përmes zërit të kritikëve të saj. Luftën e kësaj organizate autori e quan kryengritje. Kjo kryengritje, sipas tij, ishte një përzierje e motiveve të shekullit nëntëmbëdhjetë me teknikat e shekullit njëzetenjë. Nacionalizmi, ishte ideologjia kryesore e saj, edhe pse, sipas tij, “UÇK-ja kishte tri ideologji që mund t’i përdorte: marksizëm-leninizëm, nacionalizëm shqiptar dhe islami. Nacionalizmi i la në hije dy të tjerat”. Rrëfimi këtu nuk na del thjesht një kronologji ngjarjesh a përjetimesh. Ai ndërtohet duke ia nënshtruar një skeme të formësuar nga njohuritë teorike dhe empirike rreth kryengritjeve të tjera, duke konkluduar se përvoja e UÇK-së ndriçon karakteristikat e përgjithshme të kryengritjeve.

Autori shfaq pikëpamjen se “tri grupe të rëndësishme udhëheqësish brenda shoqërisë shqiptare të Kosovës e kanë definuar UÇK-në dhe rrugën e saj drejt suksesit: “Institucionalistët e rrugës paqësore” (të udhëhequr nga I. Rugova dhe B. Bukoshi-M.K.), “Planifikuesit në ekzil”(Xhavit Haliti dhe Hashim Thaçi-M.K.) dhe “Mbrojtësit në shtëpi” (në krye me Adem Jasharin-M.K.)” (f. 27). Më tutje ai flet edhe për “filozofinë” dhe karakteristikat e njërit dhe grupit tjetër, për portretet e kryesuesve të “grupeve”. Për krerët e UÇK-së thotë se ishin “nacionalistë shqiptarë” dhe se asnjëri nga ta nuk pati rrënjë fetare. Kjo dëshmon se lufta e UÇK-së kishte karakter çlirimtar e jo karakter fetar a të një ideologjie tjetër, siç është përpjekur t’ia vesh dikush.

Te ky libër, si rrallë kund tjetër gjen aq shumë të dhëna për mbështetjen dhe pengesat që pati UÇK-ja (nga vendorë dhe të huaj) në luftë; për mënyrën se si u organizua kryengritja; për format e luftës dhe strategjinë e ndjekur, qëllimet dhe objektivat e saj; për shtrirjen e luftës në Zona Operative; për komandën dhe kontrollin; për organizimin e stërvitjeve dhe llojin e tyre; për intensitetin e luftimeve; për sigurimin e fondeve dhe mënyrën e financimit të luftës, furnizimi me armë dhe pajisje të tjera; për profilin e ushtarit dhe komandantit të UÇK-së; për raportet e saj me popullatën, me subjektet politike, me faktorin ndërkombëtar, deri edhe te shpërbërja e saj dhe formimi i Trupave Mbrojtëse të Kosovës (TMK); si dhe akuzat e ngritura ndaj tyre nga UNMIK-u, nga gjykata e Hagës etj.

Një kapitull më vete, mjaft interesant, që do veçuar me këtë rast, është edhe trajtimi i raporteve të UÇK-së me faktorin ndërkombëtar, krijimin dhe formësimin e opinionit ndërkombëtar se lufta e UÇK-së ishte e drejtë. Mbështetja e parë për këtë organizatë politike-ushtarake, sipas autorit, erdhi nga Republika e Shqipërisë. Pastaj, erdhi mbështetja nga segmente te Qeverisë gjermane, shumë kohë para se këtë gjë ta bënte SHBA-ja, Britania e Madhe apo Franca, derisa solli edhe intervenimin e NATO-s. Të dhënat e publikuara te ky libër tregojnë se intervenimi ndodhi vetëm për shkak se rezistenca e UÇK-së rriti rrezikun e mos intervenimit dhe se Ushtria Çlirimtare e Kosovës ngadhënjeu më në fund më 1999, për shkak se solli intervenimin ndërkombëtar në formën e fushatës së bombardimeve të NATO-s.

Këtu janë trajtuar edhe çështje të pasluftës, çështje që lidhen, në një mënyrë apo tjetër, më UÇK-në dhe fatin e pjesëtarëve të saj. Përvoja e kësaj organizate, sipas autorit, e definoi politikën e pasluftës në Kosovë. Popullariteti që i kishte mundësuar UÇK-së të jetë aktive nuk u shua, por kjo organizatë pushoi së ekzistuari. Fatet e pjesëtarëve të saj, siç shprehet me të drejtë autori, ishin të ndryshme: disa u inkuadruan në politikë, disa në radhët e TMK-së, disa në Shërbimin Policor të Kosovës (SHPK); ndaj disave filluan ndjekjet penale, u ngritën akuza, ata u arrestuan dhe u dënuan nga gjykatat. Autori nuk e mbyll rrëfimin për UÇK-në me përfundimin e luftës në Kosovë dhe instalimin e administratës ndërkombëtare këtu, sepse, sipas tij, rrëfimi për këtë organizatë do të ishte i pakompletuar pa e trajtuar ndjekjen penale të shumë pjesëtarëve të saj për krime lufte. 

Libri “Ushtria Çlirimtare e Kosovës: rrëfim prej brenda për një kryengritje” e Henry Perrittit është i veçantë (si për nga mënyra e ndërtimit, ashtu edhe për vlerat që ka), nga më të veçantat libra që janë shkruar lidhur me këtë temë. E them këtë, sepse asnjë libër që kam lexuar deri në kohën e botimit të tij, nuk del të jetë më i plotë dhe më gjithëpërfshirës. Edhe për atë se çfarë ka trajtuar, edhe si e ka trajtuar, por edhe për mënyrën e qasjes dhe strukturimit të tij. Natyrisht se në këtë libër janë bërë edhe lëshime e gabime që, krahasuar me vlerat e librit, nuk çojnë kushedi sa peshë, por janë të hetueshme dhe është mirë të evidentohen dhe veçohen me këtë rast.

Cilat janë disa prej tyre?

E para, edhe pse ai nuk mohon se UÇK-ja kishte 7 Zona Operative, ai gati gjithë rrëfimin e ndërton duke u bazuar pothuaj tërësisht në ato që i rrëfejnë komandantët e tri zonave: Zona Operative e Drenicës, Zona Operative e Dukagjinit dhe Zona Operative e Llapit. Ai bën lëshime (sigurisht të paqëllimshme) edhe kur është fjala për strukturimin e njësiteve të UÇK-së, sidomos në nivel brigade. Sipas tij, çdo brigadë kishte nga katër batalione. Ky fakt nuk qëndron. Sepse, derisa Brigada 141 “Mehë Uka” kishte katër batalione, Brigada 142 e të njëjtës zonë (ZOSH) kishte vetëm dy batalione. E dyta, fshatin Bajgorë e konsideron si pjesë të ZOLL (Komuna e Podujevës), mirëpo ai i takon Komunës së Mitrovicës dhe ZOSH-it. E treta, ka raste kur autori “shërbehet” edhe me fyerje. Rast konkret kemi kur Shqipërinë komuniste e quan “fundërrinë ekonomike dhe politike”, kurse profesorët e Universitetit të Prishtinës i konsideron “për turp”. Ka edhe konstatime të tjera me të cilat nuk mund të pajtohem për arsye që nuk qëndrojnë. Përtej këtyre të mëtave, libri “Ushtria Çlirimtare e Kosovës: rrëfim prej brenda për një kryengritje” e Henry H. Perritt Jr. mendoj se është një nga librat më të plotë, në mos dhe më i ploti, më gjithëpërfshirës i shkruar për UÇK-në dhe luftën e saj deri në kohën e botimit të tij. Është më shumë se një libër, është një monografi me temë bosht Luftën e UÇK-së. “Ushtria Çlirimtare e Kosovës…” e Henry H. Perritt Jr. konsiderohet si historia e parë e luftës që shfaqet në anglisht.

Kontrolloni gjithashtu

Ahmet Qeriqi: Përpjekje të dëmshme të grupeve të caktuara (E diel 15 nëntor, 1998)

Ahmet Qeriqi: Përpjekje të dëmshme të grupeve të caktuara (E diel 15 nëntor, 1998)

Edhe pse po binte shi i imët vjeshtor, Ruzhdi Jashari me ekipin e tij ka …